“Shqetësuese deklaratat e Vuçiqit për territoret e Kosovës në Kosovë” - Bota Sot
“Shqetësuese deklaratat e Vuçiqit për territoret e Kosovës në Kosovë”

Politika

E mërkurë, 26 shtator 2018

“Shqetësuese deklaratat e Vuçiqit për territoret e Kosovës në Kosovë”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 9 shtator 2018 Në ora: 21:54
Aleksandar Vuçiq

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq ka qëndruar vikendin në Kosovë, duke vizituar vendet e Kosovës, qytetarët serbë dhe duke dhënë deklarata nga më të ndryshme.

Të shtunën Vuçiq ka vizituar Ujmanin, gjersa që nga aty ka thënë se e ka ndërmend ta nxjerrë në agjentën e bisedimeve Liqenin e Gazivodës. Ai ka thënë se duhet marrëveshje që Kosova ta shfrytëzojë ujin nga ky Liqen.

"Gazivoda është  e rëndësishme edhe për serbet edhe për shqiptarët. Mendoj se këtu ne mënyrën më të mirë shihet pesha e problemit që e kemi dhe qëndrimet e ndryshme që i kemi për Gazivodën dhe luftën e vështirë politike  që e kemi pasur dhe që shpresoj që do ta tejkalojmë ne dhe shqiptarët në 100 vitet e ardhshme në mënyrë që të jemi të kënaqur edhe ata me shfrytëzimin e ujit sepse pjesa më e madhe e  Metohisë furnizohet nga këtu dhe natyrisht Obiliqi dhe Prishtina veçmas në muajt e verës. Per ne Gazivoda është e rëndësishme, pa të serbët nuk mund të jetojnë këtu", ka thënë ai.

Marrja e Liqenit të Ujmanit, është shqetësuese edhe për politikanët në Kosovë dhe analistët politikë.

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, pas protestës së mbajtur në Drenicë për parandalimin e Vuçiqit atje, ka thënë se pretendimet e Vuçiqit janë për Ujmanin, prandaj ai do të duhej të ndalohej atje.

“Vuqicit duhet t'i ndalohet edhe Drenica, por jo vetem kaq, atij duhet t'i ndalohet edhe e gjithë Kosova. Ai s’kishte as pse të lejohej në Ujman, pa lerë më edhe në Drenicë. Ardhja e tij ne Kosove është rezultat i marrëveshjeve të fshehta me Thaçin. Madje ajo çfarë ndodhi këto dy ditë me vizitat milosheviciane të Vuqiçit është vetëm një pjesë nga skenare të fshehta të "normalizimit" të marrëdhënieve me Serbinë”, ka shkruar Selimi në Facebook.

Ndërsa, sociologu Fadil Maloku, Ujmanin e quan “Gazimestan” i ri i Vuçiqit.

Ai ka thënë se duhet të mbahet në mend që Ujmani dhe Trepça do të jenë shkaku kryesor i “betejave” me Serbinë.

“Ujmani(Gazivoda) si “Gazimestan”i ri Vuçiqit! Mbane në mend; Ujmani dhe Trepça do bëhen shkaku kryesor i “Betejave” me Serbinë! Natyrisht! nëse liberalizimi nuk e shprazë tërësisht Kosovën”, ka shkruar Maloku.

Ndërsa, analisti politik Faik Krasniqi, nuk i konsideron të rëndësishme fjalët e Vuçiqit, sa i konsideron shqetësuese ato deklarata në territor të Kosovës.

Mirëpo, sipas Krasniqit, lëvizja e kufijve nuk varet nga Thaçi apo Vuçiqi, por nga fuqitë e mëdha ndërkombëtare.

Image
Faik Krasniqi

“Nuk ka rëndësi se çfarë flet Vuçiqi për Ujmanin, Trepçën dhe kufijtë e Kosovës. Por shqetësuese është që për territorin dhe pasuritë e Kosovës flet nga territori i Kosovës, dhe liderët tanë institucionalë heshtin përballë propagandës së tij. Kështu kanë vepruar edhe në të kaluarën, prej çlirimit të Kosovës.  Sidoqoftë, lëvizja e kufijve nuk varet as nga Hashim Thaçi e as nga Aleksandër Vuçiq. Nëse fuqive të mëdha do t'u kishte konvenuar një gjë e tillë, do ta lejonin shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe në këtë mënyrë do të hapej Kutia e Pandorës në gjithë botën. Serbisë i intereson më shumë që të mbaj lidhjet me Kosovën përmes serbëve që jetojnë këtu, prandaj edhe me ngulm po kërkojnë krijimin e Asociacionit”, ka thënë Krasniqi.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq në ditën e fundit të vizitës ka deklaruar se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por as nuk do të nxisë luftë e konflikt në Kosovë.

Në fjalimin e tij përmbyllës, Vuçiq ka thënë se dëshiron t’i ndryshojë të drejtat e serbëve në Kosovë dhe t’ua mundësojë të gjitha të drejtat që u takojnë në botën e qytetëruar.

Analisti politik Faik Krasniqi, ka thënë se qëllimi i Thaçit dhe Vuçiqit është formimi i asociacionit me kompentenca ekzekutive, por sipas Krasniqit, me këtë asociacion do të bëhen problemet të mëdha.

“Ky është qëllimi i tyre, dhe nëse ndodh që ky Asociacion të ketë kompetenca ekzekutive atëherë do kemi probleme të mëdha, sepse do krijohej një mini-shtet brenda shtetit. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk lejon Asociacion me kompetenca ekzekutive, dhe një Asociacion në formë OJQ-je do të mbyllte çdo betejë me Serbinë”, ka pohuar Krasniqi.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test