“Aktakuzat e Speciales në dorën e Prokurorit dhe politikës ndërkombëtare” - Bota Sot
“Aktakuzat e Speciales në dorën e Prokurorit dhe politikës ndërkombëtare”

Politika

E martë, 21 gusht 2018

“Aktakuzat e Speciales në dorën e Prokurorit dhe politikës ndërkombëtare”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 22 korrik 2018 Në ora: 14:15
Gjykata Speciale

“Gjykata Speciale është funksionale për me tepër se një vit, por, gjithçka varet nga Zyra e Prokurorit Special se kur do të dorëzojë akuzat e para në gjykatë. Politika ndërkombëtare vendos për këtë përmes prokurorit”, tha avokati në vend, Tomë Gashi, për gazetën “Bota sot”.

Aktakuzat e para të Gjykatës Speciale me shumë gjasa nuk pritet të ngriten as në këtë verë.

Edhe pse u fol se koha e nxehtë e ngritjes së aktakuzave do të jetë vera e vitit 2018, një gjë e tillë nuk po del të jetë e saktë.

Tani në këtë kohë, askush nuk është në dijeni se kur mund të fillojnë arrestimet e para kjo gjykatë ndaj të dyshuarave. Ritmi i punës i kësaj gjykate po konsiderohet se ka ndryshuar për shumë arsye. E, një prej tyre, përmendet që ka ndikuar është edhe ndërrimi i kryeprokurorit të Zyrës së Prokurorisë Speciale.

Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), që është institucion më vete nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, thonë se, kjo zyre nuk nxjerr të dhëna konkrete mbi statusin e hetimeve, mbi provat e mbledhura gjatë hetimeve dhe kohën e ngritjes së akuzave të mundshme.

Ndërsa, për avokatin e njohur në vend, Gjykata Speciale është funksionale për me tepër se një vit, por, gjithçka varet nga Zyra e Prokurorit Special, se kur do të dorëzojë aktakuzat e para në gjykatë.

Nga Gjykata flasin për aktakuzat, por ende vazhdon sekreti i Speciales

Gjykata Speciale edhe pas dy viteve të miratimit të saj edhe me tej nuk ka filluar me aktakuzat e para.

Nga Zyra e Prokurorit Special nuk japin asnjë detaj rreth ngritjes së aktakuzave të mundshme.

Chris Bennett nga Zyra e Prokurorit Specialist, i ka thënë gazetës “Bota sot”, se kjo zyre nuk nxjerr të dhëna konkrete mbi statusin e hetimeve dhe mbi provat e mbledhura gjatë hetimeve.

Sipas Bennett, kjo është në përputhje me praktikat e ngulitura për hetime dhe ndjekje penale.

“Për mbrojtjen e integritetit të hetimeve, e fshehtësisë së dëshmive të dëshmitarëve si dhe të mbledhjes aktuale të provave, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk nxjerr të dhëna konkrete mbi statusin e hetimeve, mbi provat e mbledhura gjatë hetimeve dhe kohën e ngritjes së akuzave të mundshme. Kjo është në përputhje me praktikat e ngulitura për hetime dhe ndjekje penale”, ka thënë Bennett për gazetën “Bota sot”.

Tomë Gashi: 22 dhjetori një goditje e madhe për integritetin e Gjykatës Speciale

Ndërsa, avokati i njohur në vend, Tomë Gashi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, shprehet se David Schëendiman mund të jetë shkarkuar nga Gjykata Speciale, për shkak të ngjarjeve të 22 dhjetorit, kur në Kosovë u tentua zhbërja e kësaj gjykate.

Image
Tomë Gashi

Sipas tij, tentativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale, ishte një goditje e madhe për integritetin e saj.

“Sa i përket Gjykatës Speciale gjithçka ka ndryshuar në tempon e ngritjes së aktakuzave për shumë arsye. Një është ndërrimi i kryeprokurorit të Zyrës së Prokurorisë Speciale David Schëendiman në mars të këtij viti dhe nëse pak spekulojmë ai mund të jetë shkarkuar për shkak të ngjarjeve të 22 dhjetorit kur në Kosovë u tentua zhbërja e kësaj gjykate që ishte një goditje e madhe për integritetin e Gjykatës Speciale”, është shprehur Gashi.

Ai thotë se tani gjithçka është në pritje të sinjaleve të politikës ndërkombëtare se kur do të dorëzohen aktakuzat e para.

“Duket se reagimin i këtij prokurori ka qenë i zbehtë apo thënë më drejt ai nuk ka reaguar fare, pastaj, për disa muaj ishte vetëm zëvendës ushtrues detyre i kryeprokurorit dhe në maj është zgjedhur kryeprokurori i ri, po ashtu amerikan dhe tani gjithçka është në pritje të sinjaleve të politikës ndërkombëtare se kur do të dorëzohen akuzat e para”, tha ai.

Krejt në fund, avokati i njohur thekson se edhe pse Gjykata Speciale është funksionale për më tepër se një vit, gjithçka varet nga Zyra e Prokurorit Special.

“Gjykata Speciale është funksionale për me tepër se një vit, por, gjithçka varet nga Zyra e Prokurorit Special se kur do të dorëzojë akuzat e para në gjykatë. Politika ndërkombëtare vendos për këtë përmes prokurorit”, përfundoi avokati i njohur në vend, Tomë Gashi, për gazetën “Bota sot”.

Ndërkohë, kujtojmë se dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë formuar në bazë të Amendamentit Kushtetues dhe Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për gjykimin e pretendimeve të paraqitura në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare. Gjersa, dihet se ato janë të përkohshme dhe me mandat e juridiksion të përcaktuar, konkretisht për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera, të cilat pretendohet se janë kryer midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000.

“Kosova duhet të çlirohet nga e kaluara”

Në anën tjetër, analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se, Gjykata Speciale nuk ka filluar ende punën për shkak të bisedimeve në Bruksel.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, ekziston frika se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë lëshime të mëdha dhe po vazhdon të bëjë vetëm e vetëm për t'i ikur kësaj.

“Besoj se Gjykata Speciale nuk ka filluar ende punën për shkak të bisedimeve në Bruksel, e të cilat janë përdoruar nga presidenti Thaçi për t`i ikur pikërisht kësaj gjykate. Dhe ekziston frika se Thaçi ka bërë lëshime të mëdha dhe po vazhdon të bëjë vetëm e vetëm për t'i ikur kësaj gjykate, e cila është brenga e tij jetësore”, thotë Faton Mehmeti.

Tutje, ai thotë se, vendi ka nevojë për këtë gjykatë, ndryshe, rrezikon shumë që të mbetët një njollë e keqe në historikun e Evropës.

“Andaj, Gjykata Speciale s’ka filluar punën , pasi dëshiron që fillimisht të përmbyllet procesi i bisedimeve ne Bruksel. Mendoj se kjo gjykatë mund të fillojë punën në dhjetor, më herët nuk besoj se ka shanse të ndodh një gjë e tillë. Gjithsesi kjo gjykatë do të fillojë punën, dhe mbetet vetëm çështje kohe para se të ndodh një gjë e tillë. Kosova ka nevojë për këtë gjykatë, ndryshe rrezikon shumë që të mbetët një njollë e keqe në historikun e Evropës. Kosova duhet të çlirohet nga e kaluara, për të ecur tutje me kokëlartësi”, përfundoi Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test