Deputetja e GDP: Platforma e Veselit për ta legjitimuar Thaçin në dialog me Serbinë - Bota Sot
Deputetja e GDP: Platforma e Veselit për ta legjitimuar Thaçin në dialog me Serbinë

Politika

E diel, 19 gusht 2018

Deputetja e GDP: Platforma e Veselit për ta legjitimuar Thaçin në dialog me Serbinë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 24 prill 2018 Në ora: 17:00
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Lidhja Demokratike e Kosovës ditë më parë bëri të ditur organizimin e një tryeze që do të mbahet nesër, ku janë të ftuara të gjitha partitë politike, e ku do të diskutohet për situatën aktuale në vend dhe mundësinë për të shkuar në zgjedhje.

Ndërsa, dje, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, e bëri publike platformën që synon konsensus politik dhe e cila përmbante disa pika, që janë çështje aktuale politike.

Në lidhje me këtë, deputetja e Grupit të Deputetëve të Pavarur të Kuvendit të Kosovës, Shqipe Pantina, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se nuk e di nëse Veseli e ka kopjuar platformën nga LDK, por e vlerëson si të zbrazët dhe pa ndonjë zgjidhje dhe që synon të legjitimojë presidentin Thaçi si drejtues të dialogut.

Image
Shqipe Pantina

“Nuk e di a e ka kopju, por platforma si e tillë është e zbrazët dhe nuk jep ndonjë zgjidhje. Krejt çfarë bën është thirrje për konsensus politik por nuk prezanton diçka të re, për më tepër është një përpjekje për ta legjitimuar Hashim Thaçin si drejtues i këtyre bisedimeve. Është vështirë të vazhdojë dialogu, kur fillimisht është nisur krejt gabimisht, e dyta një sërë marrëveshjesh që janë nënshkruar janë të dëmshme për Kosovën dhe në fund të kërkohet konsensus dhe të propozohet konsensusin, konsensusi arrihet pas diskutimeve të gjera, e jo t’i thuhet kjo është ajo që po mendoj unë, hajde tash ju pajtohuni me mua”, është shprehur ajo.

Sipas Pantinës, kjo platformë është e papranueshme pasi temat që janë në të nuk janë prioritet për qytetarët e Kosovës, derisa ka çështje më të rëndësishme.

“Nuk besoj se është diçka e pranueshme, për më tepër temat që janë propozuar, nuk janë tema që i kanë prioritet qytetarët, asociacioni nuk është prioritet për Kosovën, është luftimi i korrupsionit, luftimi i nivelit të ulët të arsimit, shëndetësisë, rritja e vendeve të punës, këto janë prioritete për qytetarët”, ka deklaruar deputetja Shqipe Pantina për “Bota sot”.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test