Çerdhet me bazë në komunitet, sukses në zgjidhjen e nevojave të Prishtinës

Prishtina

Çerdhet me bazë në komunitet, sukses në zgjidhjen e nevojave të Prishtinës

Më: 18 prill 2017 Në ora: 13:31
Në konferencë folën edhe 3 përfaqësues të Këshillave të Prindërve

Zyrtarë komunalë të Prishtinës kanë thënë se ka shënuar rritje numri i fëmijëve që po frekuentojnë çerdhet me bazë në komunitet, ndërkohë që është duke u punuar që të hapen edhe pesë çerdhe të tjera.

Arbërie Nagavci nga Drejtoria për Arsim në Komunën e Prishtinës, tha në konferencën e mbajtur me temë “çerdhet me bazë në komunitet”, se janë realizuar objektivat dhe pritshmëritë për “Çerdhet me bazë në komunitet”. Ajo theksoi faktin se me aplikimin e këtij modeli është rritur numri i fëmijëve që ndjekin shkollimin parafillorë.

Nagavci: Rritet numri I fëmijëve të inkuadruar në çerdhet e Prishtinës

“Komuna e Prishtinës sa i përket edukimit parafillor ka përmbushur objektivat dhe pritshmëritë në këtë drejtim. Përderisa edhe dokumentet më të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare theksojnë rëndësinë e madhe të edukimit të fëmijëve për edukimin parashkollorë, pra deri në moshën 6-vjeçare, sivjet në Prishtinë në çerdhet publike kemi të përfshirë 1616 fëmijë, në çerdhet me bazë në komunitet kemi 519 fëmijë që tregon se është rritur për 1/3 numri përfshirjes së fëmijëve në çerdhe dhe në edukimin parashkollor. Një standard i veçantë parasheh që 95% e fëmijëve të moshës së hershme duhet të përfshihen në edukimin parafillor. Statistikat e Ministrisë së Arsimit tregojnë që në vitin 2014-2015 përfshirja e fëmijëve në këtë nivel shkollimi ka qenë vetëm 15.7%”, tha ajo.

Ndërsa, Fitore Pacolli, shefe e Kabinetit të Kryetarit në Komunën e Prishtinës, theksoi se janë 5 çerdhe që janë duke funksionuar shumë mirë dhe se është duke u punuar që të hapen edhe 5 të tjera.

Ajo gjithashtu tregoi se në fillim procedurat për çerdhet me bazë në komunitet kanë qenë të ngadalshme me synim që të sigurohen se modeli i përzgjedhur është adekuat dhe se gjen zbatim në Komunën e Prishtinës.

Pacolli: Hapja e çerdheve në fillim ka shkuar me procedurë më të ngadaltë

“Ne qysh në fillim të mandatit kemi hulumtuar disa modele në vende të ndryshme nëpër Evropë dhe në këtë mënyrë kemi ardhur në përfundim që modeli me bazë në komunitet është model i mirë dhe model, i cili mund të aplikohet në Komunën e Prishtinës. Dhe filluam ta aplikojmë me çerdhen e parë në lagjen Mati 1 me çerdhen “Botanika”. Hapja e çerdheve në fillim ka shkuar me procedurë më të ngadaltë, në mënyrë që të shohim dhe të testojmë modelin se a po funksionon apo jo. Në këtë mënyrë modeli është shtrirë edhe në pesë çerdhe me bazë në komunitet. Në dokument shihet se janë hapur çerdhja “Botanika” në Matin 1, çerdhja “Ngjyrat” në lagjen Hajvalia, çerdhja  “Shtëpia magjike” në fshatin Besi që konsiderohet edhe çerdhja e parë në një fshat të Komunës së Prishtinës, pastaj çerdhja “Shkronjat” që është edhe çerdhja më e madhe prej këtij lloji të çerdheve me bazë në komunite t dhe tashmë kemi edhe çerdhen e fundit të cilën e hapëm disa muaj më parë, çerdhen “Zogjtë” në lagjen Sofalia”, tha Pacolli.

Meqenëse modeli i çerdheve me bazë në komunitet është parë nga Komuna e Prishtinës si një model i përshtatshëm për implementim, Pacolli tha se janë duke pritur që ta dyfishojnë numrin e çerdheve. Ajo tregoi se janë duke u përpjekur të hapin edhe çerdhen e parë në Kolovicë pasi që më parë banorët e asaj rrethine nuk e kanë pasur një të tillë.

Pacolli: Do të hapen edhe 5 çerdhe të reja

“Ne si Komunë e Prishtinës kemi filluar procedurat për hapjen e pesë çerdheve të tjera të po këtij modeli. Pra, e kemi çerdhen në lagjen “Tophane”, që është në renovim, çerdhen në lagjen Kodra e Trimave, që është në ndërtim e sipër, ka përfunduar ndërtimi i vrazhdë,  në fshatin Bardhosh, fshatin e dytë që do të bëhet me çerdhe kemi një objekt që është jashtë funksionit ku në këtë mënyrë ne kemi vendosur që ta shndërrojmë këtë objekt në çerdhe. Dhe, së fundi, po i shohim mundësitë të hapim një çerdhe në “Kolovicë”, ku nuk ka asnjë çerdhe”, u shpreh Pacolli.

Në takim ishin prezent edhe përfaqësues të çerdheve të themeluara dhe njëherësh treguan për të arriturat dhe sfidat që kanë kaluar gjatë funksionalizimit të çerdheve.

Alban Nimeti, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kopshtit “Shkronjat” në “Arbëri”, tha se qysh në muajt e parë të themelimit të kopshtit kanë arritur të vetëfinancohen.

Ai tha se përparësi e çerdhes së lagjes së tij është fakti se objekti ka qenë i destinuar që nga fillimi për t’u bërë çerdhe dhe kjo sipas tij ngërthen një përparësi  pasi që në këtë mënyrë kanë mundur të evitojnë disa probleme me të cilat do të mund të përballeshin në rast se do të ishte ndryshe.  

Nimeti: Sfidues është kapaciteti i kopshtit

“Sa i përket lagjes ku jetoj dhe ku bëj pjesë, janë tri pika që mundemi me e quajt veten me fat. E para është që ndoshta është objekti i parë që nga ndërtimi është destinuar për kopsht, d.m.th. nuk është objekt i modifikuar, është ndërtuar për kopsht që nga fillimi. E dyta, është që këshilli aktual i prindërve, është një kompozim i profesioneve të ndryshme që e ka bërë të mundur një funksionim më të mirë. Sfida e momentit dhe që na ka përcjellë që nga fillimi është kapaciteti i kopshtit”, ka thënë Nimeti.

Ndryshe, në takimin e sotëm u tha se pesë çerdhet që janë në proces e sipër pritet të funksionalizohen deri në fund të këtij viti. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat