Ndërmjet zgjedhjeve të parakohshme dhe dialogut me Serbinë - Bota Sot
Ndërmjet zgjedhjeve të parakohshme dhe dialogut me Serbinë

Politika

E hënë, 16 korrik 2018

Ndërmjet zgjedhjeve të parakohshme dhe dialogut me Serbinë

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 20 qershor 2018 Në ora: 22:03
Hashim Thaçi

Këtë të diele edhe zyrtarisht do të rinisë dialogu me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Këtë e ka paralajmëruar edhe zyrtarisht Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i cili u ka bërë thirrje partive politike për unitet.

Në anën tjetër , partitë opozitare kanë shfaqur mospajtimin e tyre ndaj Thaçit, si drejtues i dialogut me Serbinë.

Para dialogut, përfaqësuesit opozitarë po kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe institucione të reja.

Megjithatë, kërkesa e tyre nuk mjafton pa i siguruar votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Të mërkurën, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka ashpërsuar kërkesën e saj për zgjedhje të parakohshme duke thënë se nuk merr pjesë në tryezat politike të thirrura nga partitë nëse nuk e kanë si temë kryesore  caktimin e datës së zgjedhjeve.

“Tryeza e partive politike është iniciuar nga LDK-ja me një temë të vetme që është si të dilet nga kjo krizë institucionale. Në një situatë të tillë ne nuk mund të bisedojmë për tema të tjera. Temat e rëndësisë nacionale nuk mund të adresohen nga një koalicion i pakicës.  Prandaj, për të dalë nga kjo situatë, zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme.  Është në interesin e qytetarëve që partitë politike të arrijnë koncensus lidhur me: (i) Parimet që duhet ndjekur në adresimin e këtyre temave të rëndësisë nacionale, pavarësisht kush qeveris sot e kush nesër, si dhe (ii) Caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme dhe përgatitjet e nevojshme për të nxjerrë një qeveri stabile të një shumice”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e LDK-së.

Pro zgjedhjeve është shfaqur edhe Lëvizja Vetëvendosje. Por LDK me 27 deputetë dhe Vetëvendosje me 19 nuk po mund ta arrijnë numrin e nevojshëm për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj. Këto dy parti që përbëjnë opozitën më të fortë që Kosova ka pasur ndonjëherë, po  kërkojnë edhe votat e Partisë Social Demokrate për rrëzimin e Haradinajt.

Në anën tjetër, Presidentit të vendit nuk po i bëjnë përshtypje përpjekjet gati të pamundura të opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

Nuk po i bën përshtypje as kërkesa që për dialogun të vendosë Kuvendi i Kosovës.

Vendi aktualisht nuk e ka një kryeministër të denjë për drejtimin e bisedimeve me Serbinë. Ndërsa, droja ndaj Presidentit nuk ka se si të hiqet kur kihen parasysh pasojat e marrëveshjeve në të kaluarën.

Kosova si asnjëherë më parë ka nevojë për veprimet e koordinuara të partive opozitare. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të parandaloheshin kompromiset e dhimbshme Serbinë,  të cilat nuk i ka mohuar as vet Presidenti Thaçi.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test