Abazi ia numëron të “zezat” Thaçit, ky është paralajmërimi tronditës për partitë politike

Politika

Abazi ia numëron të “zezat” Thaçit, ky është paralajmërimi tronditës për partitë politike

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 29 qershor 2018 Në ora: 16:59
Hashim Thaçi dhe Haki Abazi

“Për sqarim, nuk do të ketë vija të kuqe sikurse se ka pasur nga Grupi i Kontaktit në bisedimet e Vjenës, do të elaborohen vetëm tema për të cilat pajtohen dy palët si mundësi që dërgon drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare, nuk do të ketë marrëveshje tjetër të përkohshme, palët nuk do të lejohet të kushtëzojnë negociatat dialogun me këtë apo atë çështje”. Kështu deklaroi gjatë konferencës së djeshme presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke dhënë detaje për takimin me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq.

Por çfarë po paralajmëron Thaçi me këtë? “Bota sot” , ka biseduar me analistin dhe njohësin e zhvillimeve politike në Kosovë, Haki Abazi.

Ai ka thënë se që nga viti 2011, Thaçi ka degraduar sovranitetin e Kosovës gjatë bisedimeve në Bruksel.

“Paralajmërimi për heqjen e vijave të kuqe është indikator se sa i humbur është vet Thaçi. Cilat kanë qenë vijat e kuqe që i paska hequr Thaçi tani. Që nga viti 2011 Thaçi ka degraduar sovranitetin e Kosovës duke nënshkruar marrëveshje. I gjithë procesi që 7 vite ka qenë jotransparent dhe me dështime fatale. Tani ai dhe bashkëpunëtorët qe janë paguar për ketë proces po flasin për nevojën e për një unitet dhe një konsensus. këto janë injoruar gjate gjithë kohës deri tani. Ky nuk është një fillim i ri ky është vazhdim i një procesi që ka sjellur Thaçin në pat pozicionin dhe ka prishur të gjitha mundësitë që Kosova të jetë një palë e barabartë në bisedime”, deklaron Abazi.

Sipas tij, të negociuarit nga pozita e dështuesit dhe pa kredibilitet politik të mbrëmshëm dhe të jashtëm ka sjellë Thaçin në pozitë që të pranojë gjithçka.

“Edhe sot nuk dihet cilat janë pozitat e Kosovës në çështjet kyçe, shtatë vite pas flitet për rezultate te dëshirueshme por jo për pozita negociouse. As sot nuk dihet se sa është fatura e Kosovës për Serbinë për dëmet e luftës, për vjedhjet gjatë 90-ta, për viktimat e shkaktuara. Pa turpesi po  i komunikohet Kosovës se është hequr dore nga sukcesioni se Kosova do ti paguaj Serbisë për investimet në Trepçë dhe Ujman, këto sekrete po dalin tani. Dhe nga ana tjetër Serbia në asnjë moment nuk flet për njohje as për barazi në bisedime e aq më pak për të kërkuar falje për krimet që ka bërë. Thaçi dhe ekip i tij të papërgatitur dhe naiv kanë barazuar viktimën me agresorin e kanë ulur Kosovën ne dy gjunjë”, shprehet ai.

Abazi ia ka përmendur tradhtitë që Thaçi i ka bërë ndaj LDK-së, prej së cilës së fundi presidenti kërkoi përkrahje.

“Thaçi  dhe bashkëpunëtorët e tij e kanë sjellë Kosovën në pragun e kolapsit duke përfituar vet financiarisht dhe duke tradhtuar secilin partner të koalicionit. Ata po kërkojnë nga LDK që të bashkohet kur LDK është tradhtuar në piken e normalizimit të qeverisë dhe sigurisht që nga VV nuk kërkojnë bashkim sepse e dinë që VV ka tentuar të ndalojë këtë skenar ndërsa është përballur me dhunën dhe shantazhin policor dhe instrumentet të kriminalizuara të Thaçit dhe makinerisë së tij të quajtur SHIK”,  thekson ai.

Abazi ka edhe një paralajmërim për partitë politike të cilat vendosin që tani t’i bashkohen Thaçit.

“Çdo parti që tani i bashkohet Thaçit në misionin e fundosjes me shpresën se do të ketë njohje nga Serbia apo çfarëdo rezultati pozitiv, merr mbi vete barrën e dështimit të shtetit ashtu siç ne mënyrë inkrementale e kanë shkatërruar shtetin që nga shpallja e tij. Thaçi po manipulon me kërcimin se do humbim shansin. Shansi me Thaçin është i humbur e vetmja shpresë është në një qasje tjetër krejt pragmatike pa kërcënimin e Gjykatës Speciale dhe me pozicionim të qartë për Serbinë. Kosova as edhe liberalizmin e vizave nuk e ka marr që dhjetë vite përderisa i ka imponuar vetes agjendë antishtetërore për të treguar kinse pragmatizëm por në fakt ka treguar që është e denjë e vetme të ruaj struktura që janë aty për interesin e tyre dhe klaneve të tyre”, përfundon analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Haki Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat