Deputetja e Vetëvendosjes tregon rastet kur Thaçi u dorëzua para Serbisë

Politika

Deputetja e Vetëvendosjes tregon rastet kur Thaçi u dorëzua para Serbisë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 29 qershor 2018 Në ora: 08:11
Hashim Thaçi

“Shkuarjen në dialog me insistim pa miratimin e Kuvendit dhe paralajmërimi për përfundim të dialogut me fitues-fitues tregon se epilogun e bisedimeve e kemi në disfavor të Kosovës për arsye se ky njeri Kosovën e ka monedhë kursuritjeje për t’i mbuluar të bëmat e veta”, vlerëson Drita Millaku, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjatë ditës së diel, është zhvilluar takimi i radhës në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përfaqësuesit e dy shteteve, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç janë takuar për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Ata janë takuar me përfaqësuesen e BE-së, Federica Mogherini.

Pas takimit, secili nga ta dha versionet e veta, mirëpo asnjëri nuk tregoi qartë se si përfundoi takimi i së dielës.

Presidenti Thaçi tha në një intervistë për mediet ndërkombëtare se po bën përpjekje të arrijë paqe me Serbinë në këtë dialog, dhe të përfundoj me fitues-fitues.

Po ashtu, gjatë ditës së djeshme në konferencën për media tha se nuk do të ketë vija të kuqe me Serbinë.

“Për sqarim, nuk do të ketë vija të kuqe sikurse se ka pasur nga Grupi i Kontaktit në bisedimet e Vjenës, do të elaborohen vetëm tema për të cilat pajtohen dy palët si mundësi që dërgon drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare, nuk do të ketë marrëveshje tjetër të përkohshme, palët nuk do të lejohet të kushtëzojnë negociatat dialogun me këtë apo atë çështje”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, partitë politike në Kosovë po kërkojnë fillimisht që dialogu me Serbinë të mos realizohet në këtë formë, e madje as të udhëhiqet nga Presidenti Hashim Thaçi.

Image
Drita Millaku

Millaku: Të gjitha këto koncesione i ka bërë Hashim Thaçi me zemërgjerësinë e tij

Kështu, deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku thotë se ky dialog do të ketë një epilog të tillë ku pala serbe negocion fuqishëm dhe nuk nënshkruan, ndërsa ajo e Kosovës nënshkruan marrëveshje.

“Së pari dialogu me Serbinë deri më tani ka pas një epilog të tillë ku pala serbe negocion deri në fund fuqishëm dhe në fund nuk nënshkruan, ndërsa pala kosovare negocion butësisht dhe nënshkruan duke krijuar disavantazh permanent. Të gjitha këto koncesione i ka bërë Hashim Thaçi me zemërgjerësinë e tij”, thotë deputetja Millaku.

Ajo thotë më tutje se dialogiu pa miratimin e Kuvendit dhe paralajmërimi për përfundimin ‘fitues-fitues’, tregon se dialogu do të jetë në disfavor të Kosovës.

“Shkuarjen në dialog me insistim pa miratimin e Kuvendit dhe paralajmërimi për përfundim të dialogut me fitues-fitues tregon se epilogun e bisedimeve e kemi në disfavor të Kosovës për arsye se ky njeri Kosovën e ka monedhë kursuritjeje për t’i mbuluar të bëmat e veta”, vlerëson ajo.

Deputetja Millaku, thotë më tutje se Presidenti Thaçi, është dorëzuar tashmë disa herë para Serbisë.

“Hashim Thaçi i është dorëzuar Serbisë në Rambuje. Thaçi i është dorëzuar Serbisë me demilitarizimin e UÇK-së, Thaçi i është dorëzuar Serbisë me ndarjen e Mitrovicës, Thaçi i është dorëzuar Serbisë me pakon e Ahtisarit, Thaçi i është dorëzuar Serbisë me krijimin e Listës serbe”, thotë ajo.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj: Prandaj asnjë marrëveshje nuk do të mund të fali apo të amnistoj kriminelët dhe krimet e luftës

Ndërkaq, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj i pyetur se a duhet të përfundoj dialogu me Serbinë në paqe dhe të dyja shtetet të dalin fitues, duke llogaritur gjenocidin serb në Kosovë, ai thotë se krimet e luftës nuk harron e as nuk vjetërsohen. Andaj sipas tij, ato nuk mund t’i falë dhe as t’i amnistoj askush.

“Unë besoj që krimet e luftës janë kategori ligjore ndërkombëtare të cilat as nuk harrohen, as nuk vjetërsohen e as që përshkruhen. Prandaj asnjë marrëveshje nuk do të mund të fali apo të amnistoj kriminelët dhe krimet e luftës”, vlerëson Gecaj për “Bota sot”.

Njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi thotë se shqetësimi më i madh është se bisedimet po vazhdojnë pa kushte dhe do të përfundojnë me krijimin e Asociacionit të Komunave serbe.

Image
Faik Krasniqi

“Shqetësimi më i madh për Kosovën , është se vazhdojnë bisedimet pa kushtëzime me shtetin serb, dhe çfarë do të sjellin bisedimet për disa çështje të ndieshme si të është Asociacionit i komunave me shumicë serbe”, thekson ai.

Krasniqi: Presidenti Thaçi nuk është njeri i besueshëm për ta udhëhequr dialogun me Serbinë

Sipas Krasniqit, deklaratat e mëhershme të presidentit Thaçi se do të bëjnë kompromise me Serbinë, është matje pulsi për ta përgatitur opinionin se do të ketë kompromise të dhimbshme në dëm të sovranitetit dhe qytetarëve të Kosovës.

“Kosova ka bërë mjaft kompromise në dëm të interesave të shtetit të Kosovës, dhe nuk ka nevojë të bëj më kompromise me Serbinë. Prandaj, presidenti Thaçi nuk është njeri i besueshëm për ta udhëhequr dialogun me Serbinë, pavarësisht daklaratave të tanishme tij se nuk do të bëj asnjë vendim në dëm të Kosovës, sepse kemi të bëjmë me fatin e shtetit të Kosovës dhe qëndrimet e tij të bëjnë të dyshojmë akoma më shumë”, thotë analisti Krasniqi.

Ndryshe Lidhja Demokratike e Kosovës, të hënën ka mbajtur një konferencë për medie, ku ka thënë se dialogu është e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet me fqinjit tonë verior, Serbinë.

“Dëshirojmë të përshëndesim angazhimin e miqve tanë ndërkombëtar në këtë proces, BE-së dhe SHBA-së. Sipas Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës është organi i vetëm që vendos se kush e përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë. Kuvendi i Kosovës nuk ka vendosur ende për këtë çështje, pasi platforma për dialog me Serbinë, që ishte në rend ditë në Kuvend, u tërhoq nga Qeveria”, ka thënë Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti.

Hot: Presidenti Thaçi nuk ka asnjë autorizim për të negociuar në emër të qytetarëve të Kosovës

Ndërkaq, ai ka potencuar se  platforma e vitit 2011 e autorizon Qeverinë të dialogojë me Serbinë. “Rrjedhimisht, Presidenti Thaçi nuk ka asnjë autorizim për të negociuar në emër të qytetarëve të Kosovës. Kështu që, çdo marrëveshje që arrihet në Bruksel mund të jetë vetëm marrëveshje e tij private, por jo në emër të Kosovës. LDK-ja nuk e mbështet Presidentin që të zhvillojë dialogun me Serbinë. Ai nuk e përfaqëson vullnetin politik të Kosovës. LDK-ja, si partia kryesore në vend, është e gatshme të marrë përsipër këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Këtë përgjegjësi ne do ta marrim përmes votës së qytetarëve, në zgjedhje të lira”, ka deklaruar Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat