Vetëvrasja si zgjidhje, këto janë arsyet që po ndodhin këto raste në Kosovë

Politika

Vetëvrasja si zgjidhje, këto janë arsyet që po ndodhin këto raste në Kosovë

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 29 prill 2018 Në ora: 13:55
Foto ilustrim

Alarmante mbesin shifrat e fundit të vetëvrasjeve në Kosovë, e sidomos dy javët e fundit, ku tri nga vdekjet në qytete të ndryshme të Kosovës u cilësuan si vetëvrasje. Rasti i fundit ndodhi në qytetin e Gjakovës, ku sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, dyshohet se aktori i serialit “O sa mirë”, Art Kurti, njëherit  edhe zyrtar komunal të komunës së Gjakovës, ka kryer vetëvrasje.

“Ende nuk i dimë shkaqet e vdekjes, sipas hetimeve paraprake dyshohet që ka bërë vetëvrasje. Janë marr disa veprime hetimore dhe gjatë kësaj kohe janë duke u ndërmarr. Mirëpo ende është herët të flasim për këtë”, tha ditë më parë për mediat, kryeprokurori Selimaj.

Një rast tjetër i vetëvrasjes, ka ndodhur vetëm pak orë më pas nga vdekja e aktorit Kurti. Në orët e pasdites të së  mërkurës 52 vjeçari, Q.M u gjet i vdekur në pyllin e fshatit Kokaj të Komunës së Gjilanit. Ai dyshohet se kreu vetëvrasje me një pushkë. Hetimet lidhur me këtë rasë janë duke vazhduar.

Por si shkak mendohet që të jetë stresi të cilin i ndjeri e kishte përjetuar tash e një kohë.

“Afër trupit të viktimës është gjetur një pushkë gjysmë automatike”, bëri të ditur zëdhënësi i policisë në Gjilan, Ismet Hashani.

Këto janë vetëm dy nga rastet e vetëvrasjeve të kësaj jave në nivel vendi, derisa muajin e kaluar, pikërisht në qytetin e Gjakovës, me një revole e mbyti veten një person i moshës 45 vjeçare.

Në Gjakovë, para tre muajve u vetëvra edhe Kolë Marku, kurse në Gjilan para tre jave i dha fund jetës së saj 51 vjeçarja, infermiere e spitalit në këtë komunë, Xhylie Hajdari. E po ashtu në këtë muaj u vet-privua nga jeta polici 50 vjeç me inicialet B. I., i cili qëlloi vetën me armën e tij. Por as këtu nuk përfundon rasti i vetëvrasjeve. Me 20 mars një 16 vjeçare ra nga ballkoni i shtëpisë në qytetin e Shtimes me ç’rast i dha fund jetës. Edhe një i mitur nga fshati Verban i Vitisë e vrau vetën.

Ndërsa, janarin e këtij viti, lehona Blerinë Sejdiu Hodolli, u hodh nga një dritare e Klinikës së Gjinekologjisë.

Në banesën e fundit në këtë vit u përcoll edhe Shukrije Shala.

39 vjeçarja nga fshati Maxhun i Vushtrrisë, ia mori jetën vetes me anë një armë.

Pra statistikat tregojnë se vetëm për këta katër muaj 10 qytetar të Kosovës janë vetëvrarë. Në anën tjetër, në Policinë e Kosovës vetëm 4 vdekje janë cilësuar si vetëvrasje, të tjerat ende janë në proces të hetimit.

Sipas statistikave të Policisë, shumica e personave që bëjnë vetëvrasje i takojnë gjinisë mashkullore.

Policia jep detajet

Ndryshe, në vitin e kaluar në polici janë regjistruar 32 vetëvrasje si dhe 216 tentim vrasje. Shqetësues mbetet viti 2014, gjatë të cilit janë kryer 77 vetëvrasje dhe 261 tentim vrasje.

“Në tremujorin e parë të këtij viti janë, pas hetimeve të përfunduara, janë evidentuar katër (4) raste të vetëvrasjeve. Për vitet tjera po ua përcjellim këto të dhëna, te cilat tregojnë rënie te vazhdueshme te rasteve te vetëvrasjeve dhe kryesisht edhe te tentim vetëvrasjeve:

Viti 2014: Janë evidentuar: 77 vetëvrasje dhe 261 tentim vetëvrasjeje,

Viti 2015: Janë evidentuar: 60 vetëvrasje dhe 219 tentim vetëvrasjeje,

Viti 2016: Janë evidentuar: 37 vetëvrasje dhe 229 tentim vetëvrasjeje dhe

Viti 2017: Janë evidentuar: 32 vetëvrasje dhe 216 tentim vetëvrasjeje”, thuhet në të dhënat që Policia e Kosovës i ka dërguar.

Doktoresha tregon arsyet që mund të dërgojnë në vetëvrasje

Image
Melita Kallaba

Melita Kallaba, psikiatre, ka shpjeguar arsyet e mundshme që një person e shtyn deri në vetëvrasje.

Sipas saj, në aspektin psikologjik sigurisht nuk është aq  e thjeshtë më shpjegu sepse merren parasysh disa faktorë që mund të qojnë deri në vetëvrasje.

“Ne mundemi me mendu ndoshta vetëm për momentin problemet e jetës sepse ato janë njeri prej faktorëve por në anën tjetër janë edhe faktorët biologjik apo vetë natyra e personalitetit të personave të cilët arrin në shkallen sa t’ia marrin jetën vetes. Faktorët e rrezikut munden më qenë në radhë të parë edhe mosha sepse më rritjen e moshën mundet me qenë edhe mundësia që më shkaktua vetëvrasje e sidomos tek pjesa e varfër, por ka raste edhe kur mosha 20 deri 30 vjeçare, mandej edhe gjinia luan rol sepse në bazë të studimeve që janë bëre më herët meshkujt kryejnë vetëvrasje më shumë se femrat, ndoshta për shkak të përgjegjësive të jetës të cilat vetë shoqëria jonë i ngarkon më ma shumë përgjegjësi familjare meshkujt”, ka thënë për “Bota sot” psikiatria Kallaba.

Sipas saj, është situata familjare, gjendja martesore e personave, ajo që ndikon, pasi që thuhet se njerëzit që janë të vetmuar janë më të ekspozuar ndaj vetëvrasjes.

Shëndeti fizik luan një rol të veçantë, sepse personat mund të kenë ndonjë sëmundje që e dërgojnë në një gjendje depresive apo mund të kenë edhe probleme të shëndetit mendor apo një gjendje skizofrenike, arsye këto që sipas saj mund të dërgojnë tek vetëvrasja.

“Tek gjeneratat e reja apo të moshës rinore sigurisht janë faktorët e jashtëm apo faktorët social, tek të rijnë faktorët e jashtëm që munden më ndiku për vetëvrasje është pamundësia për më realizu vetveten për më pas një jetë ashtu siç e donë të rinjtë dhe pa mundësia për të ec përpara në mënyrën e tyre, nuk ka rrugëdalje për shkollim ose për punësim, pastaj tek moshat më të vjetra sigurisht që ndikojnë edhe vështirësitë e ndryshme ekonomike financiare atëherë munden më dërgua personin edhe ne dëshpërim apo gjendje depresive e më pas edhe në vetëvrasje. Jemi një shoqëri e pasluftës dhe pasojat e saj dhe të traumave të papërpunuara barten në gjenerata dhe reflektojnë në jetën private dhe shoqërore të atyre që mund të jenë të prekur nga pasojat e saj”, ka shpjeguar për “Bota sot”, Melita Kallaba doktoreshë dhe psikiatre.

Flet sociologu Ferdi Kamberi:

Image
Ferdi Kamberi

Kurse, sipas sociologut Ferdi Kamberi, fenomeni i vetëvrasjeve është një ndër ato fenomenet i cili ka një histori të gjatë dhe çdo herë ka përcjellë shoqërinë.

“Me këtë fenomen nënkuptohet marrja e jetës së vetës pa të drejtë për shkaqe dhe rrethana të ndryshme. Sipas sociologut të njohur Dyrkem,  “vetëvrasja si fenomen nënkupton të gjitha rastet e vdekjes që rezultojnë në mënyrë direkte a indirekte prej aktit pozitiv a negativ të vetë viktimës, i cili e kupton se çka do të prodhojë rezultati i aktit të tillë”. Në këndvështrimin e tij, ekzistojnë këto forma të vetëvrasjes: a) altruiste, b) anomike c) egoiste dhe d) fataliste. Në Kosovë, vetëvrasja pas vitit 1999 është rritur dukshëm dhe të dhënat nga Policia e Kosovës theksojnë se janë mbi 900 raste të vetëvrasjes nga të dy gjinitë. Kurse, mosha e tyre sillet 16 – 45 vjeç. Vetëm në periudhën e fundit të vitit 2018 janë regjistruar mbi dhjetra raste të tilla, të cilat përbëjnë një shqetësim serioz për shoqërinë kosovare”.

“Për këtë me siguri ka disa faktorë: gjendja anomike – shkëputja e normave shoqërore, kriza e vlerave e cila ka prodhuar krizë të identetit, pastaj mungesa e profesionalizmit adekuat, mungesa e qendrave për trajtim shpirtëror. Faktor tjetër me rëndësi është edhe stresi posttraumatik, i cili zakonisht ndodh tek ato vende që kanë pasur periudhë konflikti. Andaj, nëse merret parasysh analiza e gjendjes faktike, do të shohim se pjesa më e madhe e personave që kanë përfunduar në vetëvrasje në kohën e konfliktit në Kosovë kanë qenë kryesisht në moshën madhore, gjë që jep një sinjal të qartë. Faktorë të tjerë janë edhe mungesa e përkrahjes sociale, kriza në sistemin e vlerave, faktorët socio-ekonomikë, mungesa e integrimit shoqëror. Për të vijuar me ndikimin e faktorëve të tillë si depresioni, stresi, mungesa e një afiliacioni”,  ka thënë sociologu Kamberi.

Sipas tij, në mënyrë që të minimizohet ky problem shoqëror, është e nevojshme që të ketë politika nga institucionet e Kosovës për integrimin e personave që kanë pasur tentim vrasje,

“Familja si institucion thelbësor duhet të ketë një komunikim me anëtarët e saj, të shtjellohen problemet dhe sfidat dhe individët që kanë probleme të marrin përkrahje nga familja, duhet të ketë faqe online të cilat e luajnë rolin e lehtësuesit (personit) motivues për përkrahje dhe komunikim me personat që kanë probleme të ndryshme, mediat, si agjense të socializimit, duhet bërë përpjekje që të krijojnë programe të ndryshme me ekspertë për këtë fenomen, në mënyrë që të kemi një vetëdijesim gjithëshoqëror, shoqëria shqiptare është në momentin që tani duhet të çlirohet prej komplekseve të inferioritetit dhe tabuve, e të debatojë për probleme shoqërore që mund të ndikojnë që të rinjtë t’i përballojnë problemet dhe sfidat”, përfundon sociologu, Ferdi Kamberi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat