Vendimi kundërthënës i Qeverisë ndaj Marko Gjuriq

Politika

Vendimi kundërthënës i Qeverisë ndaj Marko Gjuriq

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 9 prill 2018 Në ora: 18:15
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës po vazhdon të marrë vendime kundërthënëse sa i përket dhënies së lejeve për zyrtarët serb, të cilët po e vizitojnë vendin tonë.

Një ndër vendimet e fundit të kësaj natyre, është ai i Ministrisë së Jashtme për dhënien e lejes, Marko Gjuriqit për të vizituar Kosovën për festën e pashkëve ortodokse.

Gjuriq u arrestua para dy javëve nga ana e Policisë së Kosovës për hyrje ilegale në veri të vendit. Ai u sollë në Stacionin e Policisë në Prishtinë dhe më pas u përcoll deri në pikën kufitare në Merdare, pa u ngritur një aktakuzë nga ana e organeve të drejtësisë.

Por, pas dy javëve dikasteri i udhëhequr nga Behgjet Pacolli i dha leje zyrtarit në fjalë për vizatuar Kosovën.

“Po, kërkesa i është aprovuar në frymën e paqes dhe mirëkuptimit me rastin e festës së pashkëve ortodokse”, ka thënë ditë më parë, Jetlir Zyberaj këshilltar i ministrit të jashtëm.

Sipas tij, pa marrë parasysh që është zyrtar, ai sikurse secili pelegrin tjetër e gëzon të drejtën që të lutet në cilëndo kishë që ai dëshiron.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se kur është në pyetje ardhja e zyrtarëve serb në Kosovë, përfaqësuesit qeveritar po ndërmarrin veprime qesharake që nuk kanë të bëjnë me parimet e shtetit ligjore.

Image
Muhamet Kelmendi

Dy gabimet e Qeverisë me Marko Gjuriqin

Profesori universitar i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi thotë se Qeveria dhe organet e drejtësisë kanë bërë dy gabime sa i përket rastit Gjuriq.

Ai thotë se pas arrestimit të tij nga ana e Policisë së Kosovës, organet e drejtësisë do të duhej të ngrinin padi ndaj tij.

“Arrestimi i Gjuriqit nuk është dashur të bëhej ashtu si u bë. Policia është dashur të thërriste prokurorinë e shtetit ose ndonjë prokuror kompetentë të Gjykatës Themelore në pjesën në të cilën është arrestuar Gjuriqi, sepse ka hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës dhe çdo kush që hyn ilegalisht në një territor të shtetit tjetër përbën vepër penale. Kështu që është dashur të ndërhynte dhe të ngrihej një aktakuzë ndaj tij, sepse ky veprim përbënte vepër penale”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Ai më tej tregon edhe procedurat e tjera që do të duhej të zhvilloheshin nga ana e organeve të drejtësisë.

“Është dashur të merren dëshmitarët, të merrej në pyetje Gjuriq dhe rrethanat që është marrë vendimi se si është ardhë, në mënyrë që të caktohej vepra penale për dënim me burg, me gjobë ose me para”, shprehet Kelmendi.

Ai shtoi se një person që hyn ilegalisht në territor, atij minimumi duhet t’i ndalohet nga një 3 deri në 5 vjet kthimi në Kosovë.

Pika 2, neni 97 i Ligjit për të huajt parasheh largimin me forcë të huajit që hyn ilegalisht. Sipas këtij ligji, ai mbahet i ndaluar në Qendër të Mbajtjes, derisa të ekzekutohet urdhri i largimit me forcë.

Ligji në fjalë parasheh edhe ndalimin që i bëhet personit që dëbohet me forcë nga ana e Policisë.

Sipas pikës 3, të nenit 94, Afati i ndalimit të hyrjes ndaj të larguarit me forcë, nuk mund të jetë më i shkurtër se një (1) muaj dhe as më i gjatë se pesë (5) vjet.

Por, sipas profesorit universitar, gjykata nuk ka zhvilluar proces gjyqësor ndaj Gjuriqit.

“Gjuriq është sjellë në mënyrë teatrale në Kosovë dhe largimi i tij është në mënyrë teatrale nga Kosova. Unë mendoj se Gjykata është dashur të nxjerr aktgjykim dhe t’i përcaktohej masa e dënimit nga Gjykata Themelore, ku Gjuriq do të mund të bënte edhe një ankesë”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Ai thotë se këtu kemi të bëjmë me një shkelje të bërë nga ana e Qeverisë.

Sipas tij, këtu janë bërë dy shkelje ligjore.

Shkelja e parë është bërë me arrestimin e Gjuriqit, pa u ngrit një aktakuzë ndaj tij. Kurse shkeljen e dytë e kemi nga ana e Ministrisë së Jashtme të Kosovës për dhënien e lejes Gjuriqit për të vizituar Kosovën”, deklaron Kelmendi.

Ai madje akuzon zyrtarët e ministrisë së Jashtme për mos njohje të procedurave juridike.

“Këtu kemi të bëjmë me Ministrinë e Punëve të Jashtme që nuk din fare se çfarë është shteti ligjor, nuk din farë se çfarë është kodi penal, nuk din çfarë është fare Kodi i Procedurës Penale, nuk din fare se çfarë është shkelja e tërësisë territoriale të Kosovës nga ana e njerëzve të cilët hyjnë në mënyrë ilegale”.

“Kodi i Procedurës Penale e ligjet e tjera e përcaktojnë qartë për personin që hynë ilegalisht në vend që përbën vepër penale dhe përcaktohet dënimi me gjobë, dhe ndalimi për të hyrë në territor. E kemi lejen që e ka dhënë zotëri Pacolli që Gjuriq të futet përsëri në Kosovë dhe këtu kemi të bëjmë me një analfabetizëm të ministrisë së jashtme”, shtoi Kelmendi.

Image
Blerim Burjani

Kutet personale të Thaçit me zyrtarët serb

Kritik ndaj institucioneve të Kosovës është shprehur edhe juristi tjetër, Blerim Burjani.

Ai më tej thotë se i tërë ky problem po vjen nga ana e presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

“Kjo po ndodhe në Kosovë si një llojë loje, gjithçka po ndryshon sipas kuteve personale të Thaçit, ,deri më tash ka pas dështime edhe depërtime të njerëzve pa ndonjë zhurmë të madhe, përderisa zhurma më e madhe u krijua kohërave të fundit me depërtimin e turqve , e që vlerësohet të jetë skandaloze”, thotë Burjani për “Bota sot”.

Edhe ai thotë se arrestimi i Gjuriqit ishte një lojë politike.

“Loja me Gjuriqin është një lloje shakaje e madhe kur të donë e len kur të donë se len me hy. Në veri ka përlotë zyrtar të shumtë serb që hyjnë e dalin, e askush nuk i ndal as nuk merret me ta”, shtoi Burjani.

Ndryshe, dyshime se presidenti Thaçi është involvuar në arrestimin e Gjuriqit kanë hedhur edhe analistë dhe përfaqësuese të partive opozitare.

Madje edhe në Serbi kanë hedhur dyshime se arrestimi i tij ishte bërë me skenar të Hashim Thaçit dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq.

Fjalimi politik i Gjuriqit

Nga ana tjetër, Marko Gjuriq edhe këtë herë nuk ka kursyer deklaratat politik në takimet e tij me banorët serbe në manastirin e Banjskës në Kosovës.

Në fjalimin e tij, Gjuriq Kosovën e ka quajtur si Kosova e Metohija.

“Serbia gjithmonë do të jetë pranë popullit të saj në Kosovë e Metohi. Ne serbët jemi pak në numër, por popull i guximshëm dhe liridashës. Do të mbijetojmë dhe do që qëndrojmë këtu në Kosovë e Metohi. Ne dimë, si Serbi, që të mbrojmë popullin tonë në KeM, sepse këtu për më shumë se një mijë vjet këtu ndërtohet identiteti i tërë popullit serb. Është ndërtuar në të kaluarën, ndërtohet sot dhe të jeni të sigurt se do të ndërtohet edhe në të ardhmen”, ka thënë Gjuriqi.

Ndryshe, Gjuriq është duke qëndruar në Kosovë për festë të pashkëve ortodokse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat