Pse krerët e institucioneve nuk guxojnë të përdorin masa reciprociteti ndaj Serbisë?

Politika

Pse krerët e institucioneve nuk guxojnë të përdorin masa reciprociteti ndaj Serbisë?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 gusht 2018 Në ora: 12:11
Qeveria e Kosovës

“Sjellja e politikanëve serbë me deklarata politike të cilët haptas e mohojnë dhe e injorojnë shtetësinë e Kosovës do të duhej të shtynte qeverinë tonë të ndalonte hyrjen e politikanëve të tillë në shtetin tonë”, është shprehur deputetja Drita Millaku.

Ditë më parë, Serbia nuk e ka lejuar ish- kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islamin, që ta vizitojë Preshevën.

E në anën tjetër, krerët e institucioneve të vendit, i kanë dhënë dritën jeshile, shefit të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq, që ta vizitojë Kosovën.

E ky veprim i institucioneve të Kosovës, po konsiderohet jo i duhur nga politikanë dhe analistë të rrethanave politike në vend.

Ata vlerësojnë se, Kosova duhet të ngrisë zërin për mos lejimin e Akademik Islamit në Preshevë dhe për më tepër, duhet të përdorë masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Image
Drita Millaku

Millaku: Qeveria do të duhej të ndalonte hyrjen e politikanëve të tillë në shtetin tonë

Duke folur për këtë çështje, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Drita Millaku, ka thënë për “ Bota sot” se, kjo tregon pavendosmërinë e qeverisë sonë për të zhvilluar raporte reciproke diplomatike dhe shtetërore.

“Shteti i Kosovës nuk duhet që të ndërmarrë asnjë hap të pamatur dhe të pa menduar, por assesi nuk duhet të nënshtrohet para shtetit serb. Megjithatë nuk po mundem ta kuptoj se si Behgjet Pacolli i ka dhënë leje Gjuriqit për të hyrë në Kosovë, kur vetëm para një jave atij, iu ndalua që të vizitojë Novi Pazarin. Pra, me këtë ata po na dëshmojnë se kjo Qeveri është butak pa kurrizor, labil e paaftë për qeverisje. Sepse sjellja e politikanëve serbë me deklarata politike të cilët haptas e mohojnë dhe e injorojnë shtetësinë e Kosovës do të duhej të shtynte qeverinë tonë të ndalonte hyrjen e politikanëve të tillë në shtetin tonë”, është shprehur Millaku.

Kurse analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se, ndalimi i ish- kryetarit të Akademisë së Kosovës, akademik Hivzi Islamit që të shkojë në vendlindjen e tij, është dëshmi se serbët janë racë e ndytë, e ligë dhe qyqare.

Image
Skender Zogaj

Zogaj: Qeveria e Kosovës duhet të zbatojnë ligjin në reciprocitet

Sipas tij gradualisht Qeveria e Kosovës duhet të zbatojë ligjin në reciprocitet të plotë me Serbinë dhe serbët në Kosovë.

“Ky rast nuk duhet të heshtet, por të ngritët dhe t’u parashtrohet kancelarive dhe sidomos të informohen akademitë simotra kudo në botë, që ta shohin dhe kuptojnë fytyrën e zezë të Serbisë. Mirësjellja e një anshme e institucioneve të Kosovës mendoj se është e mirë sepse, të mençurit lëshojnë udhë, ndërsa budallenjtë ngulin këmbë në budallallëkun e tyre. Mirëpo, gradualisht Qeveria e Kosovës duhet të zbatojë ligjin në reciprocitet të plotë me Serbinë dhe serbët në Kosovë. Vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës nuk duhet konsideruar pafuqi dhe nënshtrim të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë analisti politik Zogaj.

Image
Sulejman Mehazi

Mehazi: Prej nga vjen kjo pabarazi, e dinë Thaçi e Haradinaj

Kurse, njohësi i çështjeve politike Sulejman Mehazi, ka pohuar se gjesti argumentues i përkuljes së qeverisë së Kosovës ndaj qeverisë Serbe shihet qartë me rastin e ndalesës të akademikut Hivzi Islamit në Preshevë nga pala serbe, në njërën anë dhe në anën tjetër, lejimin e Gjuriqit nga qeveria e Haradinajt lirshëm në Kosovë.

“Jo vetëm kaq, po më e keqja se të gjithë funksionarët serbë vijnë si kapadai e në mes të Kosovës shajnë, nënçmojnë e kërcënojnë shtetin e Kosovës, prej nga vjen kjo pabarazi shtetërore më së miri e dinë Hashim Thaçi e Haradinaj e askush tjetër. Ndoshta për shkak bizneseve të mëdha me qeveritarët serbë dhe politikës elitare të Kosovës  iu mbyllet goja për shkak të  bizneseve të mëdha me qeverinë serbe,  pasi dihet që, politikanët mbyllin gojën atëherë kur janë të mbushur me ushqime korruptive e skandaloze. Shkurt e qartë, fat që amerikanët e mbajnë dhe e ruajnë mëvetësinë e Kosovës, sesa për politikanët tanë, Kosovën kaherë ia kishin falur Serbisë”, është shprehur njohësi i çështjeve politike Sulejman Mehazi.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Kjo është shenja më e keqe

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani, ka thënë për “Bota sot”, se marrëveshja e parë që është dashtë të jetë me Serbinë është lejimi i vizitave reciproke por pa politikë dhe pa keqpërdor lëvizjen e lirë, vetëm raportet kulturore e sportive dhe aktivitete jo politike.

“Kjo do të duhej të ishte e vetmja vizitë edhe vizitat e zyrtarëve politikë të shteteve nuk do të duhej të shfrytëzohen për gjëra politike por thjesht në suaza të drejtave të njeriut dhe vizitave mbi gjendjen e pakicave si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Pasi kjo gjendje qysh është  tash është e qartë pasi kurrë s’do të ketë normalizim e as shenja të normalizimit nuk ka pasur asnjëherë. Mund të themi se ka pasur betejë politike dhe kush ka fituar gjithmonë Serbia, e cila nuk është ndalur kurrë për të punuar kundër sovranitetit të Kosovës. Kjo është lejuar nga BE-ja  dhe mendoj se ishte gabim në proces të normalizimit, pasi nuk ka kundër njëri- tjetrit, por ka hapa drejt një normalizimi të raporteve. Kur ndalen edhe njerëz të shkencës nga Serbia, atëherë kjo është shenja më e keqe e mundshme kundër kulturës, shkencës, dhe dijes në përgjithësi,” ka thënë Burjani.

Image
Ismet Haziri

Haziri: I papranueshëm, inferioriteti ndaj Serbisë

Sipas njohësit të çështjeve politike, Ismet Haziri, problemet me kalimin e kufirit, janë raste të shumta, që tregojnë pafuqinë institucionale për të përdorur masat e reciprocitetit.

“Prandaj këtë fenomen nuk kemi si ta quajmë përveç se institucione jo kredibile e të varura nga patericat e të tjerëve që të qëndrojë ne këmbë. Prandaj edhe nuk na befason edhe qëndrimi që mbajnë kompetentet që kanë autoritetin për të dhënë leje Gjuriqit që të hyjë e të dalë nga Kosova, si në lojën e “Cic Micit”. Përveç tjerash, është ë pa pranueshme për qytetarët e Kosovës, që përfaqësuesit institucional të sillen me inferioritet ndajë shtetit Serb”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, rasti i akademikut  prof. Dr. Hivzi Islamit, është një fyerje ndaj inteligjencës tonë.

“Ndonëse ka qenë krejt në vizitë private e akademik Islamit, megjithatë ai për vite të tëra ka përfaqësuar Akademinë tonë dhe ajkën intelektuale të Kosovës. Rasti tjetër që ndërlidhet me politikën e që i përket reciprocitetit, është e drejta e garantuar, me të gjitha konventat evropiane, që secili ka të drejtë legjitime ne pronën e vet, e që është objekt i marrëveshjes se bisedimeve ne Bruksel.”, ka thënë Haziri.

Ai konsideron se, në këtë rast kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të një të drejte elementar të një qytetari të Kosovës, që duhet shfrytëzuar maksimalisht para kancelarive Evropiane. “Nuk duhet harruar që diplomacia dhe politika nuk behën me emrat “Diplomaci e Politikë”, por me veprimet konkrete të qëlluara e në kohën e duhur, gjë që diplomatëve e politikanëve tonë të nxjerrë diku nga errësira, akoma nuk po iu kthehet shkëlqimi i ta pamurit, për çka kanë zënë pozitat sipas zinxhirit nepotist dhe partiak. Pra, kjo është shumë evidente, tepër dëshpëruese dhe jashtëzakonisht e dëmshme për Kosovën”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat