Arsyetimi skandaloz i Thaçit për t’i udhëhequr negociatat

Politika

Arsyetimi skandaloz i Thaçit për t’i udhëhequr negociatat

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 26 korrik 2018 Në ora: 13:21
Hashim Thaçi

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, në konferencën e parafundit për media, tha se deri kah fundi i vitit duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, e cila do të jetë obligative për të dyja vendet dhe që do të rezultojë me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Caktimin e këtij afati kohorë, ai e arsyetoi me atë se kah mesi i vitit të ardhshëm, pritet të mbahen zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian.

Këto zgjedhje mund të sjellin në parlament deputetë të partive populliste që suksesin e tyre politik po e shohin duke kundërshtuar Bashkimin Evropian, sepse aktualisht në Bruksel mbizotërojnë dy mendime të kundërta të krahëve politik.

Njëri krah politik mendon se përforcimi i Bashkimit Evropian, ndihmon edhe në stabilitetit e shteteve anëtare sa i përket sigurisë publike, zhvillimit ekonomike dhe social. Kurse, krahu tjetër politik mendon se disa rregulla strikte të BE-së po e pengojnë zhvillimin e shteteve anëtare.

Partitë popullsite në pushtet, janë në Austri, Hungari dhe vendet tjera. Madje, këto subjekte politike dyshohet se financohen nga Rusia e Putinit në mënyrë që përmes tyre të dobësohet Bashkimi Evropian. Viktor Urban, disa herë ka mbajtur takime me Putinin dhe haptas e shpreh admirimin e tij nda presidentit rus.

Por, pavarësisht frikës së ndryshimit të pushtetit në organet e Bashkimit Evropian, kjo nuk ia jep të drejtën presidentit Thaçi që turrë e vrap të shkojë në Bruksel për tu takuar me Vuçiqin.

E para është sa i përket mandatit. Kuvendi i Kosovës në vitin 2012 ka miratuar një strategji që autorizon kryeministrin e vendit për të udhëhequr bisedimet politike në Bruksel. Në bazë të kësaj strategjie Hashim Thaçi në cilësinë e kryeministrit hyri në bisedimet me Serbinë.

Në këto bisedime ai pranoi që Kosova të nënshkruaj marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me shtetin e Serbisë. Njëra nga pikat e kësaj marrëveshjeje është edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Këto bisedime i vazhdoi edhe pasuesi i tij Isa Mustafa. Ai në vitin 2015 nënshkroi marrëveshjen e gushtit të vitit 2015 për kompetencat që do t’i ketë Asociacioni i komunave.

Kurse, tashmë Kosova po fillon një fazë të re të bisedimeve, e ato po tenton t’i udhëheq Thaçi pa u miratuar një dokument në Kuvend që tekstualisht e autorizon atë për ta bërë këtë gjë.

E dyta është se presidenti i vendit nuk shihet person i duhur dhe kredibil për t’i udhëhequr këto bisedime. Ai deri më tani ka nënshkruar disa marrëveshje me Serbinë që e kontestojnë pavarësinë e Kosovës.

Kurse, tash po lajmëron se në bisedimet e ardhshme do të ketë vështirësi edhe më të mëdha dhe po paralajmëron se do të ketë kompromise të dhimbshme, pa treguar se cilat do të jenë ato.

Ndërkohë, mediumet ndërkombëtare po raportojnë se ai është i pajtimit që të hyjë në bisedime me Vuçiqin për të negociuar edhe për ndarjen e pjesës veriore të Kosovës.

Përpos këtyre dëmeve që konsiderohet se ai ia ka bërë vendit, i pari i shtetit në një farë mënyrë ndihet edhe i kërcënuar edhe nga Gjykata Speciale, sepse në raportin e Dick Martit, Thaçi është personi i parë që dyshohet se është i përfshirë në krime gjatë dhe pas luftës.

Kështu që presidenti duke u thirrur në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në BE, pa e marrë një mandat nga Kuvendi i Kosovës, po dëshiron të nënshkruaj një marrëveshje me Serbinë që askush ende nuk e din se për çka do të bisedohet dhe cilat kompromise e ka ndërmend t’i bëj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat