Thyerja e Vetëvendosjes dhe tentativa për një FER të ri

Politika

Thyerja e Vetëvendosjes dhe tentativa për një FER të ri

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 6 mars 2018 Në ora: 16:40
Foto ilustrim

Dalja publike në dhjetor të vitit të kaluar e një komunikimi mes anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në platformën “Viber”, po vazhdon të jetë edhe me tej debat me reagime mes figurave më të larta të kësaj partie.

Se ndarja është e pashmangshme e vërtetoi edhe debati i pazakontë për politikën shqiptare mes dy deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca e Dardan Molliqaj.

Përfaqësuesit e dy taborëve të Lëvizjes Vetëvendosje me akuza e kundërakuza ishin ballafaquar me njëri-tjetrin për herë të parë në një studio televizive.

Debatet, akuzat e kundër akuzat janë sinjale se skenës politike në Kosovë, shumë shpejtë pritet t’i shtohet edhe një parti e re.

Image
Frashër Krasniqi

Për të pyetur se cilat janë gjasat që të “rebeluarit” e Vetëvendosjes të krijojnë një parti të re, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, së fundi pjesë e taborit të Molliqajt.

Krasniqi në një përgjigje të shkurtër tha se nuk është i gatshëm ende të flas në publik lidhur me këto çështje.

“Nuk jam ende i gatshëm të flas rreth këtyre çështjeve”, tha shkurt Krasniqi për “Bota sot”.

Ndërsa, se problemet e fundit kishin krijuar huti edhe te opinioni publike e pohon edhe deputetja e Lëvizje Vetëvendosje, Drita Millaku. Derisa njohësit e çështjeve politike në vend thonë se kjo është tentativë e të “rebeluarve” që të themelojnë një frymë të re në vend.

Image
Drita Millaku

Drita Millaku: Gjërat po sqarohen

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur rreth zhvillimeve të fundit në Lëvizjen Vetëvendosje.

Millaku thotë se janë duke punuar në teren dhe se janë duke u njoftuar me disponimin e votuesve.

“Angazhimi po vazhdon me punë rreth organizatës dhe njëkohësisht shtrirja e organizatës nëpër vendet ku s'kemi pasur shtrirje deri më tani dhe forcimi i atyre ku ishim të përfshirë. Gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë dhe jam në teren dhe jam njoftuar me disponimin e votuesve, aktivistëve dhe strukturave në përgjithësi dhe po vazhdojmë punën jashtëzakonisht mirë”, u shpreh deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje.

Millaku e pranon se zhvillimet e fundit në Vetëvendosje ishin një huti për opinionin e gjerë, ndërsa, tani, sipas deputetes së VV-së, gjërat po sqarohen.

“Edhe pse në fillim ka qenë një huti tani gjërat po sqarohen dhe jemi shumë të bindur se Vetëvendosje do të del shumë fuqishëm”, tha Millaku.

E pyetur se si e komenton debatin e fundit mes Molliqajt e Kurtit, deputetja e VV-së thotë se në këtë debat është paraqitur qartë për të gjithë ata që ende kishin dilema rreth Lëvizjes Vetëvendosje.

“Besoj se në debat është paraqitur qartë për të gjithë ata që ende kishin dilema. Vazhdojmë me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila është shpëtimi i vetëm për një Kosovë më të mirë”, ka përfunduar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku për gazetën “Bota sot”.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi: Tentativë e të “rebeluarve” të bëjnë një FER të ri

Njohësi i çështjeve politike, Jeton Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se zhvillimet e fundit në Lëvizjen Vetëvendosje janë vazhdimësi e politikës shqiptare në Kosovë.

Sipas Kelmendit, ngjarje të tille në të kaluarën kishin përjetuar edhe partitë e tjera.

“Mendoj edhe siç e kemi parë në këto javët e fundi, pra që po ndodh me partinë më të madhe politike në vend, sigurisht që është një pjese e vazhdimësi politike shqiptare në Kosovë, ku secila nga partitë tani më kanë përjetuar tronditje dhe ndarje. Duke filluar nga Lidhja Demokratike e Kosovës  e cila u nda në Kuvendin e karrigeve dhe humbi primatin. Pastaj kemi pasur edhe ndarjen edhe Partisë Demokratike të Kosovës, pra një copë e PDK-së, copë që tani është Nisma Socialdemokrate, kemi pasur ndarje të tilla në Aleancën e familjes Haradinaj, ku shumë personalitete janë ndarë, të cilët nuk kanë krijuar grupe të reja por që vetëm janë larguar. Së fundi Lëvizja Vetëvendosje është vazhdimësi e kësaj politike e mospajtimit të brendshëm dhe sigurisht dëshmon për gjendjen e mjerueshme të partive politike në Kosovë”, tha njohësi i çështjeve politike në vend”, tha Kelmendi.

Ndërsa, për kryetarin e Prishtinës, Kelmendi thotë se që nga momenti kur është futur në Lëvizjen Vetëvendosje është futur me hile dhe për qëllime të caktuara.

Analisti politik konsideron se tentativë e të rebeluarve është që të bëjnë një FER, që sipas tij, në të ardhëm të futet në një koalicionin zgjedhorë me partinë e familjes Haradinaj, ndoshta edhe me partinë e familjes së Pacollit.

“Shpend Ahmeti që në momentin kur është futur aty është futur me hile dhe me qëllime të caktuara, por edhe është frikacak i madh, që s’ka guximin që t’i dal përballë Albin Kurtit, por që gjen Dardana dhe këso figurash kontroverse të shpërfillura. Por është e sigurt se me krijimin e një partie të re do të humbin primatin dhe kjo parti vështirë se do të kalojë 5 për qind. Pak a shumë ne e kemi parë se Ahmeti dikur kishte fituar vetëm 3.5 për qind, me ish partinë e tij, FER-in. Tentativë e tyre të bëjnë një FER që kjo në të ardhëm të futet në një koalicionin zgjedhor me partinë e familjes Haradinaj, ndoshta edhe me partinë e familjes se Pacollit dhe së bashku të kenë një numër të caktuar, por assesi këto së bashku nuk do të jenë as partia e parë dhe assesi as e dyta, besoj që edhe e treta jo, sepse pavarësisht kësaj Lëvizja Vetëvendosje nën udhëheqjen e Albin Kurtit sërish do të jetë e fort dhe jam shumë i sigurt se nuk do ta dëmtojnë aq sa mendojnë Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ai.

Në fund Kelmendi ka komentuar edhe debatin e fundit publik mes dy deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilin thotë se Konjufca ishte korrektë në raport me opinion dhe votuesit.

“Një debat që tregon realitetin e brendshëm dhe nuk e di pse duhet vlerësuar. Dorën në zemër Dardan Molliqaj është një figurë tragjike dhe një kërkushi, thjesht nuk ia vlen as të merremi me të. Ndërkaq qasja e Glauk Konjufcës ishte shumë korrekte në raport me opinion dhe votuesit, natyrisht se është edhe interes i tij sepse është pjesë e strukturave të larta të partisë nën udhëheqjen e Albin Kurtit”, përfundoi njohësi i çështjeve politike, Jeton Kelmendi.

Image
Lirim Zorra

Zorra: Gjasat të mëdha për një parti të re

Ndërsa, analisti dhe ligjëruesi i kolegjit “ISPE”, Lirim Zorra, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se gjasat janë të mëdha që krahu i të pakënaqurve të VV-së të krijojnë një parti dhe një grup parlamentarë.

“Gjasat janë të mëdha që krahu Ymeri - Molliqaj të krijojnë një parti dhe një grup parlamentarë, duke e parë që nuk ka afrime me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin”, tha ai.

Sipas Zorrës, tani është çështje kalkulimesh se sa deputetë mund t’i kenë, dhe a mund të kalojnë pragun e nevojshëm, e që është 5 për qind.

“Sigurisht tani janë kalkulimet se sa deputetë mund t’i kenë edhe a mund vërtet ta kalojnë pragun 5për qind, sepse shtrirja e strukturave të reja sigurisht që është një sfidë dhe shembulli më i mirë është Alternativa e Kusari-Lilës dhe Ilir Dedës”,

Ai thotë se pozicioni i kryetarit të Prishtinës është i paqartë. Sipas tij, Ahmeti po shpreson në një unitet në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Sa i përket Shpend Ahmetit ende është e paqartë pozicioni i tij sepse po shpreson në një unitet të të dy krahëve. Ahmeti më të dy krahët ka bashkëpunim dhe po ashtu do ta analizojë përfitimet e veta për një post kryetari në secilin krah sepse një kalkulim i keq mund të nxjerrë si nga pozita e kryetarit të Komunës, po ashtu edhe si pretendent i dobët për kryeministër në të ardhmen. Fillimi i majit besoj se do të sqarojë përfundimisht kahjen e grupit “rebel” të Lëvizjes Vetëvendosje”, përfundoi Lirim Zorra për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat