Serbia të tregojë për fatin 1650 të pagjeturve të Kosovës

Politika

Serbia të tregojë për fatin 1650 të pagjeturve të Kosovës

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 1 maj 2018 Në ora: 13:49
Ilustrim

“Qeveria duhet të  jetë më këmbëngulës për zbardhjen e të pagjeturve, duhet të ngulin këmbë te bashkësia ndërkombëtare që ata të ushtrojnë presion tek qeveria e Serbisë që të kemi edhe 1600 trupa që mbahen ende edhe pas 19 viteve në Serbi, e kjo po mungon”, ka thënë për “Bota sot”, Kryetarja e Shoqatës “Thirrjet e nënave” Nysrete Kumnova.

Fati i 1650 personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, ende nuk dihet. Eshtrat e tyre nuk dihet nga janë tretur. Gjithçka është jo reale dhe e turbullt për  familjet e tyre, derisa ajo që i mban gjallë, janë vetëm kujtimet e fëmijërisë dhe ëndrrat për një të ardhme sigurisht më të ndritshme se kjo e tashmja.

Familjarët e të pagjeturve, i kujtojnë ata vetëm duke ua parë veshjet apo gjësendet e tyre. Ata thonë, se nuk do të frymojnë asnjëherë të qetë, derisa të mos kenë një varr për të derdhur lotët dhe për ta ditur se ne atë vend pushojnë të qetë më të rëndësishmit e tyre.

27 prilli shënoi Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve. Kjo ngjarje u përcoll me homazhe të zakonshme tek përmendorja e ngritur për nder të të pagjeturve, tek ndërtesa e Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi organizoi edhe një seancë lidhur me këtë çështje, mirëpo pikërisht në momentin kur duhej te votohej rezoluta për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur me forcë bazuar në të drejtën ndërkombëtare, përfshirë konventën e Gjenevës të vitit 1949 dhe në protokollin shtesë numër 11977, kuvendi mbeti pa kuorum dhe rezoluta, u la të votohet në seancën e 3 majit, kur është planifikuar të mbahet seanca plenare e radhës.

Ndërsa, familjarët janë shprehur të zhgënjyer për faktin se institucionet nuk kanë punuar sa duhet për të mësuar më shumë rreth fatit të tyre.

Mirëpo, a ka ndonjë strategji konkrete Qeveria e Kosovës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, falsin deputetë, anëtarë nga Komisioni për të Pagjeturit, familjarë te dëshmoreve dhe analistë.

135 persona të zhdukur, ishin të moshës 18 vjeçare, 332 persona ishin mbi moshën 65 vjeçare, ndërsa të moshës 19 – 64 vjeçare, ishin 1183 persona të zhdukur.

Raporti i Qeverisë

Gazeta “Bota sot”, kontaktoi edhe me zyrën për komunikim të Qeverisë se Kosovës ku janë shprehur se ky problem trajtohet me prioritet të veçantë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes mekanizmave kompetentë institucionalë.

Tutje, nga Qeveria konfirmuan se në territorin e Serbisë, përmes edhe presionit të bashkësisë ndërkombëtare, janë hapur katër lokacione të vend varrezave masive, si lokacioni në Batajnicë, afër Beogradit, lokacioni në Petrovosello, afër Kladovës në kufi me Rumaninë, lokacioni afër Liqenit të Peruqacit, në kufi me Bosnjë dhe Hercegovinën, si dhe lokacioni në Rudnicë, të Rashkës, ku nga këto katër lokacione janë zhvarrosur mbetjet mortore të më shumë se 900 personave, viktima të luftës, të cilat gjatë luftës janë bartur në territorin e Serbisë, në përpjekje të institucioneve të Serbisë që përmes fshehjes së kufomave të mbulohen edhe gjurmët e krimit.

“Çështja e personave të zhdukur, si një nga temat më të dhimbshme që ka vendi, është çështje që trajtohet me prioritet të veçantë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes mekanizmave kompetent institucional. Aktualisht, janë edhe 1650 persona të zhdukur, si pasojë e Luftës së viteve 1998 – ’99, në Kosovë, pra janë më shumë se njëmijë familje që vazhdojnë të jetojnë më dhimbjen, ankthin dhe pritjen për të mësuar të vërtetën për më të dashurit e tyre. Dhe kjo para se gjithash, nënkupton që institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë me angazhimin maksimal, në koordinim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë me kërkesën për të shtuar presionin ndaj Serbisë, që Beogradi zyrtar të përgjigjet dhe të jap llogari, për të zhdukurit dhe gjitha krimet me përmasa gjenocidiale të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë dhe luftërave tjera në Ballkan, gjatë viteve të nëntëdhjeta”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të Qeverisë së Kosovës.

Po ashtu, në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës thuhet se, aktualisht, ekspertët mjekoligjorë vendor dhe të EULEX-it, në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Policisë së Kosovës, institucioneve komunale dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, janë duke punuar në një lokacion në Komunën e Gjakovës.

“Ky lokacion, së bashku edhe me dy lokacione tjera, përkatësisht lokacioni në Lupç, komuna e Podujevës dhe lokacioni në Tusuz, Komuna e Prizrenit, janë bartur nga viti i kaluar si të papërfunduara. Posa të përfundojnë gërmimet në këto lokacione, do të vazhdohet me gërmimet e nevojshme vlerësuese edhe në të paktën pesë lokacione tjera për të cilat tashmë janë siguruar urdhëresat nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Si dhe së bashku me zyrtarët e Njësitit të Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe institucioneve tjera kompetente, është duke u punuar, në kuptimin e mbledhjes dhe përpunimit të informatave për disa raste/lokacione të reja”, thotë Qeveria.

Për Qeverinë e Kosovës, shqetësuese mbesin lokacionet, tashmë të shënjuara brenda territorit të Serbisë, për të cilat përkundër të dhënave dhe kërkesave të prezantuara, ende nuk ka ndonjë datë nga institucionet e Serbisë për fillimin e punimeve në këto lokacione.

 Gjithashtu, Qeveria ka njoftuar se, vetëm gjatë këtyre katër muajve, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, familjeve iu janë kthyer për rivarrim mbetjet mortore të tre personave, që ishin të evidentuar si të zhdukur gjatë luftës, si dhe janë realizuar një sërë njoftimesh zyrtare të familjeve me rastin e identifikimit të familjarëve të tyre të zhdukur.

Image
Albulena Balaj-Halimaj

Me shumë presion ndaj Serbisë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, njëherit edhe anëtare në  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka thëne për “Bota sot” se në fazën finale të dialogut çështja e të zhdukurve duhet të shndërrohet në një nder prioritete e Kosovës.

“Fatkeqësisht për çështjen e të zhdukurve është bërë pak nga të gjitha qeveritë e pasluftës. Kjo çështje fatkeqësisht nuk është trajtuar në nivelin e duhur për shkak të presionit të vogël që është ushtruar nga faktori ndërkombëtar, sepse Kosova ka pasur mundësi të ushtrojë më shumë presion. Presim që në të ardhmen, me rritjen e presionit ndërkombëtar mbi Serbinë kjo çështje do të merr vendin e merituar. Sidomos në fazën finale të dialogut çështja e të zhdukurve duhet të shndërrohet në një ndër prioritetet e Kosovës, sepse pa u shëruar plagët që i ka shkaktuar krimi i gjenocidit serb nuk do të mund të ketë paqe të qëndrueshme”, ka thënë Halimaj.

Image
Mexhide Mjaku Topalli

Bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, lidhur me të pagjeturit

Deputetja e Kuvendit, njeherësh anëtare në Komision Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Mexhide Mjaku Topalli, ka thënë për ”Bota sot” , se Strategjia për Zgjerim e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, në njërën nga pikat e planit aksional për shtetet që duan integrim në BE nënvizohej nevoja e përfshirjes në procesin e ballafaqimit me të kaluarën, mirëpo në momentin e fundit është hequr një dritare për të zbuluar të vërtetën për të pagjeturit dhe për llogaridhënien.

“Mund të them se nuk është më ndryshe gjendja as në Bosnjë e Kroaci. Përpjekje ka pasur për të adresuar këtë çështje, përpos konferencave në Kuvend është mbajtur seancë dhe janë votuar rekomandimet, tashmë po punojmë si komision për plotësimin dhe ndryshimin e ligji. Qasja në përpjekjet për mësimin e fatit të personave të pagjetur nuk duhet të jetë e segmentuar, duhet bashkëpunim ndërmjet dy shteteve. Kosova fillimisht numëronte 4400 persona të pagjetur, kurse aktualisht mbesin 1658, prej tyre 1300 shqiptare, kurse të tjerët jo shqiptarë. Në Bosnje ende nuk dihet për fatin e rreth 10 mije të pagjetur po ashtu e njëjta gjendje qëndron edhe ne Kroaci dhe Maqedoni”, ka deklaruar ajo.

Tutje, Topalli ka theksuar se njëra nga pikat e planit aksional për shtetet qe duan integrim ne BE ishte edhe nevoja e përfshirjes ne procesin ballafaqimit, mirëpo ne momentin e fundit është hequr kjo pikë.

“Strategjia për Zgjerim e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, në njërën nga pikat e planit aksional për shtetet që duan integrim ne BE nënvizohej nevoja e përfshirjes në procesin e ballafaqimit me të kaluarën, mirëpo në momentin e fundit është hequr, një dritare për të zbuluar të vërtetën për të pagjeturit dhe për llogaridhënien. Në presim të kemi rekomandime, të cilat do të duhej të jenë një fije shprese për mijëra familje. Përfundimisht, duhet vendoset të lëvizë ky proces”, ka përfunduar Topalli.

Image
Nysrete Kumnova

Qeveria të jetë me këmbëngulëse

Kryetarja e Shoqatës “Thirrjet e nënave” , Nysrete Kumnova në një prononcim për “Bota sot”, ka thëne se duhet bërë presion mbi bashkësinë ndërkombëtare, e që pastaj ata te ndërhynë tek Serbia për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Institucionet  e Kosovës nuk kanë bërë asgjë lidhur me fatin e te pagjeturve, por kanë ngritur klasin e tyre, dhe kur na takojnë shprehin dhembjen për ndryshe është shumë shqetësues që nuk janë duke punuar asgjë hiç. Ndoshta nuk kanë kompetenca për të ndërhyrë  në Serbi, por për të bërë presion tek  bashkësia ndërkombëtare edhe ata pastaj të zbardhet fati i te pagjeturve. Qeveria duhet të  me jetë më këmbëngulës për zbardhjen e të pagjeturve, duhet të ngulin këmbë te Bashkësia Ndërkombëtare që ata të ushtrojnë presion tek qeveria e Serbisë që të kemi edhe 1600 trupa që mbahen ende edhe pas 19 viteve në Serbi, e kjo po mungon”, ka përfunduar Kumnova.

Image
Blerim Burjani

Serbia të tregojë se çfarë ka ndodhur me vrasjet

Kurse, njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani, ka thënë se Serbia duhet te kooperojë plotësisht në zbardhjen e rasteve të të pagjeturve si dhe të tregojë kryesit e veprave penale kriminale ndaj shqiptarëve.

“Mendoj se përveç çështjes së të pagjeturve një nga rastet që duhet të të jep përgjegjësi Serbia dhe të tregojë se çfarë ka ndodhur është edhe vrasja e Bajram Kelmendit dhe dy djemve të tij, Kastriotit dhe Kushtrimit. Serbia duhet të jep doemos përgjigje edhe për fatin e Ukshin Hotit, ku askush në dialog nuk ngriti deri më tani tema të tillë, dhe vërtet është për të ardhur keq se si mund t'i anashkalojnë këtë çështje sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nga ana tjetër Serbia po merret me temën e të pagjeturave, sikur të ishte thjesht një “humanitare” e jo një vrasëse”, ka thënë Burjani.

E deri në gjetjen e 1600 personave të zhdukur çdo ditë e familjarëve do të përcillet me dhimbje dhe dhembja do të jetë e shumëfishtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat