Policia e Kosovës, e gatshme dhe e aftë për arrestimet

Politika

Policia e Kosovës, e gatshme dhe e aftë për arrestimet

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 11 maj 2018 Në ora: 10:48
Njesia Speciale e Kosovës

Ditë më parë, Komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuoci,  gjatë një interviste për një medium vendor ka deklaruar se nëse është e nevojshme janë të gatshëm t’i ndihmojnë autoritetet e Kosovës të sigurisë për të kryer arrestime me rastin e ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale.

Ndërsa, nga Policia e Kosovës thonë se janë të gatshëm që t`i kryejnë punën e tyre karshi ligjeve zbatueshme të vendit.

Në anën tjetër, nga Gjykata Speciale nuk pranojnë që të flasin për çështjet operative.

Kurse, nga njohësit e çështjeve të sigurisë po vlerësohet që Policia e Kosovës është e përgatitur dhe në formë që të bëjë arrestimet nëse kërkohet një gjë e tillë nga Gjykata Speciale.

Policia gati

Nga zyra për informim e Policisë së Kosovës, kanë thënë për “Bota sot” se veprimet ndërmerren konform autorizimeve ligjore.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe i vendimeve të ligjshme të institucioneve relevante, si dhe të gjitha veprimet e saj i ndërmerr konform autorizimeve ligjore që ka, në zbatim të kushtetutës dhe ligjeve të aplikueshme në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e kthyer për “Bota sot” nga zyra për informim.

Ndërsa, i kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, zëdhënësi i Gjykatës Speciale Chris Bennett, nuk ka dashur që të flas rreth mënyrës se si do të kryhen arrestimet dhe nga kush.

“Ne nuk japim informacione për çështjet operacionale”, thuhet në përgjigjen e kthyer nga Bennett për “Bota sot”.

Image
Ramadan Qehaja

Qehaja: PK është e aftë për t`i kryer detyrat 
Ndërsa, njohësi i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka deklaruar për “Bota sot” se Polica e Kosovës është e aftë që t`i bëjë arrestimet.

“Kujtoj se përgatitjet për tu përballur me drejtësinë nga gjykata speciale janë të bollshme aq më parë që vet e kemi pranuar këtë gjykatë. Konsideroj se PK është e aftë për t`i kryer detyrat  që kanë të bëjnë me arrestimin e të dyshuarve. Kuptohet se në këtë drejtim ka rol eprori i cili urdhëron kryerjen e këtyre detyrave”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai nuk pret që do të ketë arratisje nga personat që do të akuzohen nga Gjykata Speciale, ndërsa shton se njësitë e KFOR-it nuk janë të paraparë që të kryejnë detyra policore.

“Nuk më merr mendja se do të ketë arratisje për shkak të aktakuzave nga Gjykata Speciale sepse të akuzuarit herëdokurdo do të ballafaqohen me drejtësi. Njësitet e KFORI-t nuk janë të parapara për detyra policore. Sidoqoftë ato do të jenë në gatishmëri kur kemi të bëjmë me sigurinë e tërësishme në Kosovë”, ka theksuar Qehaja për “Bota sot”.

Image
Hajrullah Tërnava

Vendimet e Speciales duhet të jenë të zbatueshme në Kosovë

Nga ana tjetër, njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava ka treguar për “Bota sot”, se nga vet fakti që po afrohet koha e  funksionimit të Gjykatës Speciale edhe deklarata e Komandanti Cuoci  është e kuptueshme.

“Tani kur po ofrohet koha e funksionimit të Gjyqit Special edhe Komandanti i KFOR-it Salvadore Cuoci është deklaruar se nëse është e nevojshme janë të gatshëm t`i ndihmojnë  autoritetet e Kosovës të sigurisë për të kryer arrestime me rastin e ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale. Me vet faktin e deklarimit te tij në këtë mënyrë, e sidomos duke e pas parasysh rolin e KFOR-it në Kosovë, është e kuptueshme se po qe nevoja ata do ti ndihmojnë institucionet e Kosovës për këto arrestime”, ka shtuar ai.

Për më tepër, ai  thotë se Polica e Kosovës është e përgatitur që në çdo kohë dhe momente që e kërkon nevoja në jetësimin e ligjeve të Kosovës.

“Mos të harrojmë se policia e Kosovës tani është një polici e përgatitur dhe në formë të mirë të ushtrimeve të detyrave të saja, në çdo kohë dhe momente që e kërkon nevoja në jetësimin e ligjeve të Kosovës. Më në fund edhe vet Parlamenti i Kosovës e ka dhënë lejen për formimin e këtij Gjyqi Special, gjë që tani është e kuptueshme se edhe policia dhe institucionet tjera të Kosovës do të jenë kooperative me këtë gjyq në fjalë,  dhe vendimet e këtij gjyqi duhen të jenë të zbatueshme në Kosovë, gjithmonë në përputhje me ligjet e Kosovës në fuçi”, ka thënë ai.

Rezistencë nga të akuzuarit?

Sipas Tërnaves, nuk do të ketë rezistencë apo arratisje nga të akuzuarit e mundshëm të Gjykatës Speciale.

“Mendoj se nuk do të ketë rezistencë apo arratisje nga drejtësia e Gjykatës Speciale nga të akuzuarit, por edhe nëse ndodhin ato rezistenca apo arratisje, policia do të veproj  konfrom ligjit ndaj atyre personave të akuzuar, dhe do t`i arrestoj ata dhe do ti dorëzoj gjyqit në fjalë”, ka përfunduar Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat