Kërkoni falje Isa Mustafës!

Politika

Kërkoni falje Isa Mustafës!

Nga: Mimozë Lakna Më: 21 mars 2018 Në ora: 11:32
Isa Mustafa

Ka dështuar për të katërtën herë votimi i marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Seanca e së enjtes, e cila ka nisur rreth orës 16, është karakterizuar me retoriken boshe të deputetëve dhe krerëve të shtetit, të cilët nuk arritën ta ofrojnë zgjidhjen e shumëpritur të qytetarëve të Kosovës.

Mbi 8 orë të vlefshme për jetën e tyre, qytetarët e Kosovës i kanë humbur duke dëgjuar fjalimet e deputetëve, të cilat i kishin dëgjuar qindra herë më parë.

Ata shfrytëzuan të drejtën e tyre parlamentare për tu treguar qytetarëve se sa mirë apo edhe sa keq është votimi i marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Por, kujtojmë se janë pikërisht këta deputetë, kjo klasë politike, të cilët ia humbën tre vite qytetarëve të Kosovës, duke përdorur demarkacionin si kauzë e duke mos ofruar asnjë zgjidhje për kauzën e tyre.

Situata është e ngjashme, sikurse në kohën kur Isa Mustafa ishte Kryeministër i vendit. Diferencën e bën vetëm marrëveshja ndërmjet dy Presidentëve, e cila edhe më tutje vazhdon të ketë paqartësi për efektin juridik.

Kësisoj, marrëveshja e nënshkruar nga ish Ministri i Jashtëm, tani Presidenti Thaçi, në vitin 2015, do të miratohet nga Qeverisja Haradinaj, dhe kundërshtuesi i saj më i madh Ramush Haradinaj.

Ata që dikur kundërshtuan Isa Mustafën, duke mos zgjedhur mjete të kundërshtimit, sot do të duhej t`i kërkonin falje dhe t`i thonë se kishte pasur të drejtë në të gjitha qëndrimet e tij.

Në fakt, ish Kryeministrit Isa Mustafa do të duhej t`i kërkohej falje edhe për shumë gjëra të tjera.

Në seancën e së enjtes, Lëvizja Vetëvendosje, nuk hodhi gaz lotsjellës sikurse që hidhte kur Isa Mustafa tentonte ta sillte marrëveshjen për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.

Mustafa sulmohej me gaz lotsjellës, sulmohej në shtëpi, sulmohej në rrugë e sulmohej kudo. Brenda një viti siguria në Kuvend qenka avancuar aq shumë, sa që të detektohet me lehtësi gazi lotsjellës, apo në realitet nuk kishte fare gaz lotsjellës.

Ende nuk dihet nëse kishte ndonjë “pakt” sekret ndërmjet hedhësve të gazit lotsjellës dhe atyre që lejuan hedhjen e tij. Historia do ta zbulojë gjithsesi.

Në histori, do të shkruhet edhe për tri vitet e humbura të qytetarëve të Kosovës, për një kauzë patriotike që në fund nxori qëllimin e saj krejtësisht politik- pushtetin.

Politik sepse marrëveshja e Presidentëve është ndërkombëtare dhe siç e thamë më lart vështirë se mund të ketë efekt juridik.

Çakorri, Kulla, Bjelluha, Zhlepi do të mbesin në histori si tokat që premtoi por nuk arriti t`ia kthejë Kosovës, Ramush Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat