Gazetaria përballë të vërtetës në “Prishtina Media Days”

Prishtina

Gazetaria përballë të vërtetës në “Prishtina Media Days”

Më: 3 maj 2017 Në ora: 11:02
Konferenca ndërkombëtare “Prishtina Media Days”

(E plotësuar) - Gazetaria përballë të vërtetës si dhe gjendja e krijuar në media viteve të fundit, ishin temat që u diskutuan në konferencën “Prishtina Media Days”, e cila po mbahet në Prishtinë, pikërisht në ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave, ku pjesëmarrës janë përfaqësues të mediave nga vende të ndryshme, si Shqipëria, Serbia, Kroacia, Turqia, Mali i Zi, Austria, Gjermania e vende të tjera.

Zrinka Veabec-Mojzec, nga gazeta ‘Nacional” e Kroacisë, ka shprehur skepticizmin nëse anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, do të përmirësojë gjendjen e mediave në Kosovë. Duke iu referuar praktikave të shtetit të saj, Mojzec tha se Bashkimi Evropian nuk ka mekanizma me të cilët mund t’i ndihmojnë mediat.

Ajo foli dhe për sfidat me të cilat është ballafaquar Kroacia sa i përket lirisë së mediave që nga vitet e 90-ta. Ndërsa shtoi se cilësia e gazetarisë ka rënë, pasi që gazetarët profesionist, po zëvendësohen me gazetarët e dëgjueshëm dhe naiv.

Mojzec: Edhe nëse bëheni anëtarë të BE-së, s’ka garancion që media do të jetë e lirë

“Në disa nga mediat kryesore, mijëra gazetarë kanë humbur vende të punës. Ata janë zëvendësuar me njerëz të rinj naiv, të dëgjueshëm dhe joprofesionistë. Ata i kanë paguar lirë dhe kanë qenë të dëgjueshëm.  Pronarëve të mediave iu kane nevojitur  njerëz të dobët dhe të dëgjueshëm. Kjo është arsye pse cilësia e gazetarisë ka rënë. Sipas raportit të Reporterëve pa Kufij,  Kroacia ka rënë për 11 vende nga viti i kaluar dhe se gjendja në media, po përkeqësohet edhe pse jemi anëtarë të BE-së. Pasi t’i arrini standardet e BE-së,  s’ka më monitorim dhe tani mund të bëni çfarë të doni...Për fat të keq ka njerëz që kanë humbur vendet e punës. Unë punoj në një prej mediave, themeluesi i të cilit është vrarë në 2008. Ka qenë prej ngjarjeve më tragjike e vrasjes së një gazetari. Ky person është vrarë për një botim. I ka përndjek rastet . At a që kanë urdhëruar këtë vrasje, s’janë zbuluar. Nga 2010 kanë ndodhur 78 sulme ndaj gazetarëve. Ata që kanë urdhëruar këto vepra s’janë zbuluar. Nuk ka vullnet politik të zbulohet, se kush i ka urdhëruar këto krime të renda ndaj gazetarëve. Edhe kur Kosova të bëhet anëtarë të BE-së, s’ka garancion që media do të jetë e lirë”, tha ajo.

Ndërkaq Renate Schroeder, nga Federata e Gazetarëve Evropianë, e cila  foli për gjendjen e vështirë,  në të cilën punojnë gazetarët,  tha se nuk mund të flitet për demokraci, kur gazetarët vazhdojnë vriten,  kërcënohen dhe heshtën. Ndërsa pohoi se në këtë regjion, mediat e shërbimit publik, janë ende të kontrolluara nga politika.

Schroeder: Në këtë regjion mediat e shërbimit publik, të kontrolluara nga poliitika

“ 123 gazetarë janë të burgosur sot. Shumica e tyre në Turqi, një në Maqedoni dhe një në Malin e Zi. 15 gazetarë janë vrarë gjatë këtij viti, kurse vitin e kaluar numri i gazetarëve të vrarë ka qenë 92. Viti 2016 na dha një mundësi të pashembullt për të reflektuar në idenë thelbësore të lirisë, e refuzuar nga shumë shtete.... Ne nuk mund të flasim për demokraci, kur gazetarët sulmohen fizikisht. Ne nuk mund të flasim për demokraci kur gazetarët heshtën. Ligje për më shumë siguri dhe për më pak demokraci,  po miratohen brenda natës dhe në të njëjtën kohë, ka shumë urrejtje dhe intoksikim. Disa flasin edhe për ‘ballkanizimin’ në media, e cila nuk është gjë e mirë të thuhet. Gazetarët të cilët vetëm po e bëjnë detyrën e tyre po bëhen target si kurrë më parë. Ata janë nën presion të ndjekin dominantët nacionalist në rrëfimet nacionale dhe popullizmi i cil i është armiku i gazetarisë... Veçanërisht në Ballkan, e shoh që ka shumë media dhe për shtete kaq të vogla  me rreth 50 radiostacione mendoj se ka diçka që nuk shkon këtu dhe qëndrueshmëria vihet në pikëpyetje. Në të njëjtën kohë, mediat e shërbimit publik, një gurthemel i rëndësishëm për një ambient të shëndoshë medial, është po ashtu nën kërcënimin e politikanëve dhe akterëve ekonomik. Në këtë regjion, mediat e shërbimit publik, janë ende të kontrolluara politikisht”, tha Schroeder.

Ajo foli dhe për një studim të realizuar nga Asociacioni i Ballkanit Perëndimor duke përfshirë Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, sipas të cilit 40 përqind e gazetarëve kanë raportuar që kanë pasur frikësim nga ana e menaxhmentit të mediave.

E si problem tjetër ajo përmendi dhe kushtet e punës, në të cilat punojnë gazetarët në Kosovë, ku rreth 50 përqind e gazetarëve nuk kanë kontrata dhe shumë nga ta punojnë në kushte, të cilat nuk duhet të punohet.

Oliver Vujoviq përfaqësues i SEEMO-s, tha se ky eveniment duhet të jetë motivim për punën e gazetarëve. Ndërsa tha se derisa po flasin për punën e gazetarëve, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave, ka gazetarë të arrestuar, e shumë nga ta jetojnë në kushte të vështira.

Vujoviq: Gazetarët jetojnë në kushte të vështira, disa nga ta dhe vriten

“Kemi gazetarë të burgosur si në Turqi. Shumë gazetarë jetojnë në kushte të vështira dhe pagat e shumë gazetarëve janë te ulëta. Kemi gazetar që janë sulmuar dhe vrarë dhe askush s’është arrestuar. Ne serbi 3 gazetar ane vrarë dhe askush nuk është arrestuar. Kur flasim për Kosovën as këtu gjendja nuk është më e mire. Ka shume probleme me te cilat mediat përballen... Këto nuk janë probleme vetëm në Kosovë,  por dhe ne vende tjera përreth”, tha Vujoviq.

Ndërkaq Skënder Krasniqi nga Agjencia e Lajmeve “KosovaPress”,  tha se përveç problemeve të shumta në gazetari, siç është transparenca, është dhe problemi i të bërit biznes në këtë sektor, pasi që pavarësia mediale është e lidhur ngushtë dhe me pavarësinë financiare që kanë mediat. Duke folur në konferencën ndërkombëtare “Prishtina Media Days”  tha se mediat janë biznese dhe sa më  shumë që të rriten investimet në këtë sektor,  liria e shprehjes do të jetë më e fuqishme. Ndërsa tha se disa vendime të Qeverisë e kanë sjellë median në gjendje jo të mirë. 

Krasniqi: Disa vendime të Qeverisë, e rënduan gjendjen e mediave në Kosovë

“Një nga faktorët që po ndikojnë në gjendjen e mediave në Kosovë, e që unë vlerësoj si gjendje të rëndë, janë dhe disa vendime të Qeverisë. Janë tri vendime të Qeverisë, që mendoj se e kanë sjellë median në gjendje jo të mirë. Është një vendim i Qeverisë i vitit 2012, ku i kanë ndalë publikimet në mediat e shkruara, e cila ka dëmtuar rëndë mediat e shkruara në këtë sektor. Dhe si rezultat i saj më vonë është vlerësuar se afër Një mijë punëtorë nga mediat janë larguar. Dhe ky vendim i Qeverisë ka ardhur i pa analizuar, vetëm për ta shpëtuar buxhetin e saj dhe nuk është analizuar efekti dhe kundër efekti në rast se merret ky vendim. Realisht mediat e shkruara, një pjesë të madhe të të hyrave, e kanë pasur nga publikimet që kanë ardhur. Një vendim tjetër që ka marrë Qeveria dhe mendoj që e ka dëmtuar biznesin medial, është vendimin për lirimin nga TVSH- ja, e që është një vendim parcial. Në praktikë është i mirë, por nuk funksionon. Për shembull, ne jemi të liruar me ligj nga TVSH-ja dhe mediat lëshojnë fatura pa TVSH. Nuk kemi të drejtë me lëshu fatura me TVSH. Por të gjitha produktet që i blejmë në Kosovë i blejmë me TVSH. Ndërsa një OJQ është e liruar nga TVSH ja dhe në atë dokument që ia lëshon ATK, ai nuk paguan TVSh. Ndërkohë që ne të gjitha i blejmë dhe kjo nuk rimbursohet. Është e ndaluar me rregullore. Lirimi nga TVSH-ja është më shumë marketin i qeverisë se sa funksionin realisht”, tha ai.

Si aspekt tjetër që po i dëmton mediat, Krasniqi përmendi dhe  mos funksionimin e Ligjit për të Drejtat e autorit, gjë që po i dëmton mediat të cilat prodhojnë lajme ekskluzive.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës Shkëlqim Hysenaj ka thënë se viti 2016 në Kosovë është karakterizuar me situatën më të paqëndrueshme sa i përket mediave.

Hysenaj: Situatë e paqëndrueshme sa i përket lirisë së mediave

“Viti 2016 është një prej viteve që ka karakterizuar situatën më të paqëndrueshme, sa i përket lirisë së mediave, kërcënimeve që kanë pranuar gazetarët. Gjatë vitit 2016 kemi pasur dhe sulme ekstreme ndaj gazetarëve, siç ka qenë bomba në shtëpinë e drejtorit gjeneral të mediumit publik. Po ashtu ka qenë një bombë, që është hedhur në drejtim të objektit të televizionit publik. Mirëpo ka pasur dhe rrahje të gazetarëve dhe ka pasur kërcënime dhe forma të ndryshme të shantazheve, që janë ushtruar në drejtim të gazetarëve...Fatkeqësisht Kosova vazhdon të ketë liri të  pjesshme sa i përket lirisë së mediave. Megjithatë së fundi të gjithë e keni parë një iniciativë të presidentit si dhe Ministrisë së Drejtësisë, që t’i rikthejnë disa ndryshime në kodin penal, përmes të cilave do të penalizohet fyerja ndaj krerëve shtetëror... Fatkeqësisht sa herë që në Kosovë, ka ndryshime apo probleme t ë ndryshme politike, liderët e caktuar politik, e shfrytëzojnë rastin që në një formë apo tjetër, të kërcënojnë gazetarët”, tha ai.

Konferenca ndërkombëtare “Prishtina Media Days” ka mbledhur në Prishtinë përfaqësues të gazetarisë nga Ballkani dhe Evropa. Pasdite pjesëmarrësit e konferencës do të takohen edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Konferenca zgjat deri të premten.

Mojzec: Gazetarët e ‘dëgjueshëm’ kanë ndikuar në rënien e cilësisë së mediave

Zrinka Veabec- Mojzec, nga gazeta ‘Nacional” e Kroacisë, ka shprehur skepticizmin nëse anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, do të përmirësojë gjendjen e mediave në Kosovë.

Duke iu referuar praktikave të shtetit të saj, Mojzec tha se Bashkimi Evropian nuk ka mekanizma me të cilët mund t’i ndihmojnë mediat.

“Nuk ka vullnet politik të zbulohet se kush i ka urdhëruar këto krime të rënda ndaj gazetarëve. Edhe kur Kosova të bëhet anëtare e BE-së,  s’ka garancion që media do të jete e lirë”, u shpreh ajo.

Ajo  ka shprehur shqetësimin për rënien e cilësisë së mediave, dhe kësaj dukurie  i ka dhënë një shpjegim:

“Është zëvendësuar nga njerëz të rinj naivë, të dëgjueshëm dhe s’kanë qenë profesionistë. I kanë paguar lirë, kanë qenë të dëgjueshëm. Pronarëve të mediave iu kanë nevojite njerëz të dobët dhe te dëgjueshëm. Kjo është arsyeja pse cilësia e gazetarisë ka rënë”, tha ajo.

Zrinka Veabec- Mojzec, ka folur edhe për ndikimin e qeverisë në media dhe ka ngritur alarmin për sigurinë e gazetarëve.

“Unë punoj një prej mediave themelues i të cilit është vrarë në 2008. Ka qenë prej ngjarjeve më tragjike e vrasjes së një gazetari. Ky person është vrarë për një botim. I ka përndjek rastet, ndërsa  ata që kanë urdhëruar këto vrasje s’janë zbuluar.  Tha se nga 2010 kanë ndodhur 78 sulme ndaj gazetarëve.

Hysenaj: Gazetarët në Kosovë përballen me shumë vështirësi

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës Shkleqim Hysenaj duke folur në konferencën ndërkombëtare “Prishtina Media Days” ka thënë se viti 2016 në Kosovë është karakterizuar me situatën më të paqëndrueshme sa i përket mediave.

Hysenaj me këtë rast ka përmendur sulmin me bombë në objektin e RTK-së, si dhe rrahjet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.

Kryetari i AGK-së në fjalën  e tij ka përmendur edhe iniciativën e presidentin dhe Ministrisë së Drejtësisë që të rikthehen nenet në Kodin Penal të Kosovës ku penalizohet fyerja dhe shpifja.

“Sa herë  në Kosovë ka probleme politike liderët e caktuar shfrytëzojnë rastin t’i kërcënojnë gazetaret. Lajm pozitiv është tërheqja nga kjo  iniciativë”, tha Hysenaj.

 Kërcënim tjetër sipas Hysenajt përbën sistemi i drejtësisë,  gjyqtarë dhe prokurorë dhe keqpërdorimi i rrjeteve sociale kanë krijuar situatë të pafavorshme për gazetarët.

Kryetari i AGK-së po ashtu tha se pak media në Kosovë respektojnë ligjin e Punës.

“Gazetarët në këto redaksi përballen me presion psikologjik, cenzurë dhe shantazhe të ndryshme nga pronarët. 40 përqind të gazetareve kanë ndërhyrje të drejtpërdrejta në përmbajtjen që ata prodhojnë. Pronarët kane biznese të afërta me politike tregu medial po përballet me kërcenim serioz sa i përket raportimit profesional”, tha Hysenaj.

“Prishtina Media Days”, mbledh gazetarët nga Ballkani dhe Evropa

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit në Prishtinë është duke u mbajtur konferenca ndërkombëtare “Prishtina Media Days” ku po marrin pjesë përfaqësues të mediave të Ballkanit dhe Evropës.

Remzije Shahini- Hoxhaj profesoreshë në Departamentin e Gazetarisë, tha se e kanë zgjedhur këtë ditë se është dita e lirisë së shprehjes.

Sipas Hoxhajt kjo konferencë synon t’i përballë tematikat që kanë të bëjnë në sfidat e mediave, jo vetëm në vend por dhe jashtë vendit.

Përfaqësuesi i SEMOO-s  Oliver Vujoviq në Ditën Botërore të Mediave përmendi burgosjen e gazetarëve në veçanti në Turqi.

Sipas tij shumë gazetarë jetojnë në kushte të vështira sepse kanë presion nga qarqet e ndryshme dhe pagat e tyre janë shumë të ulta.

Vujoviq tha se ka gazetarë që janë sulmuar dhe vrarë dhe askush është  nuk është arrestuar.

 “Në Serbi tre gazetarë janë  vrarë dhe askush nuk është arrestuar”, tha Vujoviq.

Tomas Bauer nga Universiteti i Vjenës  tha se liria e mediave është shumë e rëndësishme  dhe kjo konferencë sipas tij është një mundësi e mirë që të mendojnë se si ta përmirësojnë   komunikimin me publikun.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat