Rasti Dehari trazon drejtësinë dhe politikën, kërkohet dorëheqja e përgjegjësve

Politika

Rasti Dehari trazon drejtësinë dhe politikën, kërkohet dorëheqja e përgjegjësve

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 22 mars 2018 Në ora: 12:49
Përleshja fizike në Kuvendin e Kosovës

Interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj e thirrur me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për rastin e vdekjes së Astrit Deharit, është shndërruar në arenë akuzash ndërmjet deputetëve të kësaj partie dhe atyre të Partisë Demokratike të Kosovës.

Derisa në foltoren e Kuvendi po mbante fjalimin e saj ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha, (ish-ministre e Drejtësisë), deputetët e VV-së kanë nisur të bëjnë zhurmë e brohoritje, duke rrahur tavolinat e duke e quajtur Hoxhën “kriminele”.

E gjithë kjo gati ka pasuar me përleshje fizike mes deputetëve të të dyja partive.

Në lidhje me këto skena, njohësit e zhvillimeve politike, konsiderojnë se koalicioni qeveritar me kauza të tilla politike, po tërheq vëmendjen e opinionit nga shumë procese, të cilat po e mbajnë në ngërç perspektivën e Kosovës.

Image
Ali Lajçi

VV: Dikush duhet të dorëhiqet për rastin Dehari

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, këmbëngul që dikush duhet të dorëhiqet për shkak të vdekjes në burg të aktivistit të saj, Astrit Dehari.

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e VV-së Ali Lajçi, ka thënë se në burg Dehari është dashur të kishte siguri jetësore, por, sipas tij, në Kosovë, nuk ushtron përgjegjësi asnjë institucion.

Ai ka treguar se e gjitha “lufta” në Kuvend, ishte që dikush të jepte dorëheqje.

“Për ne në Kosovë, në vija institucionale, në vija të përfaqësimit të institucioneve, nuk është ushtruar institucioni i përgjegjësisë dhe në këtë rast, nuk ishte fjala që Astrit Dehari që është i Vetëvendosjes, i PDK-së, LDK-së apo i ndonjë partie tjetër, ishte fjala për një të ri që ka vdekur në burgun e Republikës së Kosovës, ku është dashur ta kishte sigurinë jetësore dhe në këtë rast, është dashur dikush të jepte përgjegjësi, të jepte dorëheqje. Prandaj, është përgjegjës, sepse dihet kush i ka institucionet në dorë dhe në këtë rast nuk po ushtrohet institucioni i përgjegjësisë, nuk po lirohen postet, që të japin një mësim të mirë se në Kosovë ka moral institucional, shtetëror. Kjo është ajo pjesa, këtu ishte lufta”, është shprehur Lajçi.

Ai ka thënë se në rastin e Deharit, janë thyer të gjitha normat jurdike dhe ligjore dhe se vrasja e tij është politike.

“Dehari faktikisht ka qëndruar në burg edhe pa aktakuzë, që nuk është e lejuar proceduralisht dhe janë thyer të gjitha normat juridike, ligjore edhe me hetime, edhe në procedurë, dhe pastaj njeriu ka vdekur në burg. Vdekja e tij është politike. Çfarë, si e kur, është dashur që për këto të përgjigjet sistemi ligjor. Por askush nuk donë në Kosovë me dhënë dorëheqje. Edhe kur humbin 500 milionë, edhe kur humbin 30 milionë, edhe kur vriten njerëzit, nuk jep askush përgjegjësi, prandaj shteti është në rrezik në funksionim të tij”, ka theksuar deputeti i Vetëvendosjes.

Image
Bajram Gecaj

LDK: VV e PDK, në të njëjtin “thes”

Ndërkaq, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Bajram Gecaj, vlerëson se përleshja mes deputetëve të VV-së dhe PDK-së, tregon primitivizmin e këtyre dy subjekteve politike.

Ai ka thënë, se po vërtetohet se të dyja këto parti janë e të “njëjtit thes”.

“Kjo vërteton primitivizmin e këtyre dy subjekteve politike. PDK kishte shpresuar se dalja në skenë e LVV-së, do tua hiqte epitetin e subjektit radikal, por përleshja e fundit vërteton se të dyja hyjnë në të njëjtin “thes””, ka thënë Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Image
Jeton Kelmendi

Lufta për pushtet

E njohësi i zhvillimeve politike Jeton Kelmendi, ka thënë se në Kosovë më së shumti luftë për “kapje” të pushtetit, bëjnë AAK-ja dhe PDK-ja.

Ai ka treguar edhe dallimin mes VV-së dhe PDK-së, duke theksuar se të dyja janë parti të majta.

“Mendoj se luftë për pushtet bëjnë shumica e partive politike, por kryesisht janë dy parti të sëmura për pushtet, Aleanca e familjes Haradinaj dhe Partia e Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, parti që nuk kanë asnjë lloj sensi politik, me çdo kusht duan të kapin pushtetin. Nga ana tjetër, kemi tentime militanteze të Lëvizjes Vetëvendosje që u ndeshën në mes vete. Unë mendoj se Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, janë parti të majta, dallimi i vetëm në mes tyre është se ideologjia, e cila është shndërruar në VV. Ndërkaq, PDK-ja e mbetur jashtë atyre idealistëve, janë PDK-ja materialiste, të cilët e kanë materializuar e kanë vjedhur dhe plaçkitur popullin”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka theksuar se krahu ideologjik i Albin Kurtit, nuk është i korruptuar, por problemi i tij qëndron tek ideologjia, derisa PDK ka vetëm interes.

“Nuk mendoj se krahu ideologjik i Albin Kurtit, janë të korruptuar, por problemi i tyre është ideologjia. Përkundër kësaj, Kadri Veseli nuk ka ideologji, por ka vetëm interes. Njësoj do të mendoja edhe për Fatmir Limajn, Ramush Haradinajn. Pra, interesi i tyre, janë paratë dhe pushteti”, ka shtuar Jeton Kelmendi, për gazetën “Bota sot”.

Image
Nexhat Haziri

Ikja nga proceset që po e mbajnë peng Kosovën

Ndërkaq, analisti politik Nexhat Haziri, mendon se përplasja mes VV-së dhe PDK-së, është pasojë e dështimit të sistemit të drejtësisë.

“Me vendimet e fundit të drejtësisë në Kosovë, si në rastin Limaj, po ashtu edhe në rastin e Azem Sylës, është vënë në pikëpyetje kredibiliteti i drejtësisë në Kosovë, edhe ashtu të brishtë dhe i ndikuar politikisht. Rasti Dehari, që përplasi dy subjektet politike në Kuvend, VV-në dhe PDK-në, është pasojë e këtij sistemi të drejtësisë”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se vdekja e Deharit po përdoret për qëllime elektorale dhe mjet për të ardhur në pushtet, duke theksuar se edhe koalicioni qeverisës PANA-Lista serbe, po tërheq vëmendjen  nga procese të mëdha, përmes këtyre kauzave politike.

“Kur kjo e fundit dështoi, atëherë lihet hapësirë që këto raste të politizohen dhe jetët e njerëzve, qofshin edhe këta të vdekur përdorën për qëllime elektorale dhe si mjete për të ardhur në pushtet. Natyrisht se kauza të tilla politike, përpos që janë jo humane, ato edhe tërheqin vëmendjen e opinionit nga shumë procese, të cilat po e mbajnë në ngërç perspektivën e Kosovës dhe tërheqja e vëmendjes nga këto procese i konvenon vetëm koalicionit qeveritar PANA”, është shprehur Nexhat Haziri, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat