Vrasja për të cilën po akuzohet presidenti, kush është Behadin Hallaqi? Ja ku ishte parë me Thaçin në momentet e fundit - Bota Sot
Vrasja për të cilën po akuzohet presidenti, kush është Behadin Hallaqi? Ja ku ishte parë me Thaçin në momentet e fundit

Politika

E hënë, 16 korrik 2018

Vrasja për të cilën po akuzohet presidenti, kush është Behadin Hallaqi? Ja ku ishte parë me Thaçin në momentet e fundit

Nga: P.R Më: 16 maj 2018 Në ora: 11:57
Hashim Thaçi dhe Behadin Hallaqi

Deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Milaim Zeka, gjatë një emisioni televiziv, gjatë mbrëmjes së kaluar ka tronditur opinionin publik me një deklaratë të cilën e ka dhënë.

Zeka ka deklaruar se kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, që vjen nga radhët e PDK-së, ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi për një vrasje të rëndë.

Sipas Zekës, Lladrovci, Thaçin e akuzon për vrasjen e Behadin Hallaqit.

“Ekzistojnë tri letra me nënshkrimin e Ramiz Lladrovcit të vitit 2003, ku ai e akuzon presidentin Thaçi për një vrasje të rëndë të një njeriu, i cili sot është dëshmor në Kosovë. E akuzon për vrasjen e Behadin Hallaqit, po e them me emër. Thaçi thotë se si është e mundur ky njeri të bëhet kaq i pasur, përpos me keqpërdorimin e fondeve ‘Vendlindja Thërret’. Akuza e dytë e Thaçit për Lladrovcin është se ky njeri është duke punuar për shërbime ndërkombëtare, për shërbime të inteligjencës së KFOR-it e të tjera”, ka thënë Zeka, ku sipas tij, Lladrovci kishte kërkuar disa herë takime me Thaçin.

Ndërkohë Ramiz Lladrovci gjatë ditës së sotme e ka mohuar këtë.

“Nuk po i publikoni ato që pretendoni, sepse nuk ekzistojnë, as çanta, as incizime as letra denoncuese. Nuk ekzistojnë, ato janë pjesë e imagjinatës tuaj të sëmurë, të metodës shpif, shpif se diçka mbetet. Boll Milaim Zeka. Boll. Boll shpife. Edhe sa rrena do të thuash para mediave gjoja se po i thua për herë të parë. Deri kur kështu o gazetaruc?!! Dhjetëra lajme të rreme në tri fushatat e kaluara i keni promovuar si të vërteta, prej të cilave nuk doli asgjë. Asgjë nuk doli me gjithë paralajmërimet e juaja të subvencionuara. Sepse, ju vetëm shpifni. Në tri fushata, janë paralajmëruar çanta të zeza me dokumente kompromituese, ishin paralajmëruar video incizime, ishin paralajmëruar letra sekrete e letra denoncimi, por kurrë asnjë herë, nuk i publikuat”, ka shkruar ndër tjerash Lladrovci në faqen e tij në facebook.

Por kjo nuk është hera e parë që Thaçi akuzohet për këtë vrasje.

Kohë më parë, ishte deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ai i cili kishte kërkuar sqarime nga Presidenti për këtë vrasje.

Sipas Aliut, Thaçi ishte i fundit që e kishte parë atë, prandaj nga ai kërkohet sqarim rreth fatit të Hallaqit.

“Në momentin kur u vra Behajdin Hallaqi, Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së. Ai u shpall hero por nuk i dihet varri. Thuhet se ai ishte nisur nga Drenovci me Hashim Thaçin. Nuk po kërkoj asgjë më shumë se një sqarim nga ai dhe kështu sqarohen shumë gjëra”, kishte thënë Aliu në Kuvend në kohën kur Thaçi ishte kryeministër i vendit.

Aliu madje kishte cekur edhe vendin e fundit ku Thaçi ishte parë së bashku me Hallaqin.

““Kemi një kryqëzim të pashmangshëm të këtyre figurave. Bahajdin Hallaqi ishte sekretar i LPKR-së që nga themelimi i saj... por në momentin kur vritet, atij nuk i dihet varri e Hashim Thaçi është drejtor politik i UÇK-së. Behajdini u shpall hero, por nuk i dihet varri. Askush nuk di se ku dhe si u vra. Thuhet se për të fundit herë ishte nisur nga Drenovci i Rahovecit me Hashim Thaçin. Unë nuk po kërkoj asgjë më shumë e as më pak sesa ai të sqarohet për mënyrën se si është vrarë. Sepse më këtë sqarohen shumë gjera të tjera. Ai fronti politik duhet të hulumtohet se kur ndodhi kjo kthesë kaq e madhe që një njeriu si Bahajdini të mos i dihet varri e një tjetër të bëhet drejtor politik”, kishte thënë ditë më vonë Aliu në Rubikon.

Po ashtu edhe ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, kohë më parë kishte akuzuar direkt Thaçin për vrasjen e Hallaqit.

“Behajdin Hallaçi dhe Shaban R. Shala të marr nga burgu nga dora e Thaçit dhe Veselit, nuk janë gjendur kurrë, madje as kufomat e tyre nuk u zbuluan asnjëherë. Faktikisht këtu  nuk është vetëm një dyshim apo hera e parë ku Thaçi dhe Veseli akuzohen dhe dyshohen për vrasje, kidnapime, dhe tradhti. Këta liderë politik që operonin nga Tirana dhe Zvicra ku jetonin si azilanta, këta dy kryetarët tanë sot edhe disa shokë të tyre akuzohen dhe dyshohen edhe për shumë vrasje konspirative të atdhetarëve dhe komandantëve kryesorë të luftës”, kishte thënë kohë më parë për gazetën “Bota sot”, ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Kujtojmë se Behadin Hallaqi kishte qenë sekretar i Lëvizjes Popullorë të Kosovës, ku më vonë ishte angazhuar drejtpërdrejtë në celulat e para të UÇK-së. Është zhdukur në rrethana misterioze në qershor të vitit 1998 dhe që nga ajo kohë nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Gazeta “Bota sot”, ka provuar të kontaktojë presidencën lidhur me këto akuza, për ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test