LPK-istët keqpërdorën emrin e Adem Jasharit për të mbledhur fonde

Politika

LPK-istët keqpërdorën emrin e Adem Jasharit për të mbledhur fonde

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 31 maj 2018 Në ora: 16:31
Foto ilustrim

Ekskluzivisht për Gazetën “Bota sot”, ka folur Osman Ferizi, ish anëtar i Komisionit të fondit 3% në Gjermani, si dhe ish bashkëluftëtar i Komandantit Sali Çekaj. Ai ka treguar se si u keqpërdorën fondet në emër të Grupit Gueril të Adem dhe Hamëz Jasharit, ndërsa ka fajësuar ish pjesëtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës(LPK) lidhur me këtë.  Ai ka thënë se Grupet e formuara nga ish LPK, me propaganda nxitëse dhe vëllavrasëse të ngritura në urrejtje ndaj LDK-së dhe kolonel Ahmet Krasniqit, ndikuan në mos unifikimin e faktorit ushtarak në Kosovë.

Me përfundimin e luftës në Kosovë, të gjithë kishim shpresa se një e ardhme më e ndritur do të na priste, pa dhunë dhe vrasje, dy gjëra që ishin të përditshme gjatë luftës. Por, ishte pikërisht efekti “liri” që ua mori jetën shumë intelektualëve, ushtarakeve, gazetarëve dhe  të gjithë atyre që mendonin ndryshe nga kokat e krimit që tashmë kishin filluar ta uzurponin dhe ta vulosnin autorësinë e shtetit të Kosovës.

Edhe pse kanë kaluar 19 vite, institucionet e drejtësisë, nuk kanë zbardhur ende enigmën që ndërlidhet me vrasjet politike, as institucionet shtetërore nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap që të fillojnë të paktën një hetim më të mirëfilltë sa i përket zbulimit të këtyre vrasjeve.

Enigmë mbetet edhe nga u tret fondi i “Vendlindja Thërret”.

E po të mos ishin debatet në Kuvend në mes Anton Qunit dhe Xhavit Halitit, rreth 8 milionë markave të cilat ky i fundit i kishte marrë nga Ministri i Mbrojtës i asaj kohe kolonel Ahmet Krasniqi, kjo çështje nuk do të riktualizohej dhe do të mbetej ende nën mjegull.

Geci: Dikush dha para që të mos vritet

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, përmes një shkrimi në Facebook, ka komentuar deklaratat e Xhavit Halitit, i cili tha se “jam angazhuar shumë që të mos vritet Bujar Bukoshi”.

Këto deklarata deputeti i PDK-së, i bëri në një emision televiziv ku tha se kishte  bërë shumë “luftë” për të mos u vrarë e për të mos u marrë peng Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i Kosovës në kohën e luftës.

Reagimi i Gecit është i ashpër. Ai shkruan se kjo po e dëshmon se në mesin e njerëzve të tyre ka pasur vrasës dhe se ata kanë mundur dikë me vra e dikë me shpëtuar.

Sipas Gecit, dy shokë të tij iu vranë me parat e mbledhura gjatë luftës, me të cilat u paguan vrasësit me pagesë.

Geci: Me paratë e luftës i vranë shokët e mi, tregon cilët ishin ata

“Deklarata e Xhavit Halitit se e ka shpëtu Bujar Bukoshin mos me e vra, është një e vërtetë që dëshmon se në mesin e njerëzve të tyre ka pasur vrasës dhe se ata kanë mundur dikën me vra e dikën me shpëtu. Lista me emra të atyre që këta kanë pas në plan me i vra, ka qenë e gjatë dhe nuk kanë mund me shpëtu të gjithë, por dikush ka dhanë pare mos me u vra e me shpëtu. Unë e përgëzoj Xhavit Halitin që po e thotë të vërtetën, edhe pse gati 20 vjet me vonesë.

Sipas kësaj del se nuk ka mundur askush me ruajt as Ahmet Krasniqin e as mua sepse sipas Komunikatës nr 59 të Shtabit të Përgjithshëm, një pjesë e pareve të mbledhura për luftë, më vonë iu dhanë vrasësve me pagës për me i vra kundërshtarët politikë. Me këto pare mi kanë vra edhe dy shokët e mi, Besim Dajakun e Bekim Kastratin dhe mua më kanë plagosë. Ai shtabi i Xhavitit e i Hashimit asnjëherë nuk u distancuan nga Komunikata nr.59 e shtabit të UDB-së brenda UÇK-së dhe asnjëherë nuk kërkuan falje për dëmet që komunikata Nr. 59 i shkaktoi familjes tonë ku si pasojë pati dy të vrarë e një të plagosur. Më në fund u kuptua se ata që munden me të shpëtu, munden edhe më të vra! Xhaviti e paska shpëtu Bujarin Bukoshin, Azem Syla e ka shpëtua Fahredin Gashin, Fatmir Lima e ka shpetu një person, emrin ia kam lexu në një letër në media.  Pra, këta edhe kanë pasë mundësi me të vra edhe me të shpetu!” ka shkruar ish deputeti i LDK-së, Gani Geci.

Por, a u keqpërdorën fondet e luftës për vrasjet politike të pasluftës? A mund të jetë ky një faktor që ende nuk po zbardhet e vërteta rreth këtyre fondeve, flasin ish ushtarë të UÇK-së.

Image
Osman Ferizi

Ferizi: Këtyre të zezave ju kanë paraprirë vendime të kryesisë së ngushtë të LPK-së

Lidhur me këtë temë, ekskluzivisht për Gazetën “Bota sot”, ka folur Osman Ferizi, anëtar i Komisionit të fondi 3% në Gjermani si dhe ish bashkëluftëtar i Komandantit Sali Çekaj.

Ai ka thënë se Grupet e formuara nga ish LPK, propaganda nxitëse dhe vëllavrasëse e ngritur në urrejtje ndaj LDK-së dhe kolonel Ahmet Krasniqit, ndikuan në mos unifikimin e faktorit ushtarak në Kosovë.

“Unë si veprimtarë dhe anëtarë i Komisionit Qendrorë i 3% për Gjermani, njohës dhe pjesë e Grupeve të para Guerile, që kam pasur kontakte me veprimtarë të djathtë dhe të majtë, mund të them që Grupet e formuara nga ish LPK, propaganda nxitëse dhe vëllavrasëse e ngritur në urrejtje ndaj LDK-së, strukturave të saj, eprorëve të vijës Institucionale, e në veçanti ndaj Komandantit Suprem të FARK-ut, dr. Rugovës, shkrimet kundër Kol. Ahmet Krasniqi, i patën pasojat e veta në mos ndërtimin dhe mos unifikimin e faktorit Ushtarak dhe Politik në Kosove. Këtyre të zezave ju kanë paraprirë vendime të kryesisë së ngushtë të LPK-së me udhëheqjen Shtetërore të Republikës së Shqiperisë si Fatos Nano, Mejdani,  Gjinushi, Milo dhe F.Klosi, per te shkatërruar dhe defaktorizuar të djathtën në krye me Dr.Rugoven dhe akademik Mark Krasniqin”, ka thënë Ferizi.

Ferizi ka treguar, se si në vitin 1996 kishte mbledhur para për Grupin Gueril të Adem dhe Hamëz Jasharit.

“Unë ju kujtoj, që vetë në fund të vitit 1996 kam mbledhur mjete financiare për Grupin Gueril të Adem dhe Hamëz Jasharit, në Drenicë. Ata të LPK-së bënin demagogji që po i financojnë grupet. Unë ftova bacen Rifat, Fehmi Lladrovcin dhe Rexhe Iberdemajn-nga LPK i emëruar për sektorin e jashtëm. Bacës Rifat ia dorëzova  5830.00 DM, të cilat i kisha mbledhur nëpër shokë.  Në këtë mënyrë, atyre të LPK-së u dolën në shesh rrenat dhe mashtrimet, që në fakt nuk e kishin ndihmuar me asnjë cent. Ademi ka qenë pjesë e grupit të dytë Gueril ku isha edhe unë pjesë e grupit, ka qenë në odën time në Kodrali me një pjesë të grupit!!!”, ka nënvizuar ai.

Për fondet u keqpërdor emri i Adem Jasharit

Sipas tij, në këtë mënyrë është keqpërdorur Familja Jashari dhe emri i saj për të mbledhur fonde e për të pasuruar përfaqësuesit e LPK-së.

“Këta kriminelë përdoren familjen Jashari si pretekst për të kërkuar mjete materiale duke bërë shantazhe, presion, demagogji mjete që u mblodhën me kapuç e paketa, me çeçe e pa to, u abuzuan në mënyrën më të ulet. I jepej mundësia cilitdo që të mblidhte duke luajtur me emocionet dhe ndjenjat e mërgimtarëve. Kjo formë e pa kritere, krijoi pasoja duke forcuar grupe banditesh që nën petkun e çlirimit kryen misionin e mosbesimit, dyshimit, eliminimit dhe pasurimit. Këta që sot janë milioner që nga Xh.Haliti, H.Thaçi, Rame Buja, Adem Grabovci, Ramiz Lladrovci kanë jetuar me ndihma.  Janë fakte, incizimet në uniforma të UÇK-së, i kanë bërë në banesa në Cyrih dhe nëpër Shqipëri”, është shprehur ai.

Sipas Osman Ferizit, përderisa shteti udhëhiqet nga protagonistet, spekulantët, ata që degjeneruan çdo vlerë shqiptare, që vranë moralin, traditën, shkatërruan ekonominë nuk kemi me çka të mburremi.

“Këta me sjelljen barbare dhe paaftësinë e tyre ua kaluan komunisteve të Titos, i emituan komunistët gjakpirës si Enver Hoxha, duke krijuar Lista për Likuidim fizik të intelektualëve, ushtarakeve, gazetarëve dhe gjithë atyre që mendonin ndryshe, që nga Rugova, Agani, Z.Cana, Sali Çekaj, Ahmet Krasniqi, Azem Hajdari, Bardhyl Ajetin, Bekim Kastrati”, ka potencuar ai.

Në fund Osman Ferizi ka thënë: “Padyshim që mjetet e Fondit te Vendlindja Thërret janë përdorë për format e tyre kriminale të vrasjes, frikësimit dhe shantazhit, pse nuk kemi shtet ligjor dhe ligjin e bëjnë grupet kriminale te veshura me pushtet është tjetër”.

Image
Sefedin Krasnqi

Ndërsa, publicisti Sefedin Krasnqi, në një prononcim për “Bota sot” ka treguar se nuk  ka ekzistuar vetëm fondi “Vendlindja Thërret”.

Tutje, ai ka theksuar se asnjë vrasje nuk është kryer pa pagesë, sidomos nëse bazohemi në kërcënimet e përditshme.

“A i kanë përdorur për vrasjen e njerëzve, këtë nuk mund ta dijë, sepse duhet të kem fakte me dokumente të pamohueshme. Por, nga ana tjetër, asnjë vrasje, jam shumë i bindur, nuk është kryer pa pagesë, sidomos nëse bazohemi në kërcënimet e përditshme. Ata që sot po thonë, si Jakup Krasniqi, se është vonë pas 20 viteve të flitet për këtë fond, apo për vrasjet politike, kur filluam të flasim e të shkruajmë menjëherë pas luftës, na thoshin: Pritni se nuk është koha! Ata gazetarë që nuk iu nënshtruan shantazheve dhe kërcënimeve dhe ishin më të zëshmit nën denoncimin e vrasjeve politike, u ekzekutuan, siç është Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti etj”, ka nënvizuar ai.

Vrasësit e kanë kapur shtetin, duke u infiltruar nëpër institucione

Analisti politik, Skënder Zogaj në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se  vrasësit e kanë kapur shtetin, janë infiltruar nëpër institucione dhe e pengojnë zbardhjen e vrasjeve.

Image
Skënder Zogaj

Sipas tij, po të ndodhte kjo do të zbardhej edhe e vërteta e fondeve dhe do të dilnin në shesh vrasësit, disa prej të cilëve tashmë dihen sepse janë deklaruar që kanë qenë vrasës me pagesë

“Fondet e luftës në fakt janë fatkeqësia më e hidhur që ka përjetuar lufta çlirimtare, sepse tashmë edhe zogjt e malit e dinë se fondet janë keqpërdorur dhe se me to vendit tonë iu kanë shkaktuar plagët më të thella të tradhtisë siç janë vëlla vrasjet politike të bijve dhe bijave me atdhetare: Nga ministri i luftës kolonel Ahmet Krasniq, oficerët Tahir Zemaj, Smajl Hajdaraj, Sebahate Tolaj e deri te Xhemajl Mustafa, Encer Maloku, Ismet Raci, Shaban Manaj, Ukë Bytyçi, Bekim Kastrati e shumë veprimtarë të devotshëm”, ka theksuar Zogaj.

Sipas tij, vrasësit e kanë kapur shtetin, janë infiltruar nëpër institucione dhe e pengojnë zbardhjen e vrasjeve.

“Po të ndodhte kjo do të zbardhej edhe e vërteta e fondeve dhe do të dilnin në shesh vrasësit, disa prej të cilëve tashmë dihen sepse janë deklaruar që kanë qenë vrasës me pagesë! Por, janë zbuluar vetëm disa, të pakënaqurit, si Nazim Bllaca, i cili ka shpërthyer sepse nuk iu kanë paguar paratë e premtuara dhe ka vendosur që t’u revanshohet bosëve të krimit por edhe që sado pak të lehtësoj ndërgjegjen nga mëkatet që i ka bërë! Dihen edhe vrasës të tjerë që drejtësia aktualisht nuk guxon t’i zbardh deri në fund, sepse do të shpërthente lufta qytetare. Me Fondet e luftës është privatizuar Kosova dhe rrugaçët janë bërë bosët ekonomik, që e çojnë ujin kah t’iu teket, dhe Kosovën të ngulfatur” ka përfunduar Skënder Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat