Demarkacioni i Ramushit, teposhtëza e Vetëvendosjes dhe shteti i nëpërkëmbur - Bota Sot
Demarkacioni i Ramushit, teposhtëza e Vetëvendosjes dhe shteti i nëpërkëmbur

Politika

E premte, 22 qershor 2018

Demarkacioni i Ramushit, teposhtëza e Vetëvendosjes dhe shteti i nëpërkëmbur

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 8 mars 2018 Në ora: 06:15
Ramush Haradinaj me deputetët e Vetëvendosjes

Marsi i lavdisë, sikurse edhe herëve të tjera, nuk e gjeti të qetë skenën politike në Kosovë. Në 20 vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari, thirrja për unitet ishte më e duhura dhe më e nevojshmja.

Kosova dhe shoqëria e Kosovës, është dirigjuar nga veprimet e partive politike. Sapo ndezin televizorin, qytetarët përballen me deklarata të ndryshme politike, me lajme e me debate të ndryshme të cilat patjetër duhet të jenë të lidhura me politikën. Miratimi i marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, është bërë preokupimi kryesorë i qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje u hapë rrugë atyre, që të udhëtojnë pa viza nëpër vendet evropiane. I drejtë apo i padrejtë, ky është një kusht që duhet të plotësohet.

Dëshira kaq e madhe për udhëtim jashtë, tregon më së miri gjendjen, të cilën Kosovës ia solli e njëjta klasë politike për vite me radhë.  

Në anën tjetër, politikanët vazhdojnë të mos mendojnë më larg se sa tek interesi i tyre, që nuk është  e mira e qytetarëve e as mbarëvajtja e shtetit. Marrëveshja për Demarkacionin po e mbanë peng shtetin dhe qytetarët. As tentimet e fundit të partive politike nuk i dhanë zgjidhje kësaj çështjeje. Të njëjtat vetëm sa e kanë rritur problemin. Fakti se asnjëra palë nuk lëshon pe tregon se zgjedhjet nuk janë edhe larg.

PDK me “Dekadën e rinisë” e LDK me platformë qeverisëse, po tregojnë se qytetarët shumë shpejt do t`i nënshtrohen procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Kryeministri aktual Ramush Haradinaj, në këtë mes duket se ka mbetur i vetëm. Qëndrimet e tij lidhur me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, por edhe vendimet e njëpasnjëshme që hasën në kundërshtime të mëdha, tregojnë se Qeverisja e tij mund të përfundojë pa mandat të plotë.

Një fund sikurse i Isa Mustafës vitin e kaluar, po i “këndohet” edhe Ramush Haradinajt. Ëndrra e tij për të qenë Kryeministër, mund të mos zgjas, duke marrë parasysh se koalicioni  i madh nuk i ka numrat për votimin e Demarkacionit me Malin e Zi, me gjithë ndryshimet që i`u bënë marrëveshjes.     

Numrat për Demarkacionin nuk i kishte as LDK në krye me Isa Mustafën, gjë që bëri që ajo të bie nga pushteti.

Gjithë kjo situatë, na tregon se vendi po vazhdon të pengohet nga interesat individuale. As Lëvizja Vetëvendosje nuk qëndron në avantazh sa i përket raportit me qytetarët. Dorëheqja e Kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, dëshmon se ky subjekt politik, e cila në zgjedhjet qershorit u doli i dyti, tashmë ka marrë teposhtëzen. Se si do të rrjedhin gjërat, mbetet të shihet javën e ardhshme, kur edhe pritet që përfundimisht t`i jepet epilogu Demarkacionit.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test