LDK i druhet pazarit të Qeverisë me Listën serbe për Demarkacionin

Politika

LDK i druhet pazarit të Qeverisë me Listën serbe për Demarkacionin

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 mars 2018 Në ora: 20:19
Kuvendi i Kosovës

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli,  kryetar, është mbledhur të enjten në orët e pasdites, së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare.

Kryesia vendosi që vazhdimi i seancës plenare për shqyrtimin e Projektligjit nr. 06/L-060 për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet të martën, më 20 mars 2018, në orën 16:00.  Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shprehur besimin se përfundimisht çështja e demarkacionit do të marrë fund më 20 mars.

Kësisoj, java e ardhshme do të jetë vendimtare për fatin e mëtejmë të vazhdimësisë së koalicionit  PANA dhe qeverisë Haradinaj. 

Demarkacioni po i rri kësaj qeverisje, si pesha më e rëndë mbi kurriz nga e cila edhe rrezikon të rrëzohet.

Hoti: Çdo ditë në pushtet e kësaj qeverie nënkupton më shumë izolim ndërkombëtar

Image
Avdullah Hoti

Avdullah Hoti, kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë për “Bota sot” se ka thënë se LDK, do të përcjell me kujdes se çfarë pazaresh po bën Qeveria me Listën Serbe për të marrë përkrahjen e tyre.

“Nuk do të pranojmë kurrfarë kompromisi në dëm të interesave të vendit. Sa më parë që shkojmë në zgjedhje, është më mirë për qytetarët e Kosovës. Çdo ditë në pushtet e kësaj qeverie nënkupton më shumë izolim ndërkombëtar, më shumë taksa të falura dhe të humbura, më shumë buxhet i keqpërdorur. Andaj mund të them se zgjedhjet e reja janë të domosdoshme”, ka thënë Hoti. 

Duke folur rreth kësaj çështje, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Drita Millaku, ka thënë se situata në Kosovë është tejet e rëndë dhe ka arritur të jetë e padurueshme për masat e gjera ku është prekur secili qytetar i Kosovës.

Sipas Millakut, në Kosovë nuk ka zhvillime pozitive dhe fatkeqësisht nga kjo monotoni është  mbytur jo vetëm e tashmja por edhe shpresa për një të ardhme të mirë.

Image
Drita Millaku

“Qëllim i SHIK-ut u realizua dhe mbeti në pushtet me qëllim të mbulimit të të bëmave të veta që vetëm në interes të qytetarit dhe të Kosovës nuk shkojnë. Fillimisht shumica parlamentare që në fillimet e saja u pa se ishte e brishtë dhe e kontrabanduar. Pra nuk ishte themeluar në baza konvencionale por për të ngopur egot personale dhe krejt ky qëllim bazë kishte shpëtimin e SHIK-ut nga rrëshqitja”, ka thënë Millaku.

Millaku: Klima e krijuar është e pashpresë

Ajo mes tjerash ka theksuar se qëllim i SHIK-ut u realizua dhe mbeti në pushtet me qëllim të mbulimit të bëmave të veta që vetëm në interes të qytetarit dhe të Kosovës nuk shkojnë.

“Situata në Kosovë është tejet e rëndë dhe ka arritur të jetë e padurueshme për masat e gjera ku është prekur secili qytetar i Kosovës, madje  nuk ka as zhvillime pozitive dhe është mbytur jo vetëm e tashmja por edhe shpresa për një të ardhme të mirë. Kjo qeveri po e konsumon jo vetëm buxhetin por ajo po gërmon edhe të ardhmen e këtij populli. Asnjë, vendim i saj nuk është në të mirë të popullit. Pra, klima e krijuar është e pashpresë dhe duhet që në orët e para të rrëzohet kjo qeveri”,  ka thënë deputetja Millaku.

Image
Mentor Tahiri

Politologu Mentor Tahiri, ka potencuar se në kushte kur nuk dihet saktësisht se cili është aranzhimi me Listën Serbe në këtë drejtim, e as nuk dihet cilat janë kompromiset eventuale ndaj saj, nuk mund të pritet bashkëpunim me partitë opozitare.

“Braktisja e seancës të martën tregon se jeta parlamentare në vend mund të merr përmasa shumë më të ashpra, deri të bllokimi i tërësishëm i punimeve të Parlamentit. Aq më tepër Kuvendi ende nuk është ballafaquar me tema edhe më të ndërlikuara si formimi i Ushtrisë dhe çështje të ndërlidhura me funksionalizimin e Asociacionit. Duket se kjo shumicë parlamentare, respektivisht kjo qeveri, është e pafuqishme në këtë drejtim”, është shprehur politologu Tahiri.

Krasniqi: Demarkacioni do ta rrëzojë Qeverinë

Image
Faik Krasniqi

Politologu Faik Krasniqi, ka thënë se çështja e Demarkacionit rrëzoi edhe Qeverinë Mustafa dhe se kjo çështje ka rrezik ta rrëzojë çdo Qeveri, përfshirë edhe Qeverinë Haradinaj.

Sipas tij, mbijetesa e çdo Qeverie varet nga kalkulimet e PDK-së.

“Nëse PDK-së i leverdis që vendi tash të shkojë në zgjedhje, gjë që nuk i leverdis fare, atëherë ajo vetë e rrëzon Qeverinë. Zgjedhjet nuk janë zgjidhje, sepse edhe opozita nuk është duke dalluar shumë me partitë në pushtet, dhe nuk do të ofronin asnjë zgjidhje për vendin dhe qytetarët e këtij vendi. Njëkohësisht do të ishte e pamend nga ana e opozitës që të kërkonin të shkohet në zgjedhje pa u zgjidhur çështja e Demarkacionit, apo opozita kanë vendosur që bashkë me partitë e pozitës t'i mbajnë peng qytetarët e Kosovës me këtë çështje, kurse në anën tjetër për vetën dhe familjarët e tyre përveç pasaportave diplomatike kanë edhe pasaporta të shteteve të tjera, në mënyrë që të lëvizin lirshëm në shtetet e BE-së”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Nga ana tjetër, analisti politik Blerim Burjani, ka thënë se Kuvendi po ballafaqohet me funksionalitet, duke përcjellë dështimet e vazhdueshme.

Image
Blerim Burjani

“Ky koalicion ose duhet të dorëhiqet ose të shkarkohet ose të shkarkohet edhe pse ky njeri vet nuk jep kurrë dorëheqje se nuk e din çfarë do të thotë akti i dorëheqjes e as të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Marrja me këtë koalicion është e kotë, sepse ky koalicion nuk funksionon. Andaj kam thënë edhe më herët se nuk ka nevojë që Kosova të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak të temave që kishin shpikur në atë kohë partitë opozitare si çështja e demarkacionit”, ka thënë Burjani. 

Burjani: Kosova është duke shkuar në rrugë qorre

Ai ka thënë, se kjo po vërteton se zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme ishin drejtuar kundër LDK-së por opozita e atëhershme kishte dëshirë dhe vullnet të vij vet në pushtet.

“Tash po ndodhë njëjtë ajo që kam thënë shumë më herët në vitin 2014, se Kosova është duke shkuar në rrugë qorre, pasi lufta për pushtet dhe pasurimi pa bazë është më i madh se përparimi i shtetit. Dhe pikërisht këto gjëra e kanë pru Kosovën këtu ku është pa shpresë pa zgjidhje dhe pa asgjë. Skandalet e pandalshme të kësaj Qeverie po bëjnë dëme edhe në politikën e jashtë të Kosovës edhe në anëtarësim në organizatat e disa organizatave si EQUAR duke e përjashtuar kështu Kosovën nga cilësia, E tani pritet që edhe EQAR ta përjashtojë arsimin e Kosovës. Kështu mos të presin si PAN sepse ky është sugjerimi i tyre që prishni këtë qeveri analfabetike përndryshe janë duke i bërë dëme shumë të mëdha shtetit të Kosovës”, ka thënë analisti politik Blerim Burjani.

Kosovës nuk i duhet kjo qeveri

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, duke folur rreth kësaj çështje ka thënë se nëse veç flasim për stabilitet politik dhe shoqëror, zgjedhjet e shpeshta nuk janë të favorshme në këtë aspekt.

“Një Qeveri fragjile, si kjo e Haradinaj, nuk i duhet asnjë vendi, pasi krijon jo stabilitet dhe regres në proceset e rëndësishme të vendit. E nëse kjo qeveri nuk është në gjendje që të kalojë demarkacionin në emër të së cilës edhe erdhi në pushtet, nuk ka asnjë arsyeje që të vazhdojë më tutje dhe të qëndrojë në pushtet duke treguar përralla”, ka thënë analisti politik Mehmeti

Ai ka thënë se kjo qeveri çdo ditë e më tepër po braktiset edhe nga anëtarë të ndryshëm të koalicionit qeverisës, të cilët po e shohin se kjo qeveri nuk po ecën tutje.

“Pikërisht si rezultat i kësaj kjo qeveri po krijon situata anemike. Kosovës nuk i duhet kjo qeveri, andaj edhe besoj se kjo qeveri nuk do të shkojë gjatë edhe nëse kalon demarkacioni. Kjo qeveri është e destinuar për të dështuar, dhe dështimet do i sjellin fundin e saj shumë shpejt”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat