Topalli: Po presim një iniciativë konkrete për zgjedhje të reja

Politika

Topalli: Po presim një iniciativë konkrete për zgjedhje të reja

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 17 prill 2018 Në ora: 15:17
Faton Topalli

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë shprehur gatishmëri për një mocion kundrejt qeverisë aktuale, për t’i hapur kështu rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare.

Mirëpo, një iniciativë e tillë mbetet në deklarata, sepse partitë opozitare ende nuk kanë caktuar ndonjë datë për mocion të qeverisë.

Ndërkaq, deputetët e larguar nga Vetëvendosje që tashmë kanë krijuar një Grup të Pavarur të Deputetëve, thonë se zgjedhje nuk do të ketë dhe kjo sepse nuk ka iniciativë konkrete.

Faton Topalli nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, thotë për “Bota sot”, se ata paraprakisht janë të hapur për të gjithë ata që dëshirojnë t’iu bashkëngjiten programit të tyre.

Por, sipas Topallit, zgjedhje në Kosovë nuk do të ketë, sepse nuk ka ndonjë datë konkrete për rrëzim të qeverisë.

Ai pohon se ata kanë shprehur gatishmëri për bisedime me partitë tjera për rrëzimin e Qeverisë.

“ Ne jemi të hapur për të gjithë ata që pastaj pajtohen me programin tonë të na bashkëngjiten, natyrisht që kemi bërë edhe tani gjatë këtyre ditëve që kushdo që është i interesuar për një subjekt të ri, që do të jetë qendër e së majtës mund të na bashkëngjitet. Ne jemi të hapur për ata që kanë orientim social-demokrat dhe në këtë rast shfrytëzoj që t’i ftojë të gjithë ata që dëshirojnë t’i bashkëngjiten një subjekti të ri t’i bëjmë bashkërisht pjesët e programit, do të jemi shumë të hapur për të gjithë. Zgjedhje në Kosovë nuk ka, nuk ka asnjë iniciativë për rrëzimin e qeverisë. Ne si Grup i Deputetëve të Pavarur kemi thënë që jemi të gatshëm të ulemi të bisedojmë me partitë tjera politike dhe nëse ka ndonjë inciativë për rrëzimin e Qeverisë, ndonjë datë për këtë nuk ka dhe siç duket inciativë e tillë nuk ka nga asnjë subjekt politik, nuk ka asnjë inciativë konkrete”, pohon Topalli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat