Çelaj: Ahmeti s’ka më arsyetim për mospunën e tij

Prishtina

Çelaj: Ahmeti s’ka më arsyetim për mospunën e tij

Më: 17 mars 2017 Në ora: 00:35
Shefi i Degës së PDK-së në Prishtinë, asamblisti “Ahmeti është joparimor dhe dyfytyrësh, sepse të gjitha ato që i akuzon të tjerët i bën vet në menaxhimin e tij”, ka thënë Çelaj

Shefi i Degës së PDK-së në Prishtinë, asamblisti Lirak Çelaj ka akuzuar kryetarin Shpend Ahmeti se vet ka bllokuar punën e Kuvendit Komunal të Prishtinës, derisa ka akuzuar të tjerët se po bëjnë këtë gjë.

“Në vazhdimësi ka pasur përpjekje për të bllokuar punën në Kuvend. Ka menduar se kështu do ta çonte Kuvendin në zgjedhje, sepse ishte i bindur se do të fitonte më shumë vota. Në anën tjetër në mënyrë të turpshme akuzon të tjerët për bllokada”, ka thënë Çelaj, teksa ka marrë edhe shembullin kur, sipas tij, vetë Ahmeti ka hyrë në sallën e Kuvendit Komunal dhe u ka thënë asamblistëve të partisë së tij që të dalin nga mbledhja për të pamundësuar mbajtjen.

Ai e ka kritikuar Ahmeti për menaxhim të dobët të Komunës së Prishtinës.

“Shpenzimet kapitale i ka 10 milionë më pak se në vitin paraprak. Pra nuk e ka tejkaluar vetën. I kisha lut publikun që mos të gënjehen me projektet që do të nisin këtë vit, sepse ky është vit elektoral. Le të matet puna e tij në gjithë mandatin, sepse ky vit është vit elektoral dhe mund të provojë të blejë votën duke nisur punë e projekte në disa lagje”, ka thënë Çelaj.

Ka komentuar edhe çështjen e 24 orëve ujë.

“Ahmeti është i pasinqertë sepse bëhet fjalë për jnë kompani rajonale. Pra, Ahmeti kur ishte puna për të kritikuar thoshte se është përgjegjësi e nivelit qendror, ndërsa për të njëjtën tash merr meritat”, ka thënë Çelaj. “Edhe ashtu është projekt që ka nisur kur Ahmeti nuk ka qenë fare kryetar Komune”, ka thënë ai.

Ka thënë gjithashtu se “pjesa më e madhe e kontratave mbi vepër janë përcaktuar nga Auditori si të paligjshme”.

“Ahmeti është joparimor dhe dyfytyrësh, sepse të gjitha ato që i akuzon të tjerët i bën vet në menaxhimin e tij”, ka thënë Çelaj.

Sipas Çelajt, mos puna e Ahmetit nuk mund të arsyetohet më.

“Vitin e parë e arsyetuam se thoshte se po përgatit dosje për Isa Mustafën. Mandej tha që po e bllokojmë. Tash çfarë do të thotë”, ka thënë Çelaj.

Çelaj ka folur edhe për pishinën olimpike, për të cilën e ka bërë fajtor ekskluzivisht kryetarin Ahmeti që s’u realizua deri tani.

“Ka qenë Memli Krasniqi ministër i Kulturës dhe i ka thënë Ahmetit që të caktojë lokacionin dhe një investim të vogël, pjesën më të madhe të investimit do ta bënte Ministria. Ai insistonte që lokacioni të jetë afër Ambasadës Amerikane dhe ne për hir të specifikave konsideruam se nuk është e lejueshme, por megjithatë e votuam. Dhe pishina nuk është bërë”, ka thënë Çelaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat