Ramush Haradinaj pa guxim, hedhë topin te Albin Kurti!

Politika

Ramush Haradinaj pa guxim, hedhë topin te Albin Kurti!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 7 maj 2018 Në ora: 08:02
Ramush Haradinaj, Albin Kurti

Gjatë javës së kaluar, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, edhe njëherë ka tentuar të heq nga vetja përgjegjësitë me të cilat ngarkohet si udhëheqës i vendit.

Ai ditë më parë në një emision televiziv, ka thënë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mund t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë. Një gjë të tillë e kishte propozuar edhe deputeti i Nismës Socialdemokrat,  Milaim Zeka, duke thënë se udhëheqës të bisedimeve me Serbinë do të duhej të ishte kryetari Albin Kurti.

Por, a është e gatshme Vetëvendosje dhe kryetari i saj Albin Kurti t’i marrë në dorë bisedimet e “nxehta” me Serbinë?

Të kontaktuar nga “Bota sot”, shumë deputetë nga Vetëvendosje kanë refuzuar që të flasin në lidhje me këtë çështje.

Ndërsa, njohës të çështjeve politike vlerësojnë se Qeveria është e dirigjuar nga Hashim Thaçi dhe ai po mundohet që ta shtrijë edhe me gjerë tërë përgjegjësinë e dëmeve që ia ka sjellë Kosovës gjatë bisedimeve me Serbinë në Bruksel.

Sipas tyre, Haradinaj po kërkon që me çdo kusht ta përfshijë edhe opozitën respektivisht VV-në, e cila në vazhdimësi ka kundërshtuar marrëveshjet e arriturat të cilat i kanë sjellë çdo herë dëm Kosovës.

Ata thonë, se një gjë e tillë assesi nuk do të ndodhë që Kurti të përfshihet në bisedime me Serbinë.

Zyrtari i LDK-së i quan broçkulla të Ramush Haradinajt

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i LDK-se dhe ish- zëvendësministër, Bajram Gecaj, duke folur rreth kësaj çështje ka thënë për “Bota sot” se këto janë broçkulla të Ramush Haradinajt, apo hedhje hi syve të popullit.

Ai konsideron se Ramush Haradinaj kishte zhvilluar një fushatë shumë agresive kundër qeverisë së kaluar, duke thënë se nuk ka pasur fuqi dhe guxim që të marrë vendime të mëdha.

“Derisa Kryeministri Mustafa është marrë me të gjitha çështjet shtetërore, si të mëdha ashtu edhe ato të zakonshme, kryeministri Haradinaj duket se nuk e ka as kapacitetin, e as vullnetin dhe madje as guximin që t’u afrohet çështjeve të mëdha, e mos të flasim për t'u marrë seriozisht me to. Na thotë se ka punë tjera, por kryeministrat nuk zgjidhen për punë tjera, por për ato me të rëndësishmet shtetërore. Punët tjera i kryejnë vartësit e kryeministrit, andaj edhe hedhja e topit tek Albin Kurti është vetëm zhvendosje e vëmendjes nga çështjet me të cilat nuk guxon të merret. Albin Kurti mund të merret me këto çështje, kur të jetë pjesë e qeverisë, apo si opozitë nga karriget e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Gecaj.

Përgjegjësia e PAN-it

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani, ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë assesi, pasi që koalicioni PAN ka fituar zgjedhjet dhe më së paku pritet të merret kush me përgjegjësi të huaj.

Sipas tij, kjo për faktin se përgjegjësia mbetet e PAN-it i cili emërtohej si koalicion i parave dhe i zhvatjes së buxhetit.

“Haradinaj nuk ishte korrekt madje as me rastin e 18 vjetorit të subjektit politik AAK. Ky subjekt ishte koalicion i partive dhe i individëve apo qytetarëve pasi prej vitit 2012 është formalisht AAK që cilësohet si subjekt i vetëm politik i regjistruar, përndryshe kjo parti ishte koalicion i partive dhe individëve e tani është vetëm Haradinaj  dhe tre a katër individ që thirren se janë shefa të këtij subjekti politik. Askush nga opozita nuk do t'i bashkohet për të marrë përgjegjësi të kotë për bisedime me Serbinë”, ka thënë Burjani.

Skenar i Thaçit

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti, ka thënë se  qeveria e dirigjuar nga Thaçi po mundohet që të shtrijë edhe më gjerë, tërë përgjegjësinë e dëmeve që ia ka sjellë Kosovës gjatë bisedimeve me Serbinë në Bruksel.

Sipas tij, Haradinaj po kërkon me çdo kusht të përfshihet edhe opozita, respektivisht VV e cila ka kundërshtuar gjithnjë marrëveshjet e arritura, të cilat në fakt edhe i kanë sjellë shumë dëm Kosovës.

“Në këtë sens deklarata e Ramushit në një emision televiziv tingëllon tentative, për t’ia lënë në duar VV-së dhe LDK-së, përgjegjësinë e tërë dëmeve që i ka arritur Thaçi në Bruksel. Gjithsesi, mendoj se Thaçi nuk është i duhuri për t'i përmbyllur këto bisedime,  të cilat më tepër i kanë sjellë dëme të mëdha vendit. Besoj se përfundimin e bisedimeve duhet t'i udhëheq një personalitet jashtë politikës, dhe i cili së pari do i rishikojë tërë marrëveshjet e arritura e pastaj edhe t'i japë fund, me njohjen e Kosovës nga Serbia. Besoj se edhe Albini edhe LDK-ja duhet të përfshihen në përmbyllje të këtyre bisedimeve, por vetëm pasi të rishikohen të gjitha marrëveshjet e deritanishme, të evidentohen dëmet që i kanë sjellë vendit, por kurrsesi Thaçi nuk duhet të jetë udhëheqës, pasi në çdo marrëveshje që Thaçi ka marrë pjesë Kosova gjithmonë ka humbur”, ka thënë Mehmeti.

Mungesë e përgjegjësisë

Image
Faton Abdullahu

Kurse, publicisti, Faton Abdullahu, ka deklaruar se është konstatim i thënë ad-hock i pamenduar gjatë dhe aspak serioz, madje ky veprim është taktizim dhe përpjekje për akuzë ndaj Kurtit më shumë se qasje serioze për të nxjerr përfitime në dialog me Serbinë.

Sipas tij, kryeministri Haradinaj dëshiron të gjithëve tua lë të drejtën për të biseduar me Serbinë vetëm që ai të mos e bëjë këtë.

“Kur ka bërë turr aq shumë që të bëhet kryeministër është jo fer para qytetarëve të Kosovës dhe sidomos votuesve të tij të heq dorë ashtu lehtë nga të qenët në krye të dialogut. Po të mendonte seriozisht kështu Kryeministri do ta bënte këtë ftesë jo përmes mediave dhe do ta bënte shumë më herët duke marrë iniciativë për të biseduar edhe me opozitën dhe t’i printe dialogut bashkë me ata. Krejt kjo është mungesë prirje për përgjegjësinë e asaj çfarë thotë, asgjë më shumë. Margaritarë të tillë do të kemi edhe në të ardhmen, fatkeqësisht”, ka përfunduar publicisti Abdullahu.

Kujtojmë se së fundi, Komisioni për Punë të Jashtme nuk e ka aprovuar platformën e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, pasi tri vota ishin për, derisa 6 ishin kundër. Megjithatë, kjo platformë do t’i shkojë seancës plenare me rekomandimin e këtij komisioni që të mos miratohet me përmbajtjen aktuale, për shkak se ka shumë mangësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat