“Kuvendi ta ndalojë Komisionin për Asociacion, Thaçi nuk ka të drejtë ta formojë”

Politika

“Kuvendi ta ndalojë Komisionin për Asociacion, Thaçi nuk ka të drejtë ta formojë”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 6 prill 2018 Në ora: 15:58
Hashim Thaçi

Opozita parlamentare vazhdimisht ka kundërshtuar dialogun me Serbinë, nën udhëheqjen e presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Sipas tyre, Thaçi nuk është personi i duhur për t’i udhëhequr këto bisedime.

E së fundmi është formuar Komisioni për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për gjithë këtë, njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se bisedimet nuk duhet të bëhen jashtë Kuvendit, pasi ai është kompetent për të caktuar platformën e bisedimeve dhe jo presidenti, aq më pak të formojë Komision për Asociacionin.

Image
Muhamet Kelmendi

“Çështja e bisedimeve me palën serbe nuk duhet të bëhet jashtë Kuvendit. Vetëm Kuvendi është kompetent për të caktuar platformën e bisedimeve me palën serbe si dhe grupin punues për bisedime. Nuk është juridikisht e kapshme që presidenti i vendit të bëjë bisedime me palën serbe në emër të Kosovës dhe në veçanti të formojë komision për hartimin e statutit të Asociacionit serb në Kosovë, sepse presidenti sipas nenit 84 të Kushtetutës së Kosovës nuk ka kompetenca për bisedime të nivelit të tillë dhe për hartimin e statutit”, u shpreh ai.

Sipas Kelmendit, Kuvendi duhet të thërrasë seancë urgjente dhe të kërkojë përgjegjësi nga presidenti për bisedimet dhe po ashtu Kuvendi duhet ta ndalojë edhe Komisionin për Asociacionin, pasi ai ka të drejtë ta formojë.

“Duke u mbështetur në këtë,  nga  Kuvendi i Kosovës kërkohet që në mënyrë urgjente të thërrasë seancë parlamentare dhe të kërkojë nga presidenti përgjegjësi për veprimet e deri tanishme duke ja ndaluar punën e mëtejshme për bisedime me palën serbe në Bruksel. Kuvendi i Kosovës duhet të ndalojë edhe komisionin e presidentit për statutin e Asociacionit, që së bashku me qeverinë ka ndërtuar. Këtë komision ka të drejtë vetëm Kuvendi ta ndërtojë. Kuvendi është organi më i lartë në Republikën parlamentare të Kosovës në fushën legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Çdo organ duhet të përgjigjet para Kuvendit. Prandaj mendoj që asnjë çështje dhe asnjë veprim nuk duhet të kryejë Kosova pa Kuvend”, deklaroi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat