Ekskluzive: Familja e Selman Binishit flet pas lirimit të Fatmir Limajt nga aktakuza

Politika

Ekskluzive: Familja e Selman Binishit flet pas lirimit të Fatmir Limajt nga aktakuza

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 12 mars 2018 Në ora: 15:39
Fatmir Limaj, Nuhi Binishi dhe komunikata e UÇK-së

Fatmir Limaj, me 9 mars, është liruar nga akuza për përgjegjësi komanduese në rastin e njohur si “Bellanica” për vrasjen e dy civilëve, Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi.

Trupi gjykues, në vërtetimin e vendimit të vet ka thënë se në rastin konkret nuk është vërtetuar se kush ishin personat që kishin privuar nga jeta të ndjerët Ramiz Hoxha dhe Sleman Binishi, pasi të njëjtit kanë qenë të maskuar.

Limaj në fjalën e tij përfundimtare, shprehu keqardhjen për familjet e dy të vrarëve që tha se pavarësisht odisejadës që përjetuan, nuk arritën ta kuptojnë nga ky gjykim kush i kishte kryer vrasjet.

E lidhur me rastin, vëllai i të ndjerit, Nuhi Binishi, përkundër vendimit të Gjykatës thotë se nuk do të ndalen, deri sa e vërteta të del në shesh.

Binishi në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se nuk dëshiron të komentojë vendimin e Gjykatës Themelore.

Image
Nuhi Binishi

“Vendimi i Gjykatës është vendim i tyre, por, ne nuk do të ndalemi, deri sa e vërteta të dal në shesh, lidhur me dorasit dhe shkakun e vrasjes”, tha Binishi.

Sipas Nuhiut, së paku nga vendimi  i fundit i Gjykatës Themelore të Gjakovës, ka dal që vëllai i tyre nuk është vrarë si kolaboracionist (tradhtar), ashtu siç ishte shkruar në komunikatën  e UÇK-së, e cila ishte gjetur pranë trupave të të vrarëve në Kërvasari të Malishevës.

“Së paku nga ky vendim ka dal që vëllai ynë nuk është vrarë si kolaboracionist. Këtë e ka dëshmuar edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata rreth kësaj çështje kanë deklaruar  se nuk dinë asgjë, të njëjtën gjë e deklaruan  edhe për komunikatën e shkruar”, ka përfunduar vëllai i të ndjerit, Nuhi Binishi për gazetën “Bota sot”.

Tashmë dihet se menjëherë pas vrasjes ishte publikuar edhe një komunikatë në emër të Drejtorisë së Policisë Ushtarake, e cila kishte marrë përgjegjësinë për  vrasjen e Ramiz Hoxhës e Sleman Binishit.

Ndërsa, kujtojmë se Fatmir Limaj akuzohej për vrasjen e dy civilëve, të vrarë në Kërvasari të Malishevës, më 2 tetor 1998.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat