“Nëse gjendet konsensusi për platformën, nuk është vështirë me u gjet personi që ta udhëheqë procesin”

Politika

“Nëse gjendet konsensusi për platformën, nuk është vështirë me u gjet personi që ta udhëheqë procesin”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 5 qershor 2018 Në ora: 22:48
Aleksandar Vuciq dhe Hashim Thaçi

Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, ka folur për “Bota sot”, në lidhje me vendimin e fundit të LDK-së, ku kjo e fundit vendosi që të mos e përkrahë Platformën e Qeverisë, e cila rolin kryesor i jepte Presidentit, Hashim Thaçi.

Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se platforma duhet të jetë objekt i diskutimit dhe trajtimit nga të gjitha grupet parlamentare që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Image
Arton Demhasaj

“Nuk duhet të zhvillohet diskutimi se kush e udhëheqë dialogun, se sa që duhet të diskutohet për platformën. Fillimisht unë mendoj se platforma duhet të jetë objekt i diskutimit dhe trajtimit nga të gjitha grupet parlamentare që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, që të japin edhe ata një zgjidhje që duhet të ndërtohet një platformë, meqë nuk kemi një platformë unik, me një konsensus më të gjerë”, është shprehur Demhasaj.

Tutje, Demhasaj thotë se debati për individin duket si i ngutshëm, derisa nuk diskutohet platforma.

“Nëse gjendet një platformë me konsensus, nuk është vështirë me e gjet edhe personin se kush do ta udhëheqë këtë proces. Debati për individin me duket si i ngutshëm, derisa nuk diskutohet platforma, se cila duhet të jetë ajo platformë. Kur po flasim për platformën, nuk po flasim për një platformë te një partie politike, por për një e cila do ta përfaqësojë Kosovën, thjeshtë një dokument me anë të së cilës do të përfaqësohet”, shtoi Arton Demhasaj, njohës i zhvillimeve politike në vend për “Bota sot”.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot e ka tërhequr platformën për dialog që Qeveria e kishte dërguar në Kuvend për shqyrtim.

Ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj tha se këtë e ka bërë për shkak se ka vërejtur një interesim të madh të forcave politike si në Parlament e edhe jashtë tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat