Mbi PSD-në, VV-në dhe opozitën e përçarë

Politika

Mbi PSD-në, VV-në dhe opozitën e përçarë

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 13 maj 2018 Në ora: 22:02
Kuvendi i Kosovës

Skenës politike në Kosovë nuk i është shtuar një parti e re politike, ashtu siç pritej pas largimit të një pjese të deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje.

Grupi i Deputetëve të Pavarur, e kanë gjetur veten tek Partia Social Demokrate e Kosovës, e cila në Kuvendin e jashtëzakonshëm të mbajtur javën e kaluar, zgjodhi Shpend Ahmetin Kryetar. 

Në këtë mënyrë, një parti pa asnjë deputet në Kuvendin e Kosovës, tashmë do t`i ketë plot 12 të tillë. Po ashtu, e njëjta parti do të udhëheqë edhe me Komunën e Prishtinës, e cila drejtohet nga Shpend Ahmeti.

Një alternativë të re social demokrate e prezantonin kohë më parë, Dardan Molliqaj i cili ishte ende pjesë e Lëvizjes dhe Ilir Deda që po bëhej gati ta braktiste atë.

Është më se e qartë se socialdemokracia, në Kosovë nuk ka qenë edhe shumë e popullarizuar, për shkak të së kaluarës.

“Nëse e specifikojnë socialdemokracinë si rruge të tyre, në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje mundet me ardhë sërish deri te një ndarje në mes nacionalisteve dhe të majtëve, por mundet me ju bashkëngjite edhe ndokush nga ish krahu socialdemokrat i cili gati se është i shuar”, kishte parashikuar publicisti Fadil Lepaja para më shumë se një viti.

Ky parashikim doli i saktë. Mirëpo, ky bashkim i “socialdemokratëve”, nuk solli asgjë të re në skenën politike të Kosovës, e cila është e mbingarkuar me parti politike.

Nga përvojat e kaluara, partitë e vogla, ndër to edhe PSD që sot e drejton Ahmeti, kanë shërbyer si “paterica”, të partive të mëdha, për t`ua bërë numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë.

Ndonëse, zyrtarët e rinj të PSD-së, kanë mohuar një bashkim të mundshëm me partitë në pushtet, PSDK e vjetër, në qershor të vitit të kaluar, në kohën e koalicioneve parazgjedhore, kishte nënshkruar koalicion AAK-në e cila aktualisht drejton qeverinë e Kosovës.

GDP po e vuan “shijen e hidhur” të largimit nga Vetëvendosje. Bashkimi me PAN-in, përbën një nga mëlmesat pikante të kësaj shijeje. 

Mirëpo,  duke marrë për bazë skenën politike në Kosovë dhe mënyrën si bëhet politikë, nuk do të na befasonte fare një vet-dëshirë e PSD-së së re për t`iu bashkuar koalicionit qeverisës.

Kujtojmë, se muaj më parë burime të gazetës “Bota sot”, kishin deklaruar se Qeveria Haradinaj do të mbijetojë, pikërisht për shkak të përkrahjes nga GDP-ja që tani është shkrirë në PSD.

Kjo situatë nuk jep shpresa për një opozitë të bashkuar në Kuvendin e Kosovës. Për më tepër, që PSD dhe Vetëvendosje ende vazhdojnë t`i kenë plagët e freskëta nga e kaluara e përbashkët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat