Java e sigurisë shënohet me garat me biçikleta

Prishtina

Java e sigurisë shënohet me garat me biçikleta

Më: 12 maj 2017 Në ora: 08:12
Gara me biçikleta

(E plotësuar) - Me moton “SaveLives #SlowDown”, 48 nxënës nga 16 komuna të ndryshme të Kosovës, kanë marrë pjesë në edicionin e 5 të garave me biçikleta, mbajtur të premten në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Ky aktivitet i organizuar nga Kolegji i Shkencave të Aplikuara “Tempulli” në bashkëpunim me Asociacionin Kosovar të Motorizimit AMRKS, ka për qëllim zhvillimin e shkathtësive për ngasje të biçikletave, njëkohësisht edhe sensibilizimin e qytetarëve për respektimin e shenjave të trafikut, në mënyrë që të reduktohet numri i aksidenteve.

Drejtori i Kolegjit “Tempulli”, Muhamet Krasniqi tha se Kosova vazhdon të jetë model për shtetet e regjionit  me organizimin e ngjarjeve në mënyrë që të sensibilizohet opinioni në ngadalësimin e shpejtësisë në rrugë.

Krasniqi: Kosova, model në rajon për sensibilizim të qytetarëve

“Ky aktivitet, sikur të gjitha aktivitetet tjera përgjatë gjithë javës, janë duke u zhvilluar në kuadër të shënimit të javës së katërt të sigurisë globale në trafikun rrugor, që sivjet ka moton SaveLives #SlowDown. Kosova definitivisht me këto aktivitete që nga viti 2013 vazhdon të jetë model  për shtetet e regjionit  që përmes këtyre aktiviteteve të synohet që të sensibilizohet opinion, të sensibilizohen të gjithë pjesëmarrësit në rrugë, me theks të posaçëm te shoferët në ngadalësimin e shpejtësisë dhe kujdesin ndaj pjesëmarrësve të tjerë”, tha ai.

Burim Krasniqi, drejtor i Këshillit për siguri në rrugë pranë Ministrisë së Infrastrukturës, tha se qëllimi i këtij aktiviteti është rritja e vetëdijesimit të kujdesit në trafikun rrugor dhe të bartet mesazhi se duhet të jenë të kujdesshëm në trafikun rrugor.

Krasniqi: Java e Sigurisë shënohet me aktivitete të shumta

 “Është Java e sigurisë në Kosovë, mirëpo ne si Departament koordinues i Këshillit për Siguri në trafikun rrugor kemi provuar që ta kthejmë në muaj të sigurisë. Kemi aktivitete të shumta, por përpos kësaj janë aktivitete që janë duke u zhvilluar në pothuaj të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës. I kemi diku rreth 180.000 fletëpalosje, të cilat do të shkojnë në duar të nxënësve, me mesazhin se si duhet të sillen në trafik si këmbësor, si biçikletist dhe si duhet të shfrytëzohet transporti publik si nxënës. Kemi fushatë tjetër të vetëdijesimit te qytetarët si shofer, sepse është befasuese te na jemi thuajse i vetmi vend në regjion ku numri i viktimave është më i madh tek ata në moshën mbi 19-vjeçare derisa të gjitha vendet e Evropës janë nën moshën 18-vjeçare”, ka thënë ai.

Besimi Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik, ka thënë se përmes këtij aktiviteti po i bashkëngjitemi aktiviteteve të përmasave botërore.

Hasani: Ne po i përcjellim vlerat tona përmes organizimeve të shumta

“Nga ky aktivitet nga kjo garë që do të zhvillohet ku paskan marrë pjesë mbi 3500 nxënës dhe tani janë 60 këtu më të mirët nuk është qëllim në vete, sepse mbi të gjitha këtu po përcillen disa mesazhe jashtëzakonisht të rëndësishme që janë në funksion të mbrojtje së jetës dhe shëndetit të qytetarëve tonë. Ne  me këtë aktivitet po i bashkangjitemi edhe aktiviteteve të përmasave botërore, dhe me këtë po dëshmojmë se nuk jemi vetëm përfitues të vlerave që i ka Evropa dhe bota, por edhe ne i përcjellim vlerat tona, siç janë këto që sot do të përcillen si një kampanjë me karakter botëror”, ka thënë Hasani.

Ndryshe, zhvillimi i aktiviteteve dhe plani i veprimit të përbashkët në rritjen e sigurisë në rrugë, janë kërkesë edhe e planit global për Dekadën e veprimit 2011-2020 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, andaj pjesëmarrja e qytetarëve është shumë e rëndësishme në mënyrë që të rritet siguria në rrugë

Nxënësit tregojnë shkathtësitë në ngasjen e biçikletës

Në kuadër të javës së Katërt për Siguri Globale Rrugore e Kombeve të Bashkuara, sot nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta do të tregojnë shkathtësitë e tyre në ngasjen e biçikletës në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke filluar nga ora 12:00.

Aktivitetet kanë filluar më 7 maj dhe do të zgjasë deri më 14 maj. Kjo javë fokusohet në shpejtësinë gjatë ngasjes dhe çka mund të bëhet për të adresuar këtë faktor kryesor të rrezikut për vdekjet dhe lëndimet në trafikun rrugor. Kampanja kryesore për këtë javë është: SaveLives #SlowDown.

Sipas statistikave shpejtësia kontribuon në rreth një të tretën e të gjitha aksidenteve me fatalitet në trafikun rrugor në vendet me të ardhura të larta. Kurse, kontribuon deri në gjysmën e aksidenteve me fatalitet në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare.

Shënimi i kësaj jave është organizuar nga kolegji Tempulli dhe përkrahur nga institucione vendore e ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat