Spektakli Gjuriq- skenar i rrezikshëm i Thaçit dhe Vuçiqit për ndarjen e Kosovës?

Politika

Spektakli Gjuriq- skenar i rrezikshëm i Thaçit dhe Vuçiqit për ndarjen e Kosovës?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 mars 2018 Në ora: 07:29
Hashim Thaçi- Aleksander Vuciq

“Unë dyshoj se ka një skenar në mes të Vuçiq dhe presidentit Thaçi dhe ky skenar mund të jetë i rrezikshëm dhe fatal për ndarjen e Kosovës. Unë mendoj se ka një marrëveshje në mes të dy presidentëve, për të vazhduar me avazin e tyre, për ta ndarë Kosovën” ka thënë Jeton Kelmendi.

Arrestimi nga Policia e Kosovës i zyrtarit të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq të hënën në Kosovë për shkak të hyrjes ilegale, bëri bujë në mediat vendore e ato ndërkombëtare.

Reagimet ishin të shumta nga politikanë e analistë.

Kurteshi: Burgosja e Gjuriqit, fundi i Ramushit

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, të gjithë arrestimin e Gjuriqit e quajti skenar të partive LDK-PDK, sipas tij për rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

“Burgosja e Gjuriqit, fundi i Ramushit!”, ishte shkrimi që ai publikoi në llogarinë e tij në Facebook, ku tha se VV është kundër skenave të tilla ku rrezikohet jeta e policëve, derisa tha se çmimi i intervenimit të ROSU-së në Mitrovicë është rrëzimi i Haradinajt nga posti i kryeministrit.

“Loja LDK-PDK për rrëzimin e Ramush Haradinajt realizohet në mënyrë të përsosur me „arrestimin“ e Gjuriqit. Ramush bye-bye nga posti! Ky është çmimi intervenimit të ROSU në Mitrovicë. Përndryshe, çdo intervenim i Policisë së Kosovës në format luftarak në pjesën veriore të Mitrovicës çdo 5-6-7 vite, për interesa të ngushta personale të Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Për të hequr vëmendjen e publikut nga cenimi i territorit të Republikës së Kosovës me ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi?! Apo për të fshehur rezultatet e pritura të takimeve ilegale Thaçi-Vuçiç!?”, ka shkruar ndër të tjera Kurteshi në Facebook.

Në një përgjigje për “Bota sot”, deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku Rexhepi, ka thënë se është qëndrim zyrtar i LDK se kushtetuta dhe ligjet e Kosovës duhet të respektohen në plotni.

Image
Valentina Bunjaku- Rexhepi

“Në rastin Gjuriq policia e shtetit si mekanizëm i realizimit të ligjit ka zbatuar ligjet në fuqi, nuk dua të merrem me spekulime dhe deklarata të tjerëve por vlerësoj se në çdo tentim të shkeljes se ligjit në Kosovë mekanizmat e zbatimit të ligjit duhet të veprojnë”, ka thënë ajo.

Abazi: Dyshoj që kushdo nga LDK guxon të hyjë në pazare me PDK-në dhe Thaçin

E për gjithë këtë, nga AAK nuk kanë dashur të komentojnë deklaratat e deputeti të VV.

“Nuk mund dhe as nuk dua ta komentoj, nuk jam në pozitë që të komentoj deklaratën e një kolegu”, është shprehur deputetja Teuta Haxhiu për “Bota sot”.

Image
Teuta Haxhiu

Ndërsa, njohësi i zhvillimeve aktuale politike në vend, Haki Abazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, për deklaratat e deputetit të Vetëvendosjes, ka thënë se nuk beson që mund të ketë pazare në mes të LDK-së dhe PDK-së, derisa ai mendon se Grupi i Deputetëve të Pavarur mund të bëjnë negociata për të qenë pjesë e qeverisë.

“Pa serbët sipas kushtetutës nuk ka qeveri dhe asnjë serb tjetër përveç atyre që  i lejon Beogradi nuk mund të jenë pjesë e qeverisë. Dyshoj që kushdo nga LDK guxon të hyjë në pazare me PDK-në dhe Thaçin. Kjo është pak e besueshme. Unë besoj që GDP është duke bërë negociata për hyrje në një kompozicion të ri qeverisës dhe ky skenar mund të jetë më shumë i mundur”, është shprehur Haki Abazi.

Image
Haki Abazi

Kelmendi: LDK nuk ka të bëj me skenarin

E në anën tjetër, profesori dhe njohësi i çështjeve aktuale politike në vend, Jeton Kelmendi thotë se deputeti i VV-së po sheh halucinacione, pasi nuk mund të ketë një skenar në mes të LDK-së dhe PDK-së, pasi nga LDK nuk mund të bëjnë maskarada të tillë.

“Deputeti i VV-së dihet se është një ultra-majtist dhe ka halucinacione. Unë nuk mendoj që LDK ka të bëjë diçka me gjithë këtë skenar, këta njerëzit që sot janë që e drejtojnë LDK-në nuk kanë kapacitete të bëjnë kësi lloj maskaradash sepse nuk dihet se cili ka më pushtet se tjetri në LDK, prandaj LDK është pa kryetar dhe nuk ka një njeri që do të bënte gjëra të tilla”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Sipas Kelmendit, e gjitha ishte një skenar në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Unë dyshoj se ka një skenar në mes të Vuçiq dhe presidentit Thaçi dhe ky skenar mund të jetë i rrezikshëm dhe fatal për ndarjen e Kosovës. Unë mendoj se ka një marrëveshje në mes të dy presidentëve, për të vazhduar me avazin e tyre, për ta ndarë Kosovën. Unë dyshoj në një skenar të tillë sepse në bazë të reagimeve që pati nga Vuçic, që tha se Lista Serbe vendos dhe jo dhe sot ka dalë Lista Serbe, mendoj se është e papranueshme e gjithë kjo dhe duhet që urgjentisht të shkohet në zgjedhje dhe të pezullohen të gjitha marrëveshjet sepse nuk ka rezultat t’i udhëheq presidenti ato, të shkohet në zgjedhje, të shkarkohet presidenti nga Gjykata Kushtetuese për tradhti kombëtare dhe të zgjidhet një president i ri dhe institucionet tjera, pastaj ajo qeveri që do të vie do të marrë pjesë në institucione dhe ajo do t’i vazhdojë marrëveshjet e tjera”, vlerëson Kelmendi.

Shfaqje teatrale

Të gjithë këtë, ai e quan shfaqje teatrale që sipas tij nuk i bën aspak mirë Kosovës, por e gjitha ndodhi pas faljes së tokës përmes marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe se tashmë kishte rënë autoriteti i liderëve të Kosovës.

Image
Jeton Kelmendi

“Unë mendoj se kjo ka qenë shfaqje teatrale dhe nuk i bën aspak nder Kosovës, as në raportin e jashtëm as të brendshëm, por qeveria meqë e kishte bërë një të keqe të madhe, shitjen e tokës përmes Demarkacionit dhe autoriteti i liderëve ra për tokë, Thaçi ishte një figurë tashmë e djegur prej ditësh, Veseli po ashtu i cili u dorëzua dhe nuk i hyri garës për kryeministër duke ia lënë atë Ramush Haradinajt, i cili ka vetëm 9 deputetë dhe tregon se është i etur për pushtet, pra edhe nëse digjet veriu. Kjo dëshmon për paaftësi të këtyre institucioneve. Nga ana tjetër, unë mendoj se prapa këtij skenari edhe në bazë të reagimeve që kemi pasur, dyshoj fuqishëm se është një skenar që ka të bëjë me skenarin e trenit, argatin që ia pati bërë Thaçi presidentit Vuçiq për t’i fituar zgjedhjet, at ia ktheu Thaçi këtu, sepse të njëjtën gjë ia ndihmoi Vuçiqit”, ka përfunduar Jeton Kelmendi për “Bota sot”.

Ndryshe, Lista serbe, të martën ka zyrtarizuar daljen nga koalicioni me Qeverinë Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat