Autobusët e rinj ekologjikë në shërbim të Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës

Prishtina

Autobusët e rinj ekologjikë në shërbim të Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës

Më: 11 janar 2017 Në ora: 14:31
15 autobusët e parë janë lëshuar sot për qarkullim në Prishtinë

15 autobusët e parë janë lëshuar sot për qarkullim në Prishtinë. E pas dy javësh në kryeqytet do të vijën edhe 15 autobusët e dytë që janë blerë nga komuna për nevojat e trafikut urban ndërsa ata të fundit në mars ose prill.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti tha se 51 autobusët e rinj nuk do ta mbulojnë transportin publik në Prishtinë pasi që kryeqyteti ka nevojë për 160 deri në 200 autobusë.

Image

Ahmeti: Pas tre viteve e finalizuam projektin

“Dhe sot pas 3 viteve jemi këtu me autobusët e rinj, pas shumë diskutimesh, pas shumë analizash që t’i kemi këta autobusë sot në Prishtinë. 15 autobusët e dytë vijnë me 23-24 janar dhe 21 autobusët e fundit vijnë dikur në mars-prill. Me ç’rast do t’i kemi 51 autobusë të cilët nuk do ta mbulojnë të gjithë transportin publik në Prishtinë. Prishtina ka nevojë për 160 deri në 200 autobusë. Në kredinë që e kemi marrë nga BERZH-i kushti është që gjysma të jenë në pronësi publike e gjysma në pronësi private. Megjithatë kjo e mbulon një pjesë të madhe e pronësisë të sektorit publik në transportin publik të Prishtinës. BERZH-i na ka dhënë një kredi jashtëzakonisht të favorshme, e cila përveç kredisë ka edhe një pjesë gati se një milion euro që është asistencë teknike për reformimin e kompanisë të trafikut urban si dhe për planin e mobilitetit për komunën e Prishtinës’’, tha Ahmeti

Ministri i Financave Avdullah Hoti tha s ky është një projekt i rëndësishëm për Prishtinën.

Hoti tha se këtë vit në Prishtinë do të ketë projekte të tjera ku ai përmendi fabrikën për trajtimin e ujërave të zeza dhe stadiumin olimpik.

Hoti: Do të startojmë edhe me projekte tjera

‘’Ky është një ndër projektet më të rëndësishme që Qeveria e Kosovës e ka mbështetur për komunën e Prishtinës, do të vazhdojmë edhe me projekte të tjera. Si Qeveri për komunën e Prishtinës, besoj këtë vit mund të fillojmë edhe me fabrikën për trajtimin e ujërave të zeza dhe stadiumin olimpik dhe projekte tjera. Besoj që këto projekte që po mbështetim nga Qeveria tregojmë për mbështetjen që i japim, rëndësinë që i kushtojmë kryeqytetit të vendit si Qeveri”, tha Hoti.

Elena Petrovska, Drejtoreshë për Kosovë në BERZH, është shprehur se pavarësisht sfidave, BERZH është përkushtuar shumë në realizmin e këtij projekti.

Petrovska tha se është me rendësi për BERZH-in që projektin e parë e ka realizuar në një komunë , siç është ajo e Prishtinës.

Ajo tha se të tjera projekte do të realizohen në bashkëpunim në mes BERZH-it dhe institucioneve të Kosovës.

Petrovska: Projekti i parë , por jo i vetmi

“Është me rëndësi që të përmendet që projekti I parë I BERZH-it që ndërlidhet me një komunë, pra, me komunë e Prishtinës dhe në Kosovë në tërësi, por siç e tha edhe ministri Hoti ky është vetëm i pari dhe të tjerët pritet të vijojnë...Ky projekt ka pasur uljet dhe ngritjet e tije në këto 3 vitet e fundit. Megjithatë ne jemi përkushtuar më shumë dhe kemi punuar shumë, BERZH-i këtu në Kosovë, zyra në Kosovë dhe zyret në Londër po edhe institucionet e Kosovës kanë punuar shumë për të arritur te kjo ditë’,’ tha Petrovska

I pranishëm në përurimin e autobusëve të parë ishte dhe ambasadori i Çekisë në Prishtinë Ivo Silhavy.

Ai tha se shteti i tij e mbështet Kosovën jo vetëm politikisht, por edhe në përmirësimin e standardeve te jetesës se njerëzve.

Silhavy: Një transport, në një sistem modern.

‘’Një transport publik funksional dhe miqësor për mjedisin ofron një jetë me perspektivë dhe me shëndet për një qytet  siç është edhe qarkullimi i gjakut apo frymëmarrja që jep jetën për çdo qenie të gjallë. Unë jam tejet i kënaqur që transporti publik në Prishtinë po transformohet në një sistem tejet modern. Çekia mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe kjo  nënkupton jo vetëm mbështetje politike, por, edhe përkrahje për përmirësimin e standardeve të jetesës se njerëzve’’,tha Silhavy

Prezantimi i autobusëve të rinj është bërë në hapësirat e Ndërmarrjes ‘’Trafiku Urban’’ që sipas Komunës së Prishtinës, janë faktorë të rëndësishëm në projektin e reformimit të trafikut urban në qytet.

Për të provuar funksionimin e autobusëve të rinj, kryetari Ahmeti bashkë me personat tjerë pjesëmarrës në këtë përurim bënë një xhiro me njërin nga autobusët.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat