“Mbrapa grilave do të shkojnë koka të mëdha të politikës”

Politika

“Mbrapa grilave do të shkojnë koka të mëdha të politikës”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 25 mars 2018 Në ora: 22:30
Ilustrim nga "Bota sot"

Pas ratifikimit të projektligjit te kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi në Kuvend, të gjithë qytetarët e vendit shpresojnë në heqjen e vizave nga ana e BE-së.

Por, njohësi i çështjeve ndërkombëtare thotë se ratifikimi i Demarkacionit nuk nënkupton liberalizim.

Faik Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot” thotë se pas ratifikimit të kësaj marrëveshje edhe me tej Kosova nuk e fiton liberalizimin e vizave.

Pasi që, sipas Krasniqit, kushti kryesor mbetet lufta e korrupsionit dhe krimit te organizuar. Ai thotë se mbrapa grilave do të shkojnë koka të mëdha të politikës.

Image
Faik Krasniqi

“Ratifikimi i Demarkacionit nuk nënkupton që Kosova fiton liberalizimin e vizave, sepse kushti kryesor mbetet lufta e korrupsionit dhe krimit te organizuar. Por ky kusht nuk do të thotë që do të përmbushet ashtu siç kërkon BE-ja, sepse luftimi konkret i korrupsionit dhe krimit të organizuar nënkupton që mbrapa grilave të shkojnë koka të mëdha të politikës, prandaj BE-ja do shtirret dhe mjaftohet me arrestimin e disa "peshqve" të vegjël, dhe institucionet do shtirren se gjoja e kanë plotësuar këtë kriter”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi thotë se procedurat e BE-së do të marrin së paku 6 muaj kohë. Njohësi i çështjeve ndërkombëtare thekson se nëse rekomandimi i vizave bëhet më së largu në muajin qershor të këtij viti, atëherë në dhjetor qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza.

“Sidoqoftë, procedurat e BE-së do të marrin së paku 6 muaj kohë, sepse do të procedohet në tre mekanizma, na Komisionin Evropian, Këshillin Evropian dhe Parlamentin Evropian, dhe 6-8 javë merr kohë procedimi dhe kalimi i saj, që do të thotë se deri në 6 muaj merr kohë. Nëse Rekomandimi i vizave bëhet më së largu në muajin qershor të këtij viti, atëherë në dhjetor të këtij viti qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza në zonën shengen”, ka përfunduar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat