Arrestimi i Marko Gjuriqit, këto janë skenarët që mund ta presin Kosovën

Politika

Arrestimi i Marko Gjuriqit, këto janë skenarët që mund ta presin Kosovën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 27 mars 2018 Në ora: 10:21
Arrestimi i Marko Gjuriq

Nuk është hera e parë që zyrtari serb Marko Gjuriq, provokon institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj.

Ai një vit më parë së bashku me kreun e Beogradit, provokoi Kosovën me hyrjen e një treni testues që vinte nga Beogradi për në veri të Kosovës, me mbishkrime e slogane nacionaliste “Kosova është Serbi”, e ikona të ndryshme provokuese.

Dhe ndonëse Gjuriq nuk kishte arritur ta realizojë dëshirën me “trenin e famshëm” deri në fund, megjithatë dëshira për të hyrë sërish në Kosovës siç duket i kishte mbetur ëmbël, duke tentuar ta provoj edhe një herë hyrjen e tij në Republikën e Kosovës pa autorizimin e Institucioneve përkatëse. Gjuriqit, nga institucionet e Kosovës nuk i ishte lejuar vizita nëKosovë, por ai arriti që gjatë ditës së djeshme të futej në Mitrovicën Veriore, ku me pas u arrestua nga Policia e Kosovës dhe u soll i prangosur nëstacionin policor nëPrishtinë. Me pas, Gjuriq u dëbua nga shteti i Kosovës.

Por si e komentojnë ekspertët e sigurisë aksionin e djeshëm të Policisë? A ka gjasa për një destabilizim të situatës në Kosovë?

Tentimi i Serbisë për destabilizimin e Kosovës

Duke folur rreth zhvillimeve të fundit në vend dhe arrestimit të Gjuriqit, eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi ka thënë për “Bota sot” se shteti serb në vazhdimësi tenton ta destabilizojë Kosovën.

Image
Fadil Kajtazi

Sipas tij, shteti serb, që nga viti 2000 përmes aksioneve të fshehta bën diversione të vazhdueshme kundër konsolidimit të shtetit të Kosovës.

“Tendencat për ndonjë eskalim në shkallë më të gjerë janë evidente, por ato nuk do të kenë sukses. Kjo është për shumë faktor, por më kryesore është fakti se Serbia ka probleme serioze ekonomike. Me ekonominë e Serbisë udhëheqin 8 deri në 10 klane mafioze. Kjo ka bë  që këto grupe të futin nën kontrolle edhe strukturat shtetërore. Pakënaqësia popullore në Serbi është e madhe dhe e vetmja "kartë" që i ka mbetur Vucicit për të shmangur daljën jashtë kontrollit të gjërave është Kosova”, ka thënë eksperti i sigurisë Kajtazi.

Ai ka thënë se ky rast është edhe një inskenim për të zgjatur heshtjen para furtunës.

“Eskalimi i situatës në shkallë të gjerë nuk do të ketë nga se pushteti serb, për shkak të korruptimit, ka humbur kredibilitetin para serbëve të Kosovës. Këta të fundit kanë filluar të kuptojnë se që nga viti 1987 kanë qenë instrument në duart e klaneve politike për interesat e tyre të ngushta. Këta e kanë kuptuar shumë mirë se një pjesë e politikaneve dhe grupeve të oligarkëve në Serbi janë pasuruar në kurriz të tyre dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe me tutje. Gjithashtu, serbet e Kosovës kanë kuptuar se vrasja e OliverIvanoviqit është bërë pikërisht për çështje të interesave të biznesit të grupeve mafioze serbe të lidhura me pushtetin”, ka thënë Kajtazi.

Sipas tij, pas kësaj gjendje sigurisht që pritet një eskalim në shkallë të gjerë nga ana e serbëve lokal.

“Mendoj se do të ketë hedhje të bombave në pjesë të ndryshme të veriut ku ka shqiptarë dhe institucione të Republikës së Kosovës, ku do të tërbohen dhe të sulmohet ndonjë qytetar jo shqiptar që jeton në atë pjesë. Këto aksione te cilat do ti organizojnë shërbimet e fshehta serbe, si dhe Lista Serbska do ta kërcënoi kryeministrin Haredinajper prishjen e koalicionit. Ndonjë veprim të shtetit Serb në drejtim të Kosovës nuk pres për shkak të prezencës së SHBA-ve në Kosovë”, është shprehur eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi.

Profesionalizmi i Policisë së Kosovës

Kurse, profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami nuk mendon se pas arrestimit të Gjuriqit do të ketë eskalim të situatës në veriun e Mitrovicës, pasi sipas tij serbët tashmë janë lodhur nga politika.

Image
Avni Islami

“Nuk mendoj se do të ketë ndonjë eskalim të situatës qoftë në veriun e Mitrovicës apo në Prishtinë pasi komuniteti serb është lodhur nga politika e qeverisë së Serbisë. Megjithatë mendoj se profesionalizmi i Policisë së Kosovës e ka bërë të vetën dhe veprimi i uniformave blu është për tu vlerësuar lart. Ky ishte edhe një test i radhës pas tentimit të trenit me ikona dhe sllogane nacionaliste, ky kishte dashur të hynte në Kosovë”, ka thënë eksperti i sigurisë profesor  Islami.

Kosova dëshmoi së është shtet

Ndërsa eksperti i sigurisë Hajrullah Tëranava ka pohuar se situata e krijuar në kufirin Kosovë-Serbi-, ku në mënyrë ilegale hyri në shtetin e Kosovës zyrtari serb, Marko Gjuriq, është shkelje flagrante kufitare dhe e ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Sipas tij, një intervenim nga ana e policisë së Kosovës për parandalimin e personit në fjalë që ka bërë shkeljen e ligjit, si i tillë ishte ligjorë dhe i përpiktë me ligjet e Kosovës.

Image
Hajrullah Tërnava

“Me këtë intervenim u tregua se Kosova  ka një polici shumë mirë të përgatitur profesionalisht, dhe e cila është në gjendje në çdo mënyrë dhe në çdo kohë ti ruaj kufijtë e tërësisë së territoriale të Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran. Me këtë intervenim të Policisë së Kosovës, tani popullata jo vetëm e Kosovës por edhe e shteteve fqinj, duhet kuptuar se Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran që nga data17.02.2008, e cila ka një polici profesionale të perfeksionuar dhe të aftë për ruajtjen e kufijve dhe territorit si dhe qytetarëve të saj. Meqë bëhet fjalë për një person zyrtar të shtetit të Serbisë i cili edhe që e kishte ndalesën për të hyrë në Kosovë ai me këmbëngulësi dhe vetëdije e kreu këtë vepër kriminale, që në këtë rast konsiderohet pa dyshim si vepër e rëndë kriminale”, ka thënë Tërnava.

Ai ka bërë të ditur, se tani procedurat hetuese lidhur me këtë rast duhen të zhvillohen sipas ligjeve në fuqi ku prokurori duhet ta ketë fjalën kryesore dhe vendimmarrëse.

“Me këtë rast Serbisë dhe opinionit të saj iu bë me dije se duhet ti heqin maskat dhe iluzionet për Kosovën si pjesë të shtetit të tyre dhe të flasin drejte për se drejti me popullatën e vete, dhe ta njoftojnë ata se Kosova tanimë është shtet i pavarur dhe sovran i njohur nga 116 shtete, dhe me Kosovën duhen të zhvillohen marrëdhënie ndërshtetërore korrekte ligjore si me shumë tjera shtete fqinj. Në të ardhmen nëse veç duan ta vizitojnë Kosovën, në mënyrë zyrtare apo private, le ti përmbahen ligjeve dhe procedurave kufitare të shtetit të Kosovës dhe ti respektojnë ato”, ka thënë Tërnava,

Sipas tij, situata e krijuar lidhur me këtë rast e sidomos në pjesën e veriut nuk mund të eskalojë.

“Një fqinjësi e mirë ndërshtetërore për dy vendet, është e domosdoshme dhe e shëndetshme për dy shtetet të cilat pretendojnë që në mënyrë më të shpejtë të bëhen anëtare në BE. Një njohje e ndërsjelltë e pavarësisë mes këtyre dy shteteve do ta përshpejtonte rrugëtimin drejt BE dhe me hapa të shpejtë do ti kontribuonin zhvillimeve dhe ngritjes së standardit si dhe hapjeve të vendeve të punës duke u bërë investime të ndryshme në këto dy shtete”, ka thënë Tërnava.

KFOR-i garantues i kufirit

Ndryshe njohësi i çështjeve politike në vend Ismet Haziri duke folur rreth situatës së krijuar në Kosovës rreth arrestimit të Marko Gjuriqi, ka thënë se KFOR-i ka kompetencat e plota të sigurojë kufirin e Kosovës në bazë të mandatit në Kosovë dhe në bazë të rezolutës së OKB-së për Kosovën e cila është akoma në fuqi.

Image
Ismet Haziri

Sipas tij,  përderisa KFOR-i ka këto kompetenca atëherë nuk duhet të krijohet situata të ndjeshme që potencialisht ka tendencë eskalimi që nuk është e favorshme dhe nuk i kontribuon situatës aktuale politik.

“Në të njëjtën kohë  mendoj se nuk është një situatë në atë pjesë te territorit të vendit që mund të mbizotërohet lehet edhe nga aspekti i shtrirjes së plotë të kontrollit, por edhe se është shumë vështirë që të vlerësohet proporcionaliteti i përdorimit të forcës, duke pasur parasysh edhe depërtimin e shërbimit sekrete serbe me xhandarmeri dhe pjesëtar te njësive speciale serbe gjatë natës së kaluar. Megjithatë nuk mund të them se njësitë tona të specializuara nuk mund ta zotërojnë situatën, por kam një dozë hezitimi në informacionet e plota se me çka do të ballafaqohen, duke pasur parasysh se serbët në ditët në vazhdim do ta përdorin ketë shkas për të destabilizuar situatën politike të sigurisë në vend”, ka thënë Haziri.

Ai ka theksuar se është edhe një tjetër problem, depërtimi për mbështetje të mjaftueshme të njësive që mund të gjendën në pjesë të ndryshme të veriut.

“Këto janë situata që duhet me qartësi të definohen në qarqet politike dhe diplomatike, atje ku po bëhen bisedimet dhe dialogimi, ngase nuk është interes i procesit të bisedimeve dhe as i lëvizjes së lirë të qytetarëve tjerë që duhet të udhëtojnë apo të gjinden në rrugë në territorin e Serbisë, por edhe për vet qytetarët shqiptar që gjenden në Veriun e Kosovës që mund të ju ekspozohen rreziqeve të pa imagjinuara. Dhe në këtë rast shprehi shqetësim në lidhje me detyrat që po i kryen diplomacia jonë në lidhje me këto probleme të hyrjeve dhe daljeve të zyrtarëve serbe në Kosovë dhe këtë pozicion duhet të qartësojnë mirë e mirë në Bruksel”. Sirenat e Veriut tregojnë se ne nuk kemi kontrollin e plotë dhe se atje në lidhje me situatat emergjente akoma funksionon “CivilnaZastita” dhe forcat tjera paramilitare, për këtë duhet kërkuar sqarime edhe nga KFOR-i dhe nga Brukseli, se deri kur mund të ndodhin këto anomali të politikës së dyfishtë të atyre që kërkojnë normalizim të gjendjes në Kosovë, kjo situatë po tregon brishtësinë e sigurisë dhe kërkon reflektim te menjëhershëm”, ka përfunduar njohësi i çështjeve politike Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat