Masakrat dhe gjenocidi serb në Kosovë nuk amnistohen! - Bota Sot
Masakrat dhe gjenocidi serb në Kosovë nuk amnistohen!

Politika

E martë, 21 gusht 2018

Masakrat dhe gjenocidi serb në Kosovë nuk amnistohen!

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 13 korrik 2018 Në ora: 07:13
Foto ilustrim "Bota sot"

“Krimet e luftës nuk ka të drejt askush ti fal asnjë marrëveshje e asnjë president a kryeministër. Ata qe do  falin krimin e gjenocidin në Kosove do ti mallkoj koha e Historia”, ka deklaruar deputeti Nait Hasani për “Bota sot”.

Kosova nuk guxon në asnjë mënyrë të bëj kompromis me çështjen e krimeve të luftës. Kështu kanë vlerësuar politikanë dhe njohës të çështjeve politike në Kosovë, pas raportimeve se amnistia e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë, do të jetë një nga kompromiset e përmbylljes së dialogut me Serbinë.

Ekspertët këshillojnë që pala e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme në dialog sa i përket çështjes së faljes së krimeve të luftës, si dhe duhet t`i bëhet e qartë edhe palës serbe edhe asaj evropiane se kjo gjë nuk është për t`u falur.

Hasani: Krimet e luftës nuk ka të drejtë t`i falë askush

Deputet i  Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Nait Hasani, ka thënë për “Bota sot” se krimet e luftës nuk ka të drejt askush t`i fal asnjë president apo kryeministër.

Image
Nait Hasani

“Krimet e luftës nuk ka të drejt askush ti fal asnjë marrëveshje e asnjë president a kryeministër. Ata që do  falin krimin e gjenocidin në Kosove do ti mallkoj koha e Historia”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Sipas tij, të gjithë kriminelet duhet të marrin dënimin e merituar.

“Të gjithë kriminelet duhet të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Mallkuar atyre që falin gjenocidin ndaj Shqiptareve nga Serbia tash e një shekull”, ka shtuar Hasani për “Bota sot”.

Image
Valentina Bunjaku- Rexhepi

Bunjaku Rexhepi: Jo amnisti ndaj krimeve të Serbisë në Kosovë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku- Rexhepi, ka deklaruar se dialogu është dera e vetme për përafrim ndërmjet dy vendeve të dala nga një luftë e rëndë.

“Paqe mes dy vendeve tona fqinje Kosovës dhe Serbisë është shumë e qartë se nuk mund të këtë në një të ardhme të afërt. Dialogu është dera e vetme për përafrim ndërmjet dy vendeve të dala nga një luftë e rëndë, më shumë viktima dhe pasoja të rënda për shqiptarët. Megjithatë mendoj se duhet shkuar hap pas hapi në një marrëveshje e cila duhet të jetë dobishme për të dy vendet!”, ka thënë ajo për “Bota sot”.

Për më tepër, Bunjaku Rexhepi ka shtuar se shqiptarët janë viktime e luftës dhe Serbia duhet të dënojë masakrat ndaj civileve dhe dëmet e shkaktuara.

“Mendoj se së pari Serbia duhet të gjejë kufomat e shqiptareve për të cilët në ende nuk dimë ku gjenden. Serbia duhet kërkuar falje për luftën dhe dëmet që i shkaktoi shqiptareve në luftën e fundit. Shqiptaret janë viktime e luftës dhe Serbia duhet të dënojë masakrat ndaj civileve dhe dëmet e shkaktuara!”, ka potencuar deputetja e LDK-së.

Për më tepër, ajo ka shtuar se për këto krime nuk mund të ketë amnisti as nga liderët tanë e assesi nga populli shqiptar.

 “Në marrëveshjen për dialog nuk mund të diskutohet për amnisti, për falje të krimeve !! Nëse harrojmë apo falim krimet e Serbisë dyshoj të na përsëritet historia! Plagët i kemi ende të freskëta dhe dialogu i mirëfilltë hap rruge për marrëveshje por jo për amnisti ndaj krimeve të Serbisë në Kosovë!!”, ka përfunduar deputetja Bunjaku- Rexhepi për “Bota sot”.

Image
Sami Blakaj

Blakaj: Nuk ka ligj që e falë Serbinë

Ndërsa, njohësi i Integrimeve Evropiane, Sami Blakaj ka deklaruar për “Bota sot” se nuk është në autoritetin e presidentit apo edhe ndonjë organi tjetër të nënshkruaj marrëveshje për amnistimin e krimeve të luftës.

 “Falja e krimeve të luftës nënkupton faljen e krimeve kundër njerëzimit, prandaj një falje e tillë  do të ishte krim mbi krimin.  Nuk është në autoritetin dhe as të drejtën e presidencës, por as të ndonjë organi tjetër në nivel nacional apo mbi-nacional që të nënshkruaj marrëveshje për amnistimin e krimeve të luftës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka thënë se pala e Kosovës duhet që të ketë përgjegjësi të shtuar, kurse palës serbe, por edhe asaj evropiane duhet bërë e qartë se krimet e Serbisë nuk janë për t`u amnistuar, për më tepër, ka shtuar se një gjë e tillë ndalohet edhe me Kushtetutën e  Kosovës.

“Krimet e luftës, gjenocidit dhe krimet kundër njerëzimit kategorizohen si shkelje serioze e së drejtës humanitare dhe në këtë pikë pala kosovare duhet të ketë kujdes të veçantë dhe përgjegjësi të shtuar  në  bisedimet e Brukselit.  Palës Serbe, por edhe asaj  evropiane duhet bërë të qartë se krimet e Serbisë ndaj popullatës së pafajshme të Kosovës nuk janë krime për t'u amnistuar dhe as për t'u parashkruar.  Masakrat dhe krimet e kryera nga regjimi kriminal serb nuk ka ligj,  vendim apo marrëveshje  ndërkombëtare që ligjërisht mund ti falë apo amnistojë.  Një gjë të tillë e ndalon edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila është në harmoni të plotë me konventat dhe të drejtat ndërkombëtare”, ka përfunduar Blakaj për “Bota sot” .

Image
Enver Bytyçi

Bytyqi: Opsioni i ndarjes së Kosovës ka qenë më i pranishëm

Ndërkaq, Drejtori i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore (ISEJ) dhe profesori në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Enver Bytyçi, ka thënë se në opinionin ka pasur opsione të shumta , por më i pranishëm  ka qenë ndarja e Kosovës, për të cilën e ka përmendur edhe deklaratën e presidenti të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Deri më sot kanë dalë në opinion shumë opsione. Opsioni i ndarjes së Kosovës ka qenë më i pranishëm. Madje këtë opsion e ka nënkuptuar një nga këshilltarët e Thaçit disa muaj më parë, ndërkohë që dje lidhur me këtë opsion të ri u shpreh kategorikisht kundër. Nuk e di se çfarë kupton këshilltari i Thaçi me humbje territoresh dhe si e percepton faljen e krimeve të luftës që Serbia ka bërë në Kosovë.  Të jesh për ndarjen e Kosovës është shumë herë më e rëndë sesa të jesh për faljen e krimeve serbe në Kosovë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Një gjë e tillë, sipas Bytyçit nuk do të thotë se këto krime duhet të falen dhe se përgjegjësia mbetet te pala e Prishtinës, pasi që nuk janë evidentuar krimet kundër popullit.

“Kjo nuk do të thotë se këto krime duhen falur. Por delegacioni shqiptar në bisedimet me Serbinë asnjëherë nuk i ka diskutuar ato, nuk ka paraqit ndonjë dosje të posaçme ndonjë listë emrash kriminelësh serbë që sot janë në pushtet, në politikë, në ushtri, në shërbimin e sigurisë dhe në administratën serbe. Shqiptarët e kanë bërë këtë prej frikës se mos i quajnë hakmarrës?! Ndërkohë që të evidentosh krimet kundër popullit tënd, aq më tepër në një raund bisedimesh në të cilin bëhet fjalë për shtetësinë e fituar me gjak e sakrifica, kjo është A-ja e çështjes! Po kush ta bëjë? Ata që shkojnë me duar në xhepa e me të cilët tallet Vuçiq apo Daçiq?! Kjo është njëra anë. Përgjegjësia mbetet e palës së Prishtinës, jo në anën e Beogradit”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka theksuar se është e padiskutueshme integriteti territorial i vendit.

“Tani shtrohet çështja nëse Kosova mund t’i falë krimet serbe në Kosovë? Në parim shqiptarët dhe popujt e tjerë e kanë princip që të falin! Shqiptarët për interesa madhore e kanë falur dhe gjakun! Në parim falja e krimeve serbe në Kosovë nuk është tabu. Tabu, e padiskutueshme është integriteti territorial i vendit, ruajtja e shtetit unitar, njohja dhe forcimi i institucioneve dhe vetë shtetit të Kosovës. Kjo nuk duhet diskutuar në asnjë kohë, me askënd dhe jo vetëm për “momentin”, siç thoshte këshilltari i Thaçi para disa muajsh” ka potencuar ai për “Bota sot”.

Serbia duhet të kërkojë falje publike

Profesori Bytyçi, ka potencuar se, çështja e krimeve të luftës mund të jetë në negociata dhe ndoshta e vetmja gjë është kjo që mund të negociohet.

Por, sipas tij për këtë duhen disa parakushte:

1.Shteti i Serbisë duhet të kërkojë ndjesë publike me rezolutë të parlamentit serb për krimet e kryera kundër shqiptarëve në Kosovë. Madje për të gjitha krimet e kryera në çdo etapë të dhunës fizike e psiqike kundër shqiptarëve gjatë shekullit XX. Ndjesa publike, e dokumentuar, e votuar në parlamentin e Serbisë duhet diskutuar në të gjitha institucionet e Kosovës, para së gjithash në parlament. Gjatë diskutimit duhet parë sa serioze dhe e sinqertë është kjo ndjesë. Më pas me çfarë shpërblehet ajo? Thjesht me njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Beogradit”! Çfarë garancish politike dhe juridike duhen dhënë nga ana e qeverisë dhe parlamentit të Serbisë, se Serbia kurrë më nuk u drejtohet mjeteve të dhunës kundër Kosovës dhe banorëve të saj, përfshirë dhe shqiptarët?! Çfarë garancish do të japë Beogradi se nuk do të nxisë më kurrë pakicën serbë në Kosovë t’i kundërvihet institucioneve dhe shtetit të Kosovës?! Duhet kushtëzuar me heqjen e statusit bllokues të pakicës serbe në parlamentin e Kosovës. Duhet kushtëzuar me ruajtjen e shtetit unitar në Kosovës, duke garantuar respektin e lirisë qytetare të të gjithë banorëve të Kosovës si dhe autonominë e pushtetit lokal, sipas konventës Evropiane të Autonomisë Lokale.

2. Shtetësia e Kosovës duhet njohur menjëherë, bashkë me integritetin territorial të saj. Kjo sepse Rezoluta 1244, pra vetë Këshilli i Sigurimit e ka shkëput Kosovën nga Serbia, ka njohur sovranitetin e integritetin e saj territorial dhe ka ndaluar bashkimin e saj me Shqipërinë. Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë e 22 korrikut 2010 ka vendosur se shpallja e pavarësisë së Kosovës, integriteti i saj territorial dhe tërësia territorial janë të bazuara në Kartën e OKB-së, përkatësisht dhe rezolutën 1244, si dhe në të drejtën ndërkombëtare!

Prandaj shtetësia e Kosovës së bashku me sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës janë të panegociueshëm, derisa për to ka vendosur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe rezoluta e Këshillit të Sigurimit.

3. Nëse shtrohet për negocim çështja e krimeve serbe të luftës në Kosovës duhet që më parë të bëhet referendum dhe më pas të nënshkruhet marrëveshja. Askush nuk ka tagër të falë gjakun e shqiptarëve të rënë në luftë ose të masakruar nga forcat serbe të sigurisë në Kosovë. Çdo shtetar mund të falë krimet që serbët kanë bërë në familjen e tij, por ata nuk janë zgjedhur për të falë Kosovën dhe krimet serbe kundër shqiptarëve. Referendumi duhet ta përcaktojë këtë.

4. Jam i bindur se zoti Thaçi ka interes gjithashtu vetjak për një diskutim të tillë. Nëse arrihet në faljen e krimeve të luftës që serbët kanë bërë në Kosovë, do të duhet të specifikohen se cilat krime, sepse ka krime që nuk mund të amnistohen, edhe nëse ato falen nga pikëpamja e padisë kundër Serbisë. Kriminelët duhen dënuar, edhe nëse shteti i Kosovës pas njohjes nga Serbia heq dorë nga padia në Gjykatën Ndërkombëtare për ato krime. Por gjithçka duhet ta vendos kuvendi dhe një referendum popullor. Interesi I zotit Thaçi është se ai mund të kontestojë sipas këtij standardi ndjekjen e krimeve të luftës nga ana e Gjykatës Speciale. Këtë mund ta shesë si sukses të politikës së tij para qytetarëve të Kosovës.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test