Çelaj: Prishtina s’ka kryetar, Shpendi po mashtron votuesit

Prishtina

Çelaj: Prishtina s’ka kryetar, Shpendi po mashtron votuesit

Më: 21 maj 2017 Në ora: 18:50
Lirak Çelaj

Lirak Çelaj po e sheh kandidimin e Shpend Ahmetit për deputet si vazhdim të manipulimit me elektoratin. Thotë se aktualisht Prishtina është pa Kryetar Komune. I kërkon kandidatit për deputet të Vetëvendosjes të tërhiqet nga Kryeqyteti e të mos i mashtrojë qytetarët.

Shpend Ahmeti para katër viteve akuzat më të mëdha në drejtim të Isa Mustafës i kishte se pse ai po merrej me politika të mëdha e po e harron krejtësisht Kryqytetin.

Në atë kohë, Mustafa ishte në fund të mandatit si Shef i Kryeqytetit dhe ushtronte pozitën e Kryetarit të LDK’së.

Tash, Shpend Ahmeti e ka tejkaluar Isa Mustafë.

Si Kryetar i Prishtinës ka vendosur të kërkojë votën dhe të bëhet deputet i Vetëvendosjes për legjislaturën e gjashtë.

Dikush po i kërkon që për shkak të këtij gjesti të japë dorëheqje.

Kryetari I Degës së PDK’së në Prishtinë, Lirak Çelaj, ka thënë se me kandidimin e Ahmetit për deputet të Kuvendit, komuna e Prishtinës ka mbetur pa zot shtëpie.

Çelaj të dielën për media ka deklaruar se Shpend Ahmeti po manipulon me elektoratin kosovarë, ngase sipas tij, kandidimi i tij po bëhet vetëm për të mbledhë vota për partinë.

“Cilido që ka një post politik në rast kandidature për ndonjë subjekt politik do të duhet ta lëshojë atë. Prishtina pra momentalisht është pa udhëheqje. Gjesti i tij i fundit po e tregon pikërisht fytyrën e Shpendit. Manipulon me elektoratin, luan me atë natyrisht që pranojnë të manipulohen në një situatë të tillë”, ka thënë Çelaj.

Tutje ai është shprehur se është e pasinqertë mënyra se si kreu i komunës së Prishtinës po mundohet të mbledhë vota për partinë e tij.

“…kjo ashiqare po dihet se ai po hynë që të mbledhë vota në Kuvend. Kjo është krejtësisht e pasinqertë. Nuk e di se si mund ta votojë në këtë mënyrë elektorati.  Mendoj që për Shpendin më mirë do të ishte të tërhiqej, se ashtu-kështu ai e ka humbë Prishtinën”, ka thënë ai.

E ndërkohë nuk është vetëm Shpend Ahmeti i vetmi zyrtarë komunal në Prishtinë që ia ka mësyrë karrigës së deputetit.

Dardan Sejdiu, Nënkryetar, Arbërie Nagavci, Drejtresh e Arsimit, Salih Zyba, Drejtor i Inspekcionit, Liburn Aliu, Drejtor i Urbanizmit, Fitore Pacolli, Shefe e Kabinetit të Kryetarit, Hysen Durmishi, Drejtor i Investimeve kapitale, janë zyrtarët që figurojnë në listën e kandidatëve për deputet të Kosovës.

Kryetari i Prishtinës është renditur i pesti në listën e Vetëvendosjes derisa  në një reagim publik s’e ka sqaruar se nëse Vetëvendosje fiton do të mbetet në pozitën e deputetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat