Haradinaj “nuhatë” tradhtinë e PDK-së

Politika

Haradinaj “nuhatë” tradhtinë e PDK-së

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 13 prill 2018 Në ora: 20:10
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur rreth rrëzimit të qeverisë së tij, për të cilën partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendose, kanë paralajmëruar mocion mosbesimi.

Mirëpo, Haradinaj, siç duket nuk ndien rrezik nga partitë opozitare, mirëpo ai i frikësohet kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ku thotë se vetëm ai mund ta rrëzojë qeverinë e tij, në të cilën edhe PDK-ja është partner qeverisës.

Krejt kjo pasiguri e Haradinajt për postin e tij, vjen pas largimit të partisë që e bëri kryeministër, Lista Serbe, që tash kjo qeveri nuk i ka 10 numra të saj.

Partitë opozitare, të cilat kanë paralajmëruar mocion, thonë për “Bota sot” se Haradinaj i ka parasysh ende paralajmërimet e tyre për rrëzimin e qeverisë, pavarësisht se edhe PDK- ja mund ta rrëzojë atë.

Gaxherri: PDK-ja mundet të na e grabis neve opozitës rrëzimin e qeverisë

Image
Besa Gaxherri

Besa Gaxherri, nga LDK-ja, thotë se Haradinaj mund të ketë të drejtë deri diku kur thotë se Veseli mund ta rrëzojë qeverinë, pasi e kanë parë që nuk ka lëvizje pozitive nga ky koalicion, ndërsa thotë se PDK-ja mund t’ia “grabis” rrëzimin e qeverisë LDK-së.

 “Haradinaj mund të ketë të drejtë kur thotë se Veseli mund ta rrëzojë qeverinë, pasi e dinë se PDK-ja mundet çdo moment ta rrëzojë qeverinë e tij në të cilën bëjnë pjesë edhe vetë ata, sepse edhe ne nga jashtë po e shohim që ajo qeveri nuk mundet të funksionojë më shumë, e ndoshta ai e ka nuhatur këtë gjë. Pra, PDK-ja mundet të na grabitë neve opozitës rrëzimin e qeverisë, pasi dihet që PDK-ja e ka këtë zakon, që është një partner, që në asnjë koalicion qeverisës nuk e ka çuar deri në fund”, shprehet Gaxherri.

Ajo përsërit edhe një herë se LDK-ja e ka seriozisht rrëzimin e qeverisë, mirëpo sipas Gaxherrit, nuk ka rëndësi se kush e rrëzon, e rëndësishme sipas saj është që në vend të saj të vjen një qeveri më serioze.

“LDK-ja e ka shumë seriozisht rrëzimin e kësaj qeverie. Nuk ka rëndësi se kush e rrëzon, por me rëndësi për ne është që kjo qeveri të shkojë, sepse vendi ka nevojë për një qeveri më serioze”, tha Gaxherri për “Bota sot”.

Ndërkaq, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosja, Drita Millaku, thotë për “Bota sot”, se Haradinaj e ka parasysh mocionin që do të ndodh nga opozita, mirëpo ai po e pasqyron përçarjen mes Thaçit e Veselit, e qëllimi i tij është ta kuptojë pozicionimin e Veselit.

Image
Drita Millaku

“Nuk qëndron ajo që Haradinaj nuk i merr seriozisht paralajmërimet tona në lidhje me mocionin e mosbesimit, por ai pasqyron përçarjen tashmë evidente në mes të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit dhe qëllimi i tij është që të pozicionohet krahu i Kadriut”, tha Millaku.

Ajo mendon se qeveria aktuale është duke i bërë dëm vendit, ndërsa thotë se kjo qeveri mund të bie për një muaj nëse do të ketë një bashkëpunim të sinqertë mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.

“Unë mendoj se qeverisja aktuale është duke i bërë dëm të madh vendit, jo vetëm për nga gafet e kryeministrit, por tashmë edhe klimës qeverisëse e cila është shumë e rëndë. Nëse do të ketë bashkëpunim të sinqertë dhe serioz të LDK-së, kjo qeveri bie për një muaj”,  theksoi Millaku.

Tahiri mbronë Qeverinë

Ndërsa, deputeti i pozitës nga radhët e AKR-së, Labinot Tahiri, përmes një prononcimi për “Bota sot”, i fton partitë opozitare t’i masin forcat e tyre nëse duan ta rrëzojnë qeverinë, duke theksuar se ata nuk frikësohen nga opozita.

Image
Labinot Tahiri

“Unë kam dëgjuar për paralajmërimet e opozitës për mocion, mirëpo nëse janë të gatshëm ata për ta rrëzuar qeverinë, atëherë le të dalin e t’i masin forcat e tyre dhe potencialin e tyre, por nuk besoj se i kanë numrat ata zotëritë. Ne nuk frikësohemi nga opozita, ata e kanë të drejtën për mocion, mirëpo nuk besoj se kanë guxim ta bëjnë këtë, sepse qeveria Haradinaj, ka marrë vendime të mëdha”, thotë Tahiri.

Ai thotë, se nuk frikësohen as nga PDK-ja e Veselit, sepse sipas Tahirit, një ditë mund të rrëzohet edhe vetë çdo kush, e gjithashtu bënë thirrje që t’i jepet ende kohë kësaj qeverie ta tregojë veten.

“Absolut nuk frikësohemi as prej Kadri Veselit ose prej çdo partie tjetër pasi që duhet ditur që një ditë mund të rrëzohet edhe vetë çdo kush, edhe Kadria edhe Hashimi edhe Ramushi edhe krejt. Duhet me lejuar ende qeverinë për të punuar më shumë edhe për ta shikuar punën sepse asnjë qeveri në botë nuk mundet për 100 ditë apo 200 ditë me dhanë sukses sepse e ka mandatin e plotë për me dhanë sukses”, tha Tahiri.

Asociacioni në këmbim të mocionit

Nëse opozita kërkon ndihmë nga Lista Serbe për ta rrëzuar qeverinë, Tahiri thotë se ata do bien në kundërshtim me veten.

“Nëse opozita shpreson me i pas votat e Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë, atëherë po bie në kundërshtim me atë që thoshte më herët se Haradinaj,  po e pret Listën Serbe për ta bërë qeverinë. Nuk ka qenë ashtu, por, nuk kanë qenë vet ata të gatshëm për t’i ndihmuar Haradinajt për ta formuar qeverinë me të gjithë shqiptarë, kështu që nëse sot i kërkojnë votat e tyre, atëherë bien në kundërshtim me vetveten”, përfundoi Tahiri për “Bota sot”.

Image
Lirim Zorra

E analisti politik, Lirim Zorra, thotë se kjo qeveri shumë shpejt do të rrëzohet, e PDK-ja do të jetë shkaktari sipas tij, pasi që e ka treguar edhe më herët.      

“E kaluara ka treguar që qeveria ka rënë nga brenda nga njeri partner i qeverisë, andaj edhe kjo deklaratë është brenda kësaj ideje, sepse Lista Serbe pa u funksionalizuar Asociacioni, nuk do ta përkrah mocionin, andaj rreziku i vetëm është PDK-ja për të bërë plus 61 vota për rrëzim të qeverisë, e cila besoj që do të ndodhë në një periudhë afat shkurte për shkak të problemeve të brendshme të qeverisë dje mos koordinimit adekuat të partnerëve qeverisës”, tha Zorra për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat