Liberalizimi i vizave, zyrtari i LDK-së kundërshton Haradinajn

Politika

Liberalizimi i vizave, zyrtari i LDK-së kundërshton Haradinajn

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 27 prill 2018 Në ora: 16:51
LDK

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar së fundmi se lajmi për liberalizimin e vizave do të merret para pushimit të verës.

Këtë deklaratë ai e bëri para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, në seancën kur po debatohej për Raportin e Progresit.

“Për vizat është vendosë, por ajo temë nuk është përfshirë në raport se vetë karakteri ka dedikim të caktum është një arritur e madhe fakti se i është rekomandu hapja e negociata dy fqinjëve tonë. Jam i bindur se ajo që na intereson neve, pra heqja e vizave, ajo do të ndodhë. Mendoj se para pushimit të verës do të na konfirmohet”,  tha Haradinaj.

Lidhur me këtë deklaratë dhe mundësinë që të kemi lajmin në atë periudhë kohore, zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bot sot”, ka thënë se BE shumë shpejt do të aprovojë liberalizimin e vizave, arsye për të cilën LDK votoi pro Demarkacionit.

Image
Bajram Gecaj

“Për hir te qytetarëve të Kosovës dhe lëvizjes së tyre të lirë shpresojmë se Bashkimi Evropian do të aprovojë sa më parë liberalizimin e vizave. Dhe mua ky interes i qytetarëve ishte arsyeja kryesore pse LDK kishte votuar pro ligjit mbi shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të cilit në vazhdimësi i referohemi gabimisht si demarkacion, edhe pse ishte mu kjo çështje e cila ishte keqpërdorur në mënyrën më primitive nga ana e partive tjera për të arsyetuar rrëzimin e Qeverisë Mustafa”, është shprehur ai.

Sipas tij, liberalizimi nuk do të ndodhë para pushimit të verës, por kurdo që të ndodhë, do të jetë për shkak të qeverisë Mustafa dhe LDK-së që ka sakrifikuar për këtë.

“Nëse kjo ndodhë do të jetë një lajm i mirë për Republikën e Kosovës, në veçanti për qytetarët e shtetit tonë të ri dhe njëkohësisht do të ishte meritë kryesisht e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila në vazhdimësi ka sakrifikuar interesin e ngushtë partiak për hir të interesit shtetëror dhe në të mirë të qytetarëve. Unë nuk besoj se do të kemi liberalizim para pushimit të verës, por, kurdo që të ndodhë, nuk do të ndodhë për shkak të kësaj qeverie, por për faktin se Qeveria Mustafa kishte përmbushur 94 nga 95 kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe tani ishte mu partia e tij e cila mundësoi përmbushjen edhe të kriterit të fundit, pra ligjit mbi shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi”, ka vlerësuar Gecaj.

Ai thotë se sa për qeverinë Haradinaj, vendi do të mbetej i mbyllur brenda kufijve, ashtu siç e mbajtën që nga viti 2015.

“Sa për Qeverinë Haradinaj, ky popull do të kishte mbetur i mbyllur brenda kufijve ende të papërcaktuara të Republikës së Kosovës edhe për një kohë të gjatë, ashtu siç e mbajtën të panevojshme dhe vetëm për hir të karriges që nga viti 2015”, ka përfunduar Bajram Gecaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat