Loja e Thaçit me kufijtë, mesazhi nga Merkel dhe premtimi nga Vladimir Putin

Politika

Loja e Thaçit me kufijtë, mesazhi nga Merkel dhe premtimi nga Vladimir Putin

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 14 gusht 2018 Në ora: 14:24
Hashim Thaçi, Angela Merkel dhe Vladimir Putin / Foto ilustrim "Bota sot"

“Kufijtë dhe integriteti territorial i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor janë të krijuara (vendosura) dhe janë të paprekshme. Kjo duhet të përsëritet shumë herë sepse ka disa tendenca të bisedohet për kufij, dhe kjo nuk mund të bëhet”. Kështu u shpreh gjatë ditës së djeshme kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, duke ua shuar shpresat të gjithë atyre që kanë hedhur idenë e ndryshimit të kufijve në Ballkan, ku më të zëshëm në këtë kanë qenë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Por çfarë nënkupton mesazhi nga Angela Merkel lidhur me ndryshimet e kufijve në Ballkan?

Gazeta “Bota sot”, ka biseduar me profesorin ndërkombëtar, doktor, Enver Bytyçi.

Sipas tij, Merkel e di se ndryshimi eventual i kufijve të Kosovës, do të nxiste ndryshime edhe në Bosnjë-Hercegovinë, e deri në Maqedoni, Bullgari, Greqi, Rumani.

Image
Enver Bytyçi

“Europa është në këtë rast aktori kryesor që do të dëmtohej nga një ndarje e mundshme e Kosovës. Ndonëse Rusia do dilte e fituar dhe SHBA-të thjesht për marrëdhënien e veçantë me Kosovën mund ta kundërshtonin ndarjen, Gjermania, Britania e Madhe, Austria dhe vendet nordike e ato të Europës Lindore janë e do të mbeten kategorikisht kundër një projekti të tillë. Prandaj dhe deklaratë e zonjës Merkel është e bazuar në aksiomën e interesave gjeopolitike të Gjermanisë.  Merkel ka informacionin e nevojshëm me të cilin qartëson idetë dhe qëndrimet e saj. Ajo është e vetëdijshme se ndarja e Kosovës, ose shkëmbimi i territoreve, ose korrigjimi i kufijve të Kosovës, siç thotë zoti Thaçi, janë një minë me sahat për stabilitetin dhe sigurinë e Europës. Sepse pas kësaj reaksioni do të vinte zingjir nga Bosnjë-Hercegovina e deri në Maqedoni, Bullgari, Greqi, Rumani e me radhë. Ky reaksion zingjir do të rikthente Rusinë në Ballkan jo thjesht me influencë politike, por edhe me bazë ushtarake ne bregdetin Adriatik, e cila do të ishte një kërcënim permanent për Perëndimin Europian. Europa në këtë rast do të merrte statusin e Ukrainës së sotme”, thekson Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se në rast se ndodhë një gjë e tillë, atëherë Evropa do të ishte e pasigurtë përballë kërcënimit rus.

“Merkel dhe udhëheqësit seriozë në Europë nuk mund të lejojnë që në nga Ballkani dhe bregu lindor i Adriatikut të vinte një kërcënim i drejtpërdrejtë ushtarak rus. Në këtë rast jo vetëm që Europa do ishte e pasigurt, por edhe do të gjendej para një shkatërrimi total të gjendjes së sotme komunitare. E në të vërtetë, Rama dhe Thaçi po e ndihmojnë Rusinë dhe Turqinë në paraqitjen e projekteve të tyre për copëtimin e kufijve të Kosovës. Logoja nacionaliste po ju shërben si maskë e qëllimeve antishqiptare!”, deklaron profesori ndërkombëtar.

Ai thekson se presidenti Thaçi, si këshilltar dhe udhërrëfyes për ndryshimin e kufijve e ka kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Presidenti Thaçi dje lëshoi një letër falënderimi dhe një thirrje që "të gjitha partitë politike, shoqëria civile dhe qytetarët të mbështesin "të drejtën e tij" për "korrigjimin" (ndryshimin e kufijve) të Kosovës"! Po përdor me dredhi idenë e "bashkimit të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovën" dhe po hiqet se kjo nuk do të bëhet me ndarjen e Kosovës.  Me këto akrobaci po dëshmon se ka një këshilltar dhe rrëfyes më shejtan sesa është vetë Thaçi. Shejtani fshihet te Edi Rama, i cili ka marrë përsipër të plotësojë dëshirën e Vuçiqit për ndarjen e Kosovës dhe dhënien e pjesës më të pasur e më vitale të saj Serbisë! Por as Rama dhe as Thaçi nuk kanë llogaritur ekulibrat gjeopolitikë”, shprehet ai.

Bytyçi këmbënguljen për ndryshimin e kufijve e lidh me Gjykatën Speciale, ku sipas tij, Merkel është në dijeni të faktit se kjo lojë e Ramës dhe Thaçit në shërbim të Serbisë dhe Rusisë.

“Merkel është në dijeni të faktit se kjo lojë e Ramës dhe Thaçit në shërbim të Serbisë, Rusisë dhe aktorëve antishqiptarë të tjerë në Europë bëhet për arsye personale dhe nuk është i argumentuar nga pikëpamja gjeopolitike dhe e së drejtës ndërkombëtare! Arsyet personale të Thaçit lidhen me Gjykatën Speciale dhe zhbërjen e saj. Opinioni publik është i njohur me përpjekjet e vitit të kaluar që zoti Thaçi bëri për ta anulluar ligjin për këtë gjykatë. Ishte këshilla e Ramës edhe kjo ndërmarrje. Kur dështoi me këtë aksion personal të tij, ai tashmë ka filluar taktikën e krahmarrjes”.

“Copëtimi i Kosovës e zhbën atë si shtet. Zhbërja e Kosovës si shtet obligon kushtetutë të re, ligje të reja, pjesë e të cilave nuk do të jetë Gjykata Speciale. Kështu që Thaçi do t'i shpëtojë ndëshkimit të drejtësisë për krimet që ka kryer sidomos kundër shqiptarëve. Ka shumë gjasa që Vuçiq ka ndërmjetësuar tek Vladimir Putin që as Këshilli i Sigurimit të mos merret më pas me ngritjen e një gjykate të tillë. Pasi ka marrë garanci për këto, ndoshta dhe pasi ka marrë dhe premtime të tjera financiare dhe të biznesit, për të ardhmen e tij në pushtet etj, presidenti i Kosovës hoqi dorë nga detyra e tij kushtetuese dhe mori përsipër mbrojtjen hapur të pozicionit të tij personal. Kërkon hapur ndarjen e Kosovës”, thotë Bytyçi.

“Por Merkel nuk niset nga interesa personale. Ajo nuk ka hipotekat e Thaçit e të zotit Rama, që të manovrojë me shitjen e interesave gjermane e europiane përballë interesave ruse. Merkel përfaqëson një institucion të pakompromentueshëm e të pakorruptueshëm. Prandaj ajo është e vendosur në principet e saj në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit europian. Për Ramë dhe Thaçin, në djall duhet të shkojnë të gjitha këto, mjafton që të rreken pas pushtetit dhe pasurisë marramendëse që ata kanë grumbulluar në duart e tyre”, përfundon Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat