Prej kohësh është përmendur mundësia e përfshires së SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi.
E nëse ndodh një gjë e tillë, nga Serbia ka pasur deklarata se kërkojnë përfshirjen në dialog të Rusisë dhe Kinës.
E për këtë, hulumtuesja nga KDI, Violeta Haxholli, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se SHBA duhet të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi, derisa shton se Serbisë i konvenon që dialogu të udhëhiqet nga BE për shkak se është neutrale ndaj statusit të Kosovës.
“Duhet të ketë përfshirje të SHBA-së në dialogun Kosovë - Serbi pasi që deri më tani BE-ja ka luajtur vetëm rolin e lehtësuesit të dialogut duke refuzuar të marrë anë edhe atëherë kur një gjë e tillë ka qenë e nevojshme. Serbisë natyrisht se i konvenon që BE të vazhdojë të udhëheq këtë proces pasi që BE është neutrale ndaj statusit të Kosovës për shkak të 5 shteteve anëtare që nuk e njohin Kosovën. E njëjta gjë në këtë rast nuk është me SHBA-në, e cila është aleate dhe përkrahëse e fuqishme e Kosovës”, është shprehur ajo.
Haxholli ka treguar se sipas një sondazhi të KDI-së, 50 për qind e qytetarëve janë shprehur se në dialog duhet të përfshihet SHBA-ja.
“Që SHBA të përfshihet në dialog është edhe kërkesë e qytetarëve të Kosovës, të cilët në një sondazh të organizuar nga KDI, 50% e tyre janë shprehur se dialogu nuk duhet të vazhdojë pa përfshirje direkte të SHBA-ve në këtë proces”, shpjegon ajo për “Bota sot”.
Ndërsa, sa i përket mundësisë që në dialog të përfshihen Rusia dhe Kina si kërkesa nga Rusia, ajo thotë se kjo mund ta ndodh nëse në dialog është edhe çështja e anëtarësimit të Kosovës në OKB.
“Sa i përket përfshirjes së Rusisë dhe Kinës kjo ka gjasa të ndodhë nëse pjesë e dialogut do të jetë edhe çështja e anëtarësimit të Kosovës në OKB. Duke qenë se anëtarësimi i Kosovës varet edhe nga vendimi i këtyre dy shteteve atëherë me siguri se do të ketë një marrëveshje paraprake mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës rreth kësaj çështjeje”, është shprehur Haxholli.
Lidhur me ndikim që mund të ketë përfshirja e këtyre dy shteteve mike të Serbisë në dialog, ajo vlerëson se ato më shumë do të kenë qëllim që të shtyejnë kërkesat e tyre shtetërore në raport me SHBA-në.
“Se a do të ketë ndikim negativ përfshirja e Rusisë dhe Kinës për Kosovën, mendoj se këto dy shtete si qëllim primar do të kenë shtyrjen e kërkesave të tyre shtetërore në raport me SHBA-në, më shumë se sa që do të përpiqen në favor të Serbisë ose në dëm të Kosovës”, ka deklaruar hulumtuesja nga KDI, Violeta Haxholli.