Deputetja e LDK-së deklarohet për platformën e Veselit, tregon se çfarë pret nga PDK-ja

Politika

Deputetja e LDK-së deklarohet për platformën e Veselit, tregon se çfarë pret nga PDK-ja

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 23 prill 2018 Në ora: 17:01
Deputetët e LDK-së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, sot ka propozuar një platformë politike për bashkimin e spektrit politik në Kosovë rreth pesë temave me interes nacional.

E, lidhur me këtë çështje është deklaruar edhe deputetja e LDK-së.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hymkete Bajrami, në një prononcim për “Bota sot”, tha se nëse PDK-ja e ka seriozisht me këtë platformë, kjo e fundit do të duhej të merrte pjesë edhe në tryezën e paraparë për të mërkurën e thirrur nga LDK-ja.

Image
Hymkete Bajrami

“Kemi me u taku këto ditë për të biseduar rreth të gjitha zhvillimeve të fundit. Lidhja Demokratike e Kosovës do të paraqitet në tryezë. Në qoftë se Partia Demokratike e Kosovës e ka pasur seriozisht me platformën e saj, besoj se ata do të vijnë edhe në tryezën e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u shpreh deputetja Bajrami.

Tutje, Bajrami theksoi edhe njëherë se partia e saj ka thirrur tryezë për të unifikuar qëndrimet për çështjet e mëdha dhe për të paracaktuar një datë për zgjedhje të parakohshme.

“Ne kemi thirrur tryezë për të unifikuar qëndrimet për çështjet e mëdha dhe për të paracaktuar një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Të shohim nëse ata kanë pasur vullnetin për të biseduar  rreth këtyre çështjeve, të mërkurën ata janë të mirëseardhur”, përfundoi deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami për Bota sot”.

Ndërkohë, këtë platformë, Veseli ua ka dërguar gjithë liderëve të partive politike, nëpërmjet së cilës u bënë thirrje për krijimin e një ekipi të përbashkët të liderëve politikë me pjesëmarrje edhe të shoqërisë civile për shumë tema.

Ndërkaq, pesë temat që përfshihen në këtë dokument janë Dialogu me Serbinë, Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Themelimi i Ushtrisë së Kosovës, Agjenda e Integrimeve Evropiane dhe Reforma Zgjedhore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat