Ahmeti: Duhet të kthehet dinjiteti i mësuesit

Prishtina

Ahmeti: Duhet të kthehet dinjiteti i mësuesit

Më: 7 mars 2017 Në ora: 11:57
Shpend Ahmeti

Mësimdhënësit e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë ishin sot të privilegjuar në ditën e tyre, 7 Marsi.

Këta mësimdhënës i vizitoi i pari i komunës Shpend Ahmeti së bashku edhe me drejtoreshën për Arsim në këtë komunë Arbërie Nagavci.

Kryetari Ahmeti tha se arsimi duhet të jetë prioritet i Kosovës nëse jo për asgjë tjetër sipas tij që në të ardhmen të jetë një shans më i madh i zhvillimit sesa sot.

Ai më tutje tha se mësimdhënësit në Kosovë nuk e kanë respektin e duhur në shoqëri.

Ahmeti: Mësuesit nuk e kanë respektin e duhur

“Sot kemi aktivitete në të gjitha shkollat e Prishtinës duke përfshirë programe ekspozita e po ashtu do t’iu japim edhe mirënjohje veteranëve të arsimit dhe siç e thashë edhe një herë institucioni i mësuesit si duket nuk e ka respektin e duhur  që meriton ta ketë duke marrë parasysh  se mësimdhënësit janë ata të cilët  kanë bartë rezistencën edhe në kohët më të vështira. Sot duhet ta kthejmë edhe këtë respekt për mësimdhënësit duke përmirësuar gjithmonë kushtet por edhe duke respektuar  vet punën të cilën e bëjnë si punën  më të rëndësishme që mund ta kemi, por në të njëjtën kohë të kërkojmë edhe më shumë llogari nga mësimdhënësit  për shkak se në supet e tyre rrinë gjenerata të tëra të fëmijëve të cilët në të ardhmen do ta udhëheqin këtë vend”, tha kryetari Ahmeti.

Ndërsa duke uruar mësuesit e kësaj shkolle e para e Arsimit në Prishtinë tha se edhe pse kanë kaluar më shumë se 100 vjet nga hapja e shkollës së parë shqipe misioni i mësuesit vazhdon të mbetet si atëherë.

Nagavci: Mësimdhënësit e kanë barrën më të madhe që të punojnë

“Pra përveç për arsimimin e nxënësve dhe gjeneratave të reja është për më tepër edhe edukimi i tyre dhe është një detyrë patriotike kombëtare sepse shoqëria jonë meriton shumë më shumë dhe mësimdhënësit edhe kësaj radhe e kanë barrën më të madhe që të punojnë për një shoqëri edhe më të zhvilluar” , tha Nagavci.

Ndërsa nikoqirja e mysafirëve nga komuna, drejtoresha e shkollës Remzije Berisha shpreson se në bashkëpunim edhe me kolegët e saj do të ketë ngritje të cilësisë në arsim.

Berisha: Besoj që cilësia në arsim do të rritet

“Misioni dhe vizioni ynë do të jetë që të bëjmë ndryshime brenda kësaj shkolle të realizojmë ëndrrat e fëmijëve , njëkohësisht edhe të kemi një bashkëpunim të mirëfilltë  mes komunitetit të prindërve, mësimdhënësve, në interesa të veçanta të nxënësve...besoj që do të kemi një ndryshim do të kemi një ngritje të  cilësisë në bashkëpunim me komunitetin, nxënësit prindërit por edhe me drejtorinë komunale”, tha Berisha.

Ndryshe komuna e Prishtinës ka organizuar një varg aktivitetesh për Ditën e Mësuesit ku grupi i grave asambliste do të shpërndajë mirënjohje për mësuesit e pensionuar dhe veteranë të arsimit, ndërsa në ndërtesën e re

Ndërkaq, në ndërtesën e re të Komunës së Prishtinës, do të mbahet manifestimi festiv, me program nga nxënësit e shkollave të Prishtinës dhe do të nderohen mësuesit e dalluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat