Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon të mos zmbrapset nga iniciativa e nisur për korrigjimin e kufijve me Serbinë.
Fakti që po kritikohet ashpër nga pozita, opozita, diplomatët ndërkombëtarë e njohësit e çështjeve të Ballkanit nuk po e pengojnë presidentin Thaçi të mos zmbrapset nga iniciativa e nisur fillimisht për korrigjimin e kufijve me Serbinë.
Për mos korrigjim të kufijve ishte deklaruar edhe qeveria gjermane, ku për gazetën “Bota sot”, kishin deklaruar se shprehen të shqetësuar me gjendjen aktuale në Kosovë.
E në të njëjtën linjë po del të jetë edhe një shtet mik i Kosovës, Britania e Madhe.
Gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar me qeverinë britanike, ku në një përgjigje ekskluzive për “Bota sot”, ata janë deklaruar se thirrjet për ri-vizatim të kufijve në mes dy shteteve mund të çojnë në destabilizim.
Gjithashtu qeveria britanike, ka bërë të ditur se vazhdojnë të mbështesin dialogun e lehtësuar nga BE me qëllim të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që përfitojnë të dy vendet.
"Normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është thelbësor për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e të dy vendeve dhe rajonit më të gjerë. Britania e Madhe beson se kjo duhet të jetë në bazë të njohjes së shteteve sovrane brenda kufijve të tyre aktual. Ne besojmë se thirrjet per ri-vizatim te kufijtë mund të qojnë në destabilizim. Ne vazhdojmë të mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE me qëllim të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që përfiton të dy vendet", thuhet në përgjigjen ekskluzive nga Qeveria britanike për gazetën “Bota sot”.