Slogani i PDK-së, sinjali i parë për zgjedhje të reja?

Politika

Slogani i PDK-së, sinjali i parë për zgjedhje të reja?

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 17 mars 2018 Në ora: 12:16
PDK, ilustrim

“Pas dështimeve të një pas njëshme të kësaj qeverie e cila u krijua me zinxhirin e dy apo tri partive politike të cilat e kanë uzurpuar shtetin që nga viti 1999, po shkon drejt shkatërrimit, pra kjo qeveri nuk do të ketë jetë të gjatë, dhe mendoj se elektorati shqiptarë, për herë të parë do t’i dënoj ashpër këtë krah politik  i cili për këto vite e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje të mjerueshme që jemi sot. Por për fat të mirë shihet që ka lëvizje pozitive nga krahu i djathë politik në Kosovë, ku po shihet që LDK-ja po reformohet”, është shprehur Gazmend Islami.

Para mbajtjes së zgjedhjeve të fundit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kishte filluar fushatën e tij, nën sloganin “Fillimi i Ri”. Por, ende pa filluar mirë, ky mision i Kadri Veselit dështoi, ai “stafetën” e dorëzoi tek Ramush Haradinaj, të cilit ia ofroi postin e kryeministrit.

“Fillimi i Ri”, ishte parulla zgjedhore në zgjedhjet nacionale të mbajtura në qershorin e vitit të shkuar, ku PDK-ja e udhëhequr nga Kadri Veseli, kishte dalë e treta në rang kombëtar.

Ndërsa, tash, përsëri Veseli ka nisur një mision të ri.  Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, kishte mbledhur në Prishtinë të rinjtë e PDK-së si një pikënisje të procesit të brendshëm zgjedhor. Nën sloganin “Dekada e Re”, si moto si moto të PDK-së, Veseli tha se ajo ngërthen në vetë shumë angazhime.

“Dekada e Dytë e Pavarësisë së Kosovës do të jetë dekada e të rinjve. Dekada e lidershipit të tyre në sfidat e zhvillimit ekonomik, fuqizimit të demokracisë dhe përshpejtimit të agjendës së integrimit euro-atlantik. Ky është koncepti dhe vizioni i ri i Partisë Demokratike për të rinjtë e Kosovës. Ne synojmë një qasje plotësisht të re në përfshirjen e të rinjve në politikë, duke ruajtur njëkohësisht traditën e mirë që kemi ndërtuar si parti në krijimin e hapësirës politike për angazhimin e të rinjve. Rinia do të jetë mekanizmi kryesor i ndryshimit të partisë dhe të vendit”, tha ai.

Ky slogan i ri i PDK-së, ka ngjallur reagime te opinioni në përgjithësi, duke hedhur dyshime se PDK-ja po përgatitet për zgjedhje të reja.

E lidhur me këtë, kanë folur për “Bota sot”  politikanë dhe njohës të çështjeve politike dhe juridike.

Image
Gazmend Islami

Koalicioni drejt shkatërrimit

Kryetari i Ballit Kombëtar për Kosovë, Gazmend Islami, ka thënë për “Bota sot” se ky koalicion uzurpues po shkon drejt shkatërrimit dhe mendon se elektorati shqiptar për herë të parë do t’i ndëshkojë ashpër këtë krah politik.

“Pas dështimeve të një pas njëshme të kësaj qeverie e cila u krijua me zinxhirin e dy apo tri partive politike të cilat e kanë uzurpuar shtetin që nga viti 1999, po shkon drejt shkatërrimit, pra kjo qeveri nuk do të ketë jetë të gjatë, dhe mendoj se elektorati shqiptarë, për herë të parë do t’i dënoj ashpër këtë krah politik  i cili për këto vite e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje të mjerueshme që jemi sot. Por për fat të mirë shihet që ka lëvizje pozitive nga krahu i djathë politik në Kosovë, ku po shihet që LDK-ja po reformohet”, është shprehur Islami.

Ai ka thënë se PDK-ja dhe AAK-ja do të dështojnë në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që mbahen ato.

Mundësia e zgjedhjeve të reja

Ndërkaq profesori universitar dhe njohës i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, ka deklaruar se bazuar në çështjet juridike, qeveria aktuale mund të shkojë në zgjedhje nëse nuk i ka votat e duhura, apo ndonjë partner qeverisës nuk është i kënaqur me situatën në vend.

Image
Muhamet Kelmendi

“Çështja e zgjedhjeve të reja, natyrisht që është një çështje të cilën ligji nuk e përjashton, kjo është e përcaktuar me kushtetutën e Kosovës që zgjedhjet e reja në qoftë se koalicioni qeverisës nuk i ka votat, apo ndonjë partner qeverisës nuk është i kënaqur me situatën, atëherë në momentin e tillë ka qasa që vendi të shkojë në zgjedhje. Natyrisht që një çështje të tillë mund ta bëjë edhe opozita me kërkesë të saj, e nëse i ka votat e mjaftueshme, atëherë Kuvendi mund të shpërbëhet dhe sipas ligjit ku ka përcaktuar 45 ditë për tu mbajtur zgjedhjet e reja”, thotë ai.

Kelmendi mendon se PDK-së nuk i konvenon që të shkojë në zgjedhje, pasi dihet se herën e kaluar dështoi si parti ku mori shumë pak vota. Ai mendon se se ky koalicion qeverisës, është bërë që të fitohet kohë që PDK-ja të forcohet nga brenda si parti, dhe t’i dobësoj të tjerat.

“Kuptohet që në këtë drejtim jeta e qeverisë aktuale varet shumë nga PDK-ja dhe e cila mundet me forma të ndryshme ta dërgoj vendit ne zgjedhje të reja, por nuk e di sa i konvenon PDK-së që të shkojë në zgjedhje të reja, për arsye se nga zgjedhjet e fundit nuk ka dal parti e fuqishme dhe me zgjedhjet e reja, nga ajo që shihet në terren, ka ç’rregullime edhe në këtë parti që mund të ndikojë në votat e saj. PDK-ja edhe pse ka dalë me parullën “dekada e re”, mendoj se kjo është për shkak se kjo parti tenton të dal me një vizion të ri dhe të bëhen të jashtëzakonshëm. PDK-ja do të shikojë zhvillimet e ardhshme politike dhe do të përpiqet ta forcojë partinë, dhe tek atëherë mendoj se PDK-ja do ta prishë koalicionin dhe kjo ka qenë e qartë që nga fillimi se ky koalicion është bërë për të fituar kohë në drejtim të forcimit dhe unitetit të partisë, e t’i zhvesh partitë e tjera në skenën politike”, u shpreh Kelmendi.

Image
Nexhat Haziri

“Indikativë për zgjedhje të reja”

Ndërsa analisti politik, Nexhat Haziri, thotë se kjo është indikativë e PDK-së, që përmes këtyre sloganeve, t’i paralajmëron partitë e tjera dhe qytetarët, që vendi mund të ketë zgjedhje të reja.

“ Është indikativë qe përmes këtyre sloganeve, PDK-ja shfaq ambicien e rikthimit në pushtet, edhe atëherë kur është pjesë e pushtetit, por jo të plotë siç e dëshiron. Dhe natyrisht përmes nxjerrjes së sloganeve ajo paralajmëron edhe partnerët e saj për një mundësi rrëzimi të qeverisë dhe shkuarjes në zgjedhje. Këtë metodë e përdorën kur e rrezuan qeverinë Mustafa me "Fillimin e Ri", ndërsa tani po synojnë rrëzimin e qeverisë Haradinaj me sloganin "Dekada e re". Pra po paralajmërohet se Kosova së shpejti mund të futet në një proces të parakohshëm zgjedhor”, theksoi ai.

Haziri shtoi se qytetarët nuk mashtrohen lehtë nga slogane të tjera.

“Një gjë është e sigurt, qytetarët nuk mashtrohen më me slogane të tilla, pasi ato janë vetëm fasade që fshehin të këqijat që ua sollën Kosovës lansuesit e sloganeve të tilla”, përfundoi Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat