Fizkultura politike e Thaçit për t`i shpëtuar Gjykatës Speciale - Bota Sot
Fizkultura politike e Thaçit për t`i shpëtuar Gjykatës Speciale

Politika

E hënë, 24 shtator 2018

Fizkultura politike e Thaçit për t`i shpëtuar Gjykatës Speciale

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 12 shtator 2018 Në ora: 20:53
Hashim Thaçi

“Thaçi po bën fizkultura politike për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale. Dhe të gjitha këto akrobacione, përveç Gjykatës Speciale kanë edhe një qëllim formimin e Asociacionit, gjëja më e rrezikshme që mundet më i ndodhë Kosovës. Thaçi përveç që është njeri i keq është edhe shqiptar i keq”, ka thënë Deputetja Drita Millaku.

Përfaqësuesit e Kosovës Lindore, kanë kërkuar të hënën që në Kuvendin e Kosovës të miratohet një rezolutë për bashkim me Kosovën.

Kjo kërkesë e tyre gjeti mbështetje dhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po ashtu ka mbështetur edhe përfshirjen e tyre në dialogun me Serbinë.

Gjatë konferencës që mbajti me ta, Thaçi ftoi Kuvendin, liderët politik të Kosovës dhe partitë politike që ta mbështesin angazhimin e tij që këto tri komuna t’i bashkohen Kosovës.

“Na duhet unitet në Kosovë. Vet përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, kanë propozuar një rezolutë e cila tash do t’i prezantohet kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe partive politike”, u shpreh ai, duke shtuar se tani mbetet që Kuvendi i Kosovës ta shqyrtojë dhe miratojë këtë rezolutë, si mbështetje për aspiratat politike të përfaqësuesve të këtyre komunave për bashkim me Kosovën.

Ndërsa, kryetari i komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi prezantoi rezolutën, e cila tha se do t’u dorëzohet të gjithë liderëve politik në Kosovë, ku kërkesa kryesore është që Kuvendi i Kosovës ta miratojë këtë kërkesë dhe të miratojë rezolutën për bashkimin e Preshevës, Medvegjes e Bujanocit me Kosovën, duke u thirrur në vullnetin e shprehur të popullatës së atjeshme në referendumin e vitit 1992.

Sipas Arifit, kërkesa e tyre nuk ka të bëjë me shkëmbim territoresh në mes ë Kosovës dhe Serbisë, por me korrigjim të kufirit të Kosovës.

Image
Naser Rugova

Por, a duhet të votohet një rezolutë e tillë në Kuvendin e Kosovës, që këto tre komuna t’i bashkohen Kosovës?

Rugova: Duhet të jemi të kujdesshëm

Lidhur me këtë, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Naser Rugova, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se për LDK-në, sovraniteti, integriteti dhe rendi kushtetues janë parime bazë që dalin nga pakoja e Ahtisarit dhe deklarata e pavarësisë.

“LDK e ka qëndrimin zyrtar si parti dhe grup parlamentar, sovraniteti, integriteti territorial dhe rendi kushtetues janë parime bazë që dalin nga pakoja e Ahtisarit dhe deklarata e pavarësisë, prandaj ne si klasë politike dhe legjislativ duhet të jemi racional dhe të kujdesshëm”, është shprehur deputeti Rugova.

Millaku: Thaçi po bën fiskultura politike për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale

Image
Drita Millaku

Kurse, deputetja Drita Millaku nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Thaçi po e bën këtë që ta arsyetojë politikën serbe të Vuçiqit, duke kërkuar që t’i fus në lajthitje edhe krerët e Luginës.

“Unë mendoj se Thaçi për të arsyetuar tërë këtë fiskulturë të orkestruar nga Vuçiqi dhe politika serbe dhe duke parë se nuk po gjen përkrahjen e duhur nga faktori shqiptar, po mundohet të krijojë situata të cilat e shtyjnë këtë projekt medoemos. Takimi i fundit me krerët e Luginës tregon qartë se Thaçi kërkon që të fus në lajthitje edhe ata, ashtu siç ka bërë shpesh edhe me disa politikanë në Kosovë”, është shprehur ajo.

Sipas Millakut, presidenti është i vetëdijshëm se projekti i tij nuk po gjen mbështetje nga faktori shqiptar dhe këtë po e bën që t’i shpëtojë Gjykatës Speciale.

“Është i vetëdijshëm se ky projekt nuk po gjen mbështetjen tek ne, por as tek ndërkombëtarët. Megjithatë më lojërave të Thaçit nuk po ju beson askush. Thaçi po bën fiskultura politike për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale. Dhe të gjitha këto akrobacione, përveç Gjykatës Speciale kanë edhe një qëllim formimin e Asociacionit, gjëja më e rrezikshme që mundet më i ndodhë Kosovës. Thaçi përveç që është njeri i keq është edhe shqiptar i keq”, ka vlerësuar ajo.

Rezoluta hap i dëmshëm dhe i ngutshëm

Ndërsa, votimi në Kuvend i një rezolute të tillë, sipas deputetes së VV-së do të ishte i dëmshëm dhe i ngutshëm, andaj duhet një strategji kombëtare kundër Serbisë.

“Votimi në parlament i një rezolute të tillë kuturu do të ishte i dëmshëm dhe i ngutshëm. Unë mendoj se në raport me Serbinë duhet të veprohet si komb e assesi me individë, pra duhet një strategji kombëtare, jo individuale. "GJARPERIT PO I SHIHEN KËMBËT"”, ka theksuar Drita Millaku për gazetën “Bota sot”.

PSD qëndron prapa rezolutës së propozuar

Ndërsa, Partia Socialdemokrate thonë se duhet të merren parasysh kërkesat e tyre dhe që edhe Kosova Lindore të jetë e përfshirë në dialog.

“Partia Socialdemokrate insiston se Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të jetë bartës i procesit të dialogut, e që shumica e kualifikuar të deputetëve të Kuvendit të Republikës duhet urgjentisht ta miratojnë platformën, ekipin negociues dhe komision mbikëqyrës të dialogut; ku do të përfshiheshin edhe kërkesat e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës. Çdo ditë e më shumë po vërtetohet se opsioni i paraqitur që disa muaj nga Partia Socialdemokrate për një rezolutë e cila për bashkon pozitën dhe opozitën nëpërmjet votës së shumicës së kualifikuar të deputetëve të Republikës, e ku përfshihen edhe kërkesat e Luginës së Preshevës, mbetet opsioni më i mirë për të ecur tutje në dialogun me Serbinë dhe për të dalë nga kriza e tanishme, të shkaktuar nga Presidenti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e PSD-së.

Burjani: Fati i një rezolute të tillë nuk i dihet

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, duke folur për këtë çështje, ka thënë për gazetën “Bota sot” se votimi i një rezolute mund të ndodhë, por nuk dihet fati i saj pasi Serbia nuk do ta lejonte një gjë të tillë.

“Votimi mund të ndodhë në kuptimin formal të shprehjes së lirë të vullnetit, por fati i një rezolute të tillë nuk i dihet. Serbia nuk do të tolerojë me siguri asnjë vendim apo rezolutë që cenon sovranitetin e saj përderisa në Kosovë serbët lokal të veprojnë si të duan dhe mund të mbahen zgjedhje të Serbisë, mund të hynë pa ndalë ilegalisht njerëz kriminel dhe zyrtar të shtetit serb në veri të Kosovës. Këto gjëra pothuajse janë bërë pjesë e përditshme e veprimeve të Serbisë në Kosovë”, është shprehur ai.

Sipas tij, kjo mund të jetë përgatitje për një lojë më vonë, hapje e temave të bashkimit, përgatitje për stuhi të reja në raportet politike Kosovë-Serbi.

“Lugina mund të ketë vullnetin e vet po sikur edhe pjesët tjera shqiptare në Serbi por nuk ka ndonjë rëndësi të madhe për zhvillimet politike për momentin, kjo quhet para përgatitje për të bërë lojë më vonë, hapja e temave të bashkimit është formale dhe e vullnetit. Pra unë u quaj përgatitje për stuhi tjera në relacionet politike Kosovë -Serbi, këto zhvillime në Preshevë. Nëse ndodhë kjo rezolutë, Serbia të gjithë e dinë se nuk përton ta rrethojë me tanke Kuvendin e Preshevës. Kjo mund të ndodhë nëse do të ketë synime të tilla. Tash a është kjo pjesë e ndonjë skenari të përbashkët Thaçi dhe Vuçiq pritet të shihet shumë më vonë”, ka deklaruar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test