Prokuroria dhe gjykatat duhet të lirohen nga kuadri i paaftë dhe i dyshimtë

Politika

Prokuroria dhe gjykatat duhet të lirohen nga kuadri i paaftë dhe i dyshimtë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 29 prill 2018 Në ora: 08:04
Pallati i Drejtësisë

Vettingu vazhdon të jetë një ndër çështjet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë e cila duhet ë ndodh në vend. Por, një gjë e tillë po shihet si e panevojshme nga Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri.

Tahiri, ditë më parë deklaroi në Kuvendin e Kosovës se  vettingu, nuk është zgjidhje për Kosovën.

Për më tepër, ai pati shtuar se duhet të bërë rritja e numrit të gjyqtarëve para procesit të Vettingut.

“Vettingu nuk mendoj që është zgjidhje për Republikën e Kosovën, ne duhet të rrisim numrin e gjyqtarëve, kemi më së paku në rajon, zgjidhje kemi 125 gjyqtarë në 100 mijë banorë e Maqedonia ka 135 gjyqtarë për 100 mijë banorë”, ka theksuar Tahiri në Kuvendin e Kosovës.

Por, ka mendime të kundërta nga ato të Tahirit, pasi që po vlerësohet se duhet që ky proces të nisë sa më parë, përkundër që nuk ka vullnet politik nga pushteti si dhe është potencuar si pjesëmarrës në këtë çështje duhet të jenë ekspertë ndërkombëtar, për arsyeje që të jetë i besueshëm dhe të drejtë.

Deputeti thotë se duhet pasur kujdes me “vettingun”

Image
Korab Sejdiu

Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Korab Sejdiu  a thënë për “Bota sot” se verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe se ky proces duhet të niste sa më parë.

“Vetingu, apo thënë më mirë në shqip, verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm, por natyrisht, jo si diçka nga e cila mund të presim mrekulli, nëse nuk është pjesë e një reforme më të thellë.  Po ashtu, është një proces që duhet nisur sa më parë që është e mundur. Mirëpo, duhet të jemi të përkushtuar që ky proces te jetë i besueshëm dhe i drejtë”, ka deklaruar Sejdiu.

Ai ka sugjeruar që në këtë proces të verifikimit të jenë pjesëmarrës ekspertë ndërkombëtar, në mënyrë që të mos lejohet që të jepet përshtypja nga pushteti se po bëhet diçka me drejtësinë.

“Pra, duhet të sigurohet që procesi të ketë pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të ekspertëve ndërkombëtar dhe në asnjë mënyrë të mos jetë edhe një “show” i krijuar nga forcat aktuale në pushtet për të dhënë përshtypjen se po bëhet diçka lidhur me drejtësinë e rrënuar.  Po ashtu, nuk guxojmë të lejojmë që verifikimi të përdoret si armë për eliminimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk i binden urdhrave politik të klasës aktuale në pushtet”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Sejdiu insiston që verifikimi duhet të bëhet vetëm si pjesë e një reforme të sinqertë, për të cilën nuk beson se ka vullnet politik nga pushtetarët aktual.

“Për më tepër, verifikimi duhet të instalohet si proces i vazhdueshëm, kur në vazhdimësi një numër i caktuar i gjyqtarëve dhe prokurorëve të zgjedhur në mënyrë rëndomë i nënshtrohen verifikimit.  Kjo siguron që të mirëmbahet pastërtia e gjyqësorit dhe prokurorisë edhe pas përfundimit të verifikimit gjithëpërfshirës.  Por, edhe një herë, insistoj që verifikimi duhet të bëhet vetëm si pjesë e një reforme të sinqertë, për të cilën nuk besoj se ka vullnet politik nga pushtetarët aktualë, pasi që një drejtësi efektive nënkupton edhe përfundimin e karrierave të tyre politike”, ka përfunduar deputeti Sejdiu për “Bota sot”.

Gjoshi: Ka mungesë të vullnetit politik

Image
Adrian Gjoshi

Ndërkaq, avokati Adrian Gjoshi, ka thënë për “Bota sot” se partitë politike në vend nuk kanë vullnet politik për t'i hyrë procesit të vettingut.

“Është fakt se, Vettingu nuk mund të ndodh pa pasur vullnet politik. Vullneti politik është parakusht për të pasur një ekzaminim të plotë dhe të gjithmbarshëm të sistemit të drejtësisë në vend. Po ashtu, është fakt se, partitë politike nuk kanë vullnet politik për t'i hyrë procesit të vettingut”, ka thënë ai.

Gjoshi e sheh si urgjencë shtetërore vittingun, duke thënë se që pushteti gjyqësor ka dështuar të jetë i pavarur nga politika dhe grupet e interesit.

"Edhe pse formalisht pushtetet janë të ndara dhe duhet funksionuar në mënyrë të pavarur, në praktikë, pushteti gjyqësor ka dështuar të jetë i pavarur nga politika dhe grupet e interesit. Rritja e numrit të gjyqtarëve ka qenë dhe është kërkesë më se e arsyeshme, mirëpo, vettingu është urgjencë shtetërore dhe duhet të ndodh sa më parë”, ka deklaruar Gjoshi për “Bota sot”.

Kelmendi: Prokuroria dhe gjykatat duhet të lirohen domosdo nga kuadri i paaftë dhe i dyshimtë

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, ka thënë për “Bota sot” se çështja e sistemit të drejtësisë është mjafte komplekse dhe kërkon një veprim të gjithanshëm.

Image
Muhamet Kelmendi

“Nuk mund të zgjidhet dhe të ndërtohet një sistem juridik ligjor me rritjen e numrit të gjyqtareve dhe te prokuroreve. Natyrisht se kjo është gjë e mirë, por jo themelore në drejtim të shtetit ligjor. Drejtësia, pra, prokuroria dhe gjykatat duhet të lirohen domosdo nga kuadri i paaftë dhe i dyshimtë.  E kjo realizohet jo me rroga të majme dhe me numër, po me kualitet dhe përkushtueshmëri të kuadrit”, ka thënë Kelmendi për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka theksuar se ligjet e reja dhe zgjerimi i kuadrit nuk  ndikon në ligjshmëri, pasi që nevojitet Vetting-u.

“Thuhet se ligjet e reja dhe zgjerimi i kuadrit ndikon në ligjshmëri. Jo. Shteti i se drejtës ndërtohet vetëm me përgjegjësi. Ajo vjen nga kuadri dhe nga përkushtueshmëria. Këtu lypset domosdo Vetting. Tjetër rrugë nuk ka, sepse me masat e tilla të ministrit, vetëm zgjatet letargjia e sistemit prokurorial dhe gjyqësor. Ato janë masa pa masa. Masa për të ruajtur pushtetin. Asgjë tjetër”, ka përfunduar Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat