Jo riformatizim, por rënie të qeverisë

Politika

Jo riformatizim, por rënie të qeverisë

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 22 maj 2018 Në ora: 22:57
Selia e Qeverisë

Ka zëra të shtuar që kërkojnë riformatizim të qeverisë Haradinaj, kjo për të rifreskuar kuadro të reja dhe punë më efikase. Natyrisht se një gjë e tillë ndodhë pothuajse në çdo qeveri, të cilët sipas dinamikes së punës qëndrojnë në kohezion me të. Por, një gjë e tillë nuk mund të ndodh me qeverinë Haradinaj dhe s`ka pse të ndodhë. Përtej kuadrove profesionale kjo qeveri në themel të saj është e kalbur, si pasojë e koalicioneve kongomerate, divergjencave të thella mes njëra- tjetrës dhe mbi të gjitha mungesës së vizionit të kësaj qeverie për vendin. Kjo e fundit e përmbyllë, si të thuash të gjithë idenë se me riformatizimin e saj qeveria Haradinaj do të bëjë punë më të mirë, seç po bën tani.

Jam skeptik se një gjë e tillë mund të ndodh, me një qeveri që ka mentalitet qeverisës faresfisnor të odave, me zyrtarë qeverie që duhet të ishin në burg. Me njerëz që deri dje janë marrë më haraç, me trafikim drogë dhe prositucion, trafik të armëve etj. Më tepër ngjajnë si banda, për nga mënyra e funksionimit dhe të veprimit, duke qenë të shkëputur totalisht nga koncepti bazë i qeverisjes së mirë në shërbim të qytetarëve. Këta edhe po të duan nuk dinë të qeverisin, nuk është në organikën e tyre qeverisja.

Qeveria më e lartë në rajon dhe Evropë për nga numri i zv.ministrave afër 80, ka si qëllim punësimin e farefisit, njerëzve të fuqishëm në botën e parave të pistave e të cilët iu shërbejnë kur të vjen koha për vota, duke i kërcënuar, shantazhuar dhe blerë votat. Kjo ka shqetësuar edhe BE, që kishte reaguar më herët përmes shefes së saj në Prishtinë, Nataliya Apostolova. Shefja Apostolova kishte theksuar se me një menaxhim më të mirë, pagat që shpenzohen për numrin kaq të madh të zëvendësministrave, do të mund të orientoheshin për zhvillim dhe reformë të thellë në arsim.

Në një vend ku arsimi ka “ vdekur” për nga cilësia, që e tregoi edhe PISA, nuk investohet fare, buxhetin e së cilës e përpijnë zyrtarët e Ramushit dhe Kadriut. Jo vetëm arsimi, por çdo sektor është i dështuar, dhe kështu do të vazhdoj derisa klani “ Pronto” është në pushtet. Prandaj, kjo qeveri s`ka nevojë të reformohet, pasi reformimi nënkupton se kjo qeveri po punon dhe duhet shtuar dinamikën.

Në fakt kjo qeveri as që ka filluar të punojë për popull, andaj rënia e saj është zgjidhja më e mirë.  Rënia e saj duhet të nënkuptojë edhe rënien e mentalitet banditesk të udhëheqjes së vendit. Problemi nuk qëndron tek ndryshimi i pjesshëm por i tërësishëm, ndryshe nuk kemi bërë asgjë përpos fasadimit të një ndërtese, e cila brenda është e djegur e tëra. Nuk kemi nevojë të ndërrojmë vetëm këtë qeveri, por që të shkëpusim njëherë e përgjithmonë mentalitetin e mbrapshtë qeverisës që e ka instaluar klani “Pronto”, e të cili Kosova i ka pa sherrin. Duhet rrëzuar kjo qeveri, riformatizimi vetëm sa ia zgjat jetën kësaj qeverie që ka abortuar qysh në lindje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat