Deputeti i LDK-së: Emrin nuk ia dinë, si ia arsyeton Haradinaj punën zv-ministrit të tij

Politika

Deputeti i LDK-së: Emrin nuk ia dinë, si ia arsyeton Haradinaj punën zv-ministrit të tij

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 14 maj 2018 Në ora: 13:04
Takimi me zëvendësministrat

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mëngjesin e sotëm ka pritur në takim pune zëvendësministrat në Qeverinë e Republikës së Kosovës, për të diskutuar rreth angazhimit të tyre institucional.

Siç njofton komunikata nga zyra e tij, aty thuhet se nga raportet që ka pranuar, ka kuptuar që për këto muaj ka pasur angazhim konkret nga ana e zëvendësministrave.

E, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani, në një prononcim për “Bota sot”, duke komentuar punën e zëvendësministrave, tha se e vetmja punë konkrete e tyre, janë shpenzimet e jashtëzakonshme në dëm të buxhetit.

Image
Naser Osmani

“E vetmja punë konkrete e tyre është se kanë bërë shpenzime të jashtëzakonshme në dëm të buxhetit të Kosovës, me përjashtim të ndonjërit nga zëvendësministrat. Por, ata thjesht nuk e kanë arsyetuar asnjëherë shpenzimin e lërë më ndonjë veprim institucional, i cili kishte mundësuar për të mbuluar me pozitën që kanë. Të paktën ne si deputetë ose unë si deputet nuk kam dëgjuar”, u shpreh ndër tjerash deputeti Osmani.

Tutje, ai thotë se nuk është normale që në një shtet me institucione në konsolidim e sipër, të ketë një numër kaq të madh të zëvendësministrave.

“Është ajo që e kemi thënë dhe vazhdojmë ta themi se është abnormale në një shtet, me institucionet të cilat i ka në konsolidim e sipër, me një buxhet të limituar, me një popullsi të kufizuar të ketë një numër kaq të madh të ministrave, e sidomos të zëvendësministrave. Asnjë kryeministër i kthjellët nuk mundet të japë ndonjë arsyeshmëri për numrin e tyre apo për institucionalizimin e tyre. Ky nuk është mendim i imi, por i gjithë atyre që unë të paktën kam biseduar me deputetët, jo vetëm të opozitës, por edhe të pozitës. Nuk arsyetohet numri i tyre, duke e ditur që brenda një ministrie ka deri në katër zëvendësministra”, tha ai.

Krejt në fund, deputeti Osmani tha se një kryminister i kthjellët nuk mund të arsyetojë asnjëherë punën e një zëvendësministri, të cilit as emrin nuk ia dinë.

“Një kryeministër i kthjellët nuk mund të arsyetojë punën e një zëvendësministri, të cilit të paktën as emrin nuk ia dinë, e lërë më, të arsyetojë punën e tij”, përfundoi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat