“Gangsterët” qeveritarë që po “turpërojnë” Kosovën!

Politika

“Gangsterët” qeveritarë që po “turpërojnë” Kosovën!

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 7 maj 2018 Në ora: 10:31
Qeveria e Kosovës

Kritika të shumta ka pasur vazhdimisht nga opozita, shoqëria civile e analistët, për numrin e madh të zëvendësministrave në Qeverinë aktuale, të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj.

E kritikë për këtë dha së fundmi edhe përfaqësuesja e BE-së në Kosovë Natalya Apostolova, e cila ka thënë se është e dhimbshme kur flitet për administratën publike, e Kosova është vendi që ka 80 zëvendës ministra.

Madje, ajo tha se duan të shohin paratë të përdoren për reformë të mirëfilltë, e jo për paga të zëvendësministrave.

“Është e dhimbshme kur flasim për administratën publike. Kosova  është vendi që ka 80 zv/ministra. S’po dua të bëj krahasime me vendet tjera në regjion. Por, kuptoni çfarë dua të them. Në administratën publike në reformë të saj, kur ne shpenzojmë buxhetin në mbështetje më të madhe diku 75 milion. Ne dëshirojmë të shohim që këto para të përdoren për reformë të mirëfilltë, e jo vetëm për paga të zv ministrave”, ka thënë ajo.

LDK kërkoi zgjedhje të reja

Image
Bajram Gecaj

Lidhur me këtë, zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se një deklaratë e tillë duhet të merret seriozisht dhe se është çmenduri që të ketë aq shumë zëvendësministra.

“Deklarata e tillë duhet marrë me seriozitetin më të madh. E vetmja gjë që mund të bëjnë gjitha ata zëvendësministra është të merren me organizimin e “xhymave” në mënyrë që qeveria së paku të argëtohet të premteve. Disa ministri i kanë edhe nga 6 apo 8 zëvendësministra. Kjo është çmenduri. Gjashtë këshilltarë janë shumë, e mos të flasim për gjashtë zëvendësministra”, ka thënë ai.

Sipas Gecajt, Qeveria është e mbushur me të meta të tilla dhe andaj duhet të shkohet në zgjedhje.

“Ky është një keqpërdorim flagrant i hapësirës së veprimit të qeverisë. Kjo nuk është e vetmja e metë e kësaj qeverie, por se ajo është e stërmbushur me të tilla. E vetmja zgjidhje është organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, është shprehur Bajram Gecaj për “Bota sot”.

Kritikat e Apostolovës për zv/ministrat, Shahu tregon se si ajo ka mundur ta parandalojë

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se çështja e 80 zëvendësministrave është shaka e madhe e Evropës dhe se duhet të ketë shumë më pak.

“Natyrisht që duhet të ketë shumë më pak zëvendësministra sepse një shtet i vogël me 80 zëvendësministra është tashmë si shakaja e madhe e Evropës. Nuk mund të shërbejnë çokat me taksat e qytetarëve për të joshur parti e individë politikë”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, Apostolova ka të drejtë për qortimin e saj dhe që sipas tij ajo përmes institucionit që përfaqëson do të mund të kishte ndërhyrë që kjo të mos ndodhte.

“Zonja Apostolova ka shumë të drejtë me qortimin e saj për 80 zëvendësministra, por besoj se ajo mund të kishte ndërhyrë me anë të institucionit të saj, me anë të Brukselit që të mos ndodhte kjo histori, në thelb banale. Një qeveri gjen mënyra të tjera për të bërë bamirësira politike”, ka vlerësuar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Kërkohet zvogëlimi i numrit të ministrave

Image
Blerim Burjani

Në anën tjetër, juristi Blerim Burjani thotë së nuk është dashur që një gjë të tillë të na e përkujtojë përfaqësuesja e BE-së por është dashur ta dijë koalicioni PAN.

“Këtë është dashur ta dijë koalicioni PAN, e jo të na e përkujtojë Apostolova apo BE në vazhdimësi, kur dihet qartë se s’ka të ndalur prej viteve 2007 rritja e digasterëve qeveritarë përplot ministri dhe tash hiq më pak 22 ministri me 78 zëvendësministra e më së paku 50 këshilltarë politik që dëmtojnë rëndë buxhetin dhe nuk ofrohet asgjë me këta njerëz që rrinë kot dhe nuk kanë as zyre, e kanë degraduar plotësisht këtë post”, është shprehur ai.

Sipas Burjanit, jo vetëm zëvendësministrat por do të duhej të zvogëlohej edhe numri i ministrave.

“Koalicioni PAN është zhvatës i buxhetit, përfitues dhe kontrollues i parasë publike dhe sektorit privat, andaj krejt këto gjëra kanë bërë që është ardhur deri te këto shpenzime të mëdha, shumica e njerëzve prej ministrave janë anonim dhe zëvendësministra tërësisht anonim. Askush nuk i njeh për asgjë, kjo është e dëmshme, pra nuk ka njerëz profesionistë që mund të përfitojë qytetari prej tyre me programe e strategji. Do të duhej të hiqeshin të gjithë zëvendësministrat dhe të mbeten vetëm këshilltarët, këshilltarë profesionalë që po të jenë të tillë mund të kryejnë punët e ministrave”, ka deklaruar Burjani për “Bota sot”.

Kriter i BE-së

Image
Islam Krasniqi

Kurse, sipas analistit Islam Krasniqi, deklarata e Apostolovës duhet të merret seriozisht sepse ky është edhe një kriter që e ka kërkuar BE.

“Qeveria e Kosovës është shembull për stërngarkimin e institucioneve publike, ku në çdo sektor është mbingarkuar më militantë partiakë të pa kualifikuar. Deklarata e përfaqësueses së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova duhet të merret seriozisht, së ka qenë me vend sepse një ndër kriteret që BE-ja ka kërkuar nga Kosova është edhe reduktimi i punonjësve në institucionet publike, e jo të emërohen 100 zv. ministra, të cilët nuk i raportojnë askujt, nuk e dimë çfarë shërbimesh kryen, çfarë punojnë, pos asaj që paguhen nga taksat e qytetarëve, duke e dëmtuar buxhetin pa nevojë. Qeveria e Kosovës jo vetëm zv. ministrat por edhe ministrit duhet t’i zvogëlojë, sepse është një numër shumë i madh, për një shtet të vogël dhe më ato para të bëjmë reforma në arsim, shëndetësi apo t’i investojmë aty ku është më e nevojshme”, ka deklaruar Islam Krasniqi për ‘Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat