“Tradhtia ndaj vendit”, a e shkeli ligjin presidenti Thaçi për Demarkacionin

Politika

“Tradhtia ndaj vendit”, a e shkeli ligjin presidenti Thaçi për Demarkacionin

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 25 mars 2018 Në ora: 08:53
Hashim Thaçi

Në muaj më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pati nënshkruar një deklaratë të përbashkët me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, lidhur me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

Thaçi nga partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ishte quajtur tradhtar ndaj vendit.

Për këtë çështje, Lëvizja Vetëvendosje, përmes deputetes Albulena Haxhiu ka deponuar në Prokurorinë Speciale kallëzim penal kundër Thaçit për vepër penale "tradhti ndaj vendit". Lidhur me këtë çështje, “Bota sot” ka kontaktuar deputeten Haxhiu dhe zyrtarë të VV-së, por nuk ka marrë përgjigje se çfarë ka ndodhur me këtë padi.

Burjani: Të formohet Komisioni që të vërtetojë shkeljet

Image
Blerim Burjani

Ndërkohë, njohësi i çështjeve i çështjeve juridike, Blerim Burjani ka thënë për “Bota sot” se së pari duhet të formohet një komision parlamentar që të vërtetojë se a është bërë shkelje të kodit penal.

“Kjo nuk do të  ndodhë asnjëherë, së pari duhet të formohet një komision parlamentar që do të mund të vërtetonte këtë çështje, pra nuk gjë prej kësaj teme”, ka deklaruar ai për “Bota sot” .

Po ashtu, ai ka thënë se marrëveshjen e Thaçit me Vujanoviq për rishikimin e Demarkacionit, Parlamenti nuk e ka quajtur akt tradhtie dhe se kodi penal nuk ka mekanizëm që të konstatojë një gjë të tillë.

“Parlamenti nuk e ka quajtur nënshkrimin e demarkacionit akt tradhtie, Kodi penal nuk ka mekanizëm që përnjëherë të konstaton këtë akt që është së pari politik, pastaj akt penal”, ka shtuar më tej Burjani për “Bota sot”.

Kelmendi: Thaçi mund të dënohet nga 10 vjet deri me burg të përjetshëm

Ndërkaq, njohësi tjetër i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, ka thënë për “Bota sot” se me nënshkrimin e marrëveshjes për Demarkacionin nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të zi, Filip Vujanoviq, është kryer vepër penale.

Image
Muhamet Kelmendi

“Me dokumentin që është nënshkruar nga dy presidentët, atij të Kosovës dhe të Malit të Zi, ekziston dyshimi penal i bazuar në nenin 123 dhe 125, paragrafi 2 i Kodit Penal, se është kryer vepra penale nga këto nene”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka shtuar se tani pas ratifikimit të Marrëveshjes, nëse bëhet korrigjimi përgjegjësia bije mbi nënshkruesit.

“Natyrisht se nëse arrihet që të korrigjohet vija kufitare e vitit 2015, tash pas ratifikimit, përgjegjësia është e dy nënshkrueseve të marrëveshjes. Por, çështja shtohet se atëherë a ka përgjegjëse vetëm Hashim Thaçi e Skender Hyseni, apo tërë qeveria e kaluar dhe kjo e tashme, me deputetë që e miratuan atë marrëveshje”, ka shtuar Kelmendi për “Bota sot”.

Image
Kodi penal

Gjithashtu, Kelmendi ka sqaruar se sipas nenit 123 mund të dënohet nga 10 vjet deri me burg të përjetshëm kushdo që miraton okupimin e vendit.

“Sipas neneve në fuqi, neni 123, dënimi është se paku 10 vjet burg deri më burg të përjetshëm, kushdo që nënshkruan apo pranon kapitullimin ose miraton okupimin e Republikës së Kosovës apo të ndonjë pjesë të saj(...)”, ka shpjeguar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Kelmendi ka thënë se edhe presidenti mund të dënohet sipas nenit 234 nëse nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare nëse i jepet një pjesë territoriale.

“Ndërsa, në nenin125, bëhet fjalë për Presidentin e Republikës, i cili nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare ose nxjerrë ndonjë akt me të cilin një pjesë e territorit të Republikës së Kosovës jepen apo lihen nën sovranitetin e ndonjë shteti tjetër, dënohet me burgim se paku 15 vjet ose me burgim të përjetshëm. Këto dy nene të Kodit penal të Republikës së Kosovës, unë i konstatoj të përmbushura me plotë fakte e dëshmi. Sa do të aplikohen këto nene, mbetet për të dëshiruar”, ka përfunduar Kelmendi për “Bota sot”.

Ndryshe, gjatë javës së kaluar, Kuvendi i Kosovës përmes tensioneve të shumta ka arritur që të ratifikojë marrëveshjen me Malin e Zi, me 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim. Këtu mund të lexoni Kodin Penal të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat