Jep dorëheqje, Ramush Haradinaj! Kërkesa kryesore pas miratimit të versionit Meha

Politika

Jep dorëheqje, Ramush Haradinaj! Kërkesa kryesore pas miratimit të versionit Meha

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 22 mars 2018 Në ora: 21:48
Ramush Haradinaj, Murat Meha

Miratimi i marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ka sjellë përplasje dhe reagime të shumta. Kjo, për shkak të mënyrës se si Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, ka trajtuar këtë kauzë, me të cilën erdhi në pozitën e kryeministrit të Kosovës.

Haradinaj, pas ardhjes në pushtet, menjëherë kishte filluar të shkelë mbi fjalët e tij, për të cilat një kohë në Kuvend bërtiste aq shumë dhe ishte aq kundër.

Ai “shfuqizoi”, raportin e Komisionit Shtetëror, të cilin e kishte emëruar vet, duke pranuar marrëveshjen e Presidentëve. Këtij raporti, në pajtim me partitë e tjera në koalicion dhe LDK-në Haradinaj i dha vetëm rol orientues.

Një ditë pas votimit të Demarkacionit me Malin e Zi, me ngulm u kërkua dorëheqja e Kryeministrit ose në mënyrën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme ta shkarkojë atë sapo ti jepet mundësia,njëjtë siç partitë kishin vepruar me Qeverinë Mustafa, kur kërkuan votë mosbesimi në Kuvend.

Lajçi: Kryeministri duhet të shkarkohet

Image
Ali Lajçi

Ali Lajçi deputet i Lëvizjes vetëvendosje ka thënë për “Bota sot” se Ramush Haradinaj ka votuar një marrëveshje e cila është kundërshtuar prej dhe partisë së tij dhe opozitës se atëhershme dhe i ka maskuar këto ndryshime.

“Të shohim se çfarë do të jetë por kryesisht esenciale është se ai ka votuar marrëveshjen e 2015-tës dhe ne tash vetëm kur na jepet rasti dhe do të mund ta demaskojmë idenë ë tij për demarkacionin. Ne do të shikojmë se a do të bëjmë mirë me shkarkimin e tij dhe kush do të vijë pas tij dhe a të vjen dikush që bënë ndryshime apo vinë të njëjtat avaze. Kryeministri duhet të shkarkohet por ne normalisht do ti shikojmë momentet më të përshtatshme dhe arritjen për shkarkim. Vetëvendosje është e gatshme që të kërkoj shkarkimin e Ramush Haradinaj, por normalisht se edhe do të shikohet se kush do të vjen dhe si do të rrjedhin gjërat sepse çështja e demarkacionit ka përfunduar. Kosova ka humb tokë dhe për ketë duhet të japin përgjegjësi” ka thënë Lajçi i cili edhe vazhdimisht ka qenë kundër faljes se tokës së Rugovës Malit të zi.

Gecaj: Kauzë për pushtet

Image
Bajram Gecaj

Kurse, zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, ka deklaruar se ishte keqpërdorur deri në ekstremin më primitiv marrëveshja e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, duke u shndërruar në njërën nga kauzat e tyre fiktive politike, kryekëput me qellim të marrjes së dhunshme të pushtetit.

”Na kishin thënë shprehimisht, dhe këtë madje edhe duke përdorur mënyra dhe metoda të papara deri atëherë të dhunës ndaj institucioneve legjitime të shtetit të Kosovës, se marrëveshja ishte jo e drejt dhe se Kosova “padiskutueshëm” humbiste mbi 8 mijë hektarë tokë! Kishin përsëritur këtë gënjeshtër për çdo ditë të Zotit. Në fund arritën të marrin pushtetin, krejt me metoda të palejueshme e korruptive të shantazhit dhe të kërcënimeve: edhe këtë herë, partia emblematike e pabesisë në skenën politike në Kosovë, PDK, u gjet pranë muskulozit Ramush, të cilin e kishte poshtëruar e sharë më shumë se çdo kënd tjetër në politikën kosovare. Pushteti i erdhi Ramushit jo për shkak të fuqisë së tij politike, apo muskujve që pak duhet të ndihmojnë në politikë, as për shkak se kishte një kauzë të drejtë dhe legjitime, por ekskluzivisht për shkak të rrenës dhe manipulimit të ndjenjave më sublime të qytetarit të Kosovës për çështjen e kufirit me Malin e Zi, e që u sajua nga hiqi”, shkruan Gecaj në një opinion.  

Ramush Haradinaj shkeli mbi gjakun e Shkëlzenit dhe Luanit

Image
Jeton Kelmendi

Kurse, analisti dhe publicisti Jeton Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Ramush Haradinaj duhet të jap dorëheqje menjëherë, sepse me ratifikimin e demarkacionit ai ka tradhtuar gjakun e vëllezërve të tij të vrarë për liri dhe gjithë elektoratin.

“Mendoj që Ramush Haradinaj nuk ka tradhtuar vetëm elektoratin e tij por në rastin e demarkacionit ai ka tradhtuar gjithë Kosovën. Mendoj, se sado pak të kishte Haradinaj një fije fytyre ai do duhet të dorë hiqej nga posti i kryeministrit, por edhe nga kreu i partisë se tij dhe për një marrëveshje të tillë që ka bërë në dëm të Kosovës ai nuk do të duhej më kurrë të merrej me politikë, sepse po dëshmohet se ai të gjitha i bëri vetëm për punë karrigeje dhe besoj se këtë nuk do t’ia fal as gjaku i Shkëlzenit dhe Luanit dëshmorëve të kombit që ai i ka vëllezër sepse ata nuk u sakrifikuan që ky të mbytej nëpër kolltukë të buta dhe të shet territore të vendit, sepse nëse ka dashur ashtu është dashur që para tri viteve ta ratifikoj marrëveshjen më Malin e zi e jo të beja kauza të rrejshme por edhe të dëmshme” ka thënë Jeton Kelmendi.

Tahiri: Opozita është aktualisht në kulmin e saj të përçarjes

Image
Mentor Tahiri

Në anën tjetër, sipas politologut Mentor Tahiri, me ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e zi, Kosova është liruar nga një barrë gati 3 vjeçare, e cila praktikisht mbante të bllokuar gjithë jetën politike të vendit.

“Demarkacioni impononte një diskurs politik brenda skenës politike, i cili vente në pozicion të parëndësishëm tema që kanë të bëjnë me përditshmërinë e qytetarit. Së këndejmi, pritet që skena politike e Kosovës të ketë më shumë përqendrim në tema të zhvillimit ekonomik të vendit, zbatimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit”, ka theksuar Tahiri.  

Mirëpo, Tahiri, thotë se një mocion mosbesimi për Qeverinë Haradinaj, nuk duket shumë e arritshëm për shkak se opozita është aktualisht në kulmin e saj të përçarjes.

“Me kalimin e ligjit për demarkacion, Qeveria gjithsesi gjendet në një pozitë më stabile, kurse pasojat e miratimit të këtij ligji do të jenë të mëvonshme elektorale, në kuptimin që herët a vonë opinioni do të kuptojë se nuk do të ketë kurrfarë revidimi të kufirit. Kufiri me Malin e zi, mbetet po ai që u nënshkrua në vitin 2015. Në këtë drejtim mund të ketë vetëm  ndryshime teknike minimale” ka thënë Tahiri për “Bota Sot”.

Ndryshe, zyra e për informim e Qeverisë së Kosovës, nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës lidhur me kritikat që i janë bërë Kryeministrit pas miratimit të Demarkacionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat